E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Integrimi/ Progresraporti për Shqipërinë: SPAK rezultate pozitive, por korrupsioni mbetet sfidë! Ballukut s’iu hoq imuniteti? Shqetësim për funksionimin e balancës mes pushteteve

Shqipëria mund të arrijë objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Kështu deklaroi Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit 2026 në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

Duke vlerësuar përparimin e Shqipërisë në reforma, Kos theksoi se liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten sfida kryesore. Report Tv ka siguruar edhe progres raportin për Shqipërinë. 

“Sa i përket Shqipërisë, ritmi i reformave ka ecur. Janë bërë përparime në reforma. Shqipëria ka ecur sa i përket katër kapitujve të fundit dhe është duke punuar për të mbyllur edhe kapitullin paraardhës. Po punohet për të mbyllur edhe kapitujt e tjerë. Shqipëria mund të arrijë objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten kryesore", thotë Kos. 

Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 paraqet një vlerësim përgjithësisht pozitiv për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transformimin digjital, energjinë dhe politikën ekonomike.

"Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027", thotë raporti. 

Lajmi në përditësim....

Kliko këtu per të lexuar Progres Raportin

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 13:48

Ballukut nuk iu hoq imuniteti, Raporti i KE: Shqetësim për funksionimin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve

1792479331_belindaballuku.JPG

Fakti që Belinda Ballukut, e pandehur nga SPAK, nuk iu hoq imuniteti, për Komisionin Europian kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.

Në progresraportin për Shqipërinë, Komisioni Europian vlerëson se mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit mbeti e dobët dhe evidenton refuzimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.

Pjesë nga progresraporti për Shqipërinë

Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta.

Shumica e nismave legjislative u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Edhe në rastet kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ, si dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike.

Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar asnjë debat.

Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.

Ora 13:42

Progresraporti për Shqipërinë/ KE flet për protestat e dhunshme: Të gjitha palët të angazhohen në dialog konstruktiv

1793527862_protestatkunderqeverise.jpg

Në progres raportin për Shqipërinë për vitin 2026 janë përfshirë edhe protestat e të ashtuquajturit “Revolucioni flamingo”, si edhe protesta e dhunshme që përfshinë vendin ditët e fundit. Komisioni Europian thotë se protestat nisën nga shqetësimet mjedisore për resortin në Pishë Poro–Nartë. Raporti evidenton aktet e dhunës në protesta dhe pretendimet për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve e gazetarëve. KE u kërkon të gjitha palëve të angazhohen në dialog konstruktiv.

Pjesë nga progres raporti

Që nga maji i vitit 2026, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme. Ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave. Ato nisën për shqetësime mjedisore të lidhura me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe kërkuan më shumë transparencë në dhënien e lejeve për projekte të përmasave të mëdha, përfshirë konsultimin me popullsinë vendase.

Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia.

Në shtator të vitit 2026, qeveria ndërmori një nismë për përmirësimin e procesit të konsultimit publik dhe të aksesit në informacion.

Në vijim të lëvizjes qytetare, në tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit shkatërruan prona publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv.

Ora 13:34

Progresraporti i KE për Shqipërinë: Korrupsioni sfidë reale për Shqipërinë, SPAK tregoi pavarësi

1791898025_spak.JPG

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit, duke evidentuar pavarësinë e SPAK dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, në raportin e siguruar nga Report Tv thuhet se korrupsioni mbetet një sfidë reale.

Pjesë nga progresraporti:

Komisioni vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit.

SPAK vlerësohet për pavarësinë e treguar dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Megjithatë, korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.

Komisioni kërkon:

- Më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë në çështjet e korrupsionit të profilit të lartë.

- Sekuestrim dhe konfiskim përfundimtar të pasurive që burojnë nga korrupsioni.

- Më shumë referime proaktive nga institucionet shtetërore drejt prokurorisë.

- Verifikim më efektiv të deklarimeve të pasurisë dhe konflikteve të interesit.

- Zbatim të masave parandaluese në sektorët me rrezik të lartë korrupsioni.

- Forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›