E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektorati i Punës shton kontrollet në kantieret e strukturave turistike

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka intensifikuar kontrollet dhe fushatat ndërgjegjësuese në kantieret e ndërtimit dhe subjektet e lidhura me sektorin e turizmit, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë gjatë sezonit turistik.

Në një intervistë në media, kryeinspektori Eljo Muçaj bëri të ditur se prej disa javësh institucioni ka nisur një fushatë të posaçme në sektorin e ndërtimit, me fokus forcimin e kulturës së sigurisë në punë dhe përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale.

Sipas Muçajt, rritja e intensitetit të punimeve në projektet turistike gjatë kësaj periudhe ka shtuar nevojën për monitorim më të madh në kantieret e ndërtimit.

“Prej 3-4 javësh kemi nisur një fushatë ndërgjegjësuese në sektorin e ndërtimit, e cila synon forcimin e kulturës së sigurisë dhe shëndetit në punë. Vëmendje e veçantë po i kushtohet përdorimit të pajisjeve të mbrojtjes individuale, që lidhen drejtpërdrejt me parandalimin e aksidenteve në punë”, u shpreh ai.

Kryeinspektori theksoi se sektori i ndërtimit është ngushtësisht i lidhur me turizmin, pasi shumë projekte turistike synojnë të përfundojnë përpara nisjes së sezonit veror.

“Në këtë periudhë ka një intensitet të lartë punimesh në objektet turistike dhe për këtë arsye fokusi i inspektimeve është përqendruar te kantieret dhe subjektet që operojnë në funksion të turizmit”, deklaroi Muçaj.

Ai bëri të ditur se Inspektoriati ka hartuar gjithashtu një plan të zgjeruar masash për muajt në vijim, ku prioritet do të jetë kontrolli i subjekteve me risk të lartë dhe me numër të madh punonjësish.

Sipas tij, rreth 70% e planit të inspektimeve për 3-4 muajt e ardhshëm do të fokusohet në sektorin e turizmit.

“Kjo përkthehet në mbi 2000 inspektime në subjekte të turizmit, të përzgjedhura mbi bazën e analizës së riskut dhe numrit të të punësuarve”, tha Muçaj.

Në fokus të kontrolleve do të jenë jo vetëm hotelet, baret dhe restorantet, por edhe bizneset mbështetëse që operojnë në funksion të turizmit, si lavanderitë, kompanitë e shpërndarjes, shërbimet e pastrimit dhe aktivitete të tjera ndihmëse.

Inspektoriati Shtetëror i Punës synon përmes kësaj fushate të rrisë standardet e sigurisë në punë dhe të minimizojë rastet e aksidenteve gjatë sezonit me fluksin më të lartë të aktivitetit ekonomik në vend.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›