Bisedimet për paqe në Pakistan/ Vance paralajmëron Iranin: Nëse ata duan të luajnë…

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance paralajmëroi Iranin të mos “luajë lojëra” me Shtetet e Bashkuara në negociata përpara se të nisej për në Pakistan.
“Nëse ata duan të luajnë lojëra, duhet ta dinë se ne nuk do të luajmë lojëra”, tha nënpresidenti i SHBA-së, raporton BBC.
Teherani nuk e ka njoftuar zyrtarisht delegacionin e tij, por disa raportime të mediave lokale thonë se ai do të udhëhiqet nga kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Plani 10-pikësh i propozuar nga Irani është rënë dakord si bazë për negociatat, tha zëvendësministri i Jashtëm Majdi Takht Ravanchi.
“Ne gjithmonë e kemi mirëpritur diplomacinë, por jo bisedimet e bazuara në informacione të rreme që synojnë mashtrimin”, tha ai, duke shtuar se Teherani nuk mbështet një armëpushim që i lejon kundërshtarit të tij të riarmatoset dhe të rifillojë sulmet.
Ndërkohë Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet, por drejtuesit e transportit detar dhe analistët thonë se pasiguria rreth armëpushimit dy javor po e bën tranzitin shumë të rrezikshëm tani për tani.
Presidenti Donald Trump në lidhje me këtë çështje ka paralajmëruar Iranin që të mos vendosë tarifa për anijet që kërkojnë të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
“Ka raportime se Irani po u vendos tarifa cisternave që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Më mirë të mos e bëjnë dhe, nëse po e bëjnë, më mirë të ndalojnë tani. Irani po bën një punë shumë të dobët, disa do të thoshin të turpshëm, në mos lejimin e kalimit të naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo nuk është marrëveshja që kemi!”, shkroi presidenti amerikan në Truth.