Interesi për degët e mësuesisë: Anglishtja, Edukimi fizik dhe Sporti më të kërkuarat në Universitetin e Korçës

Pavarësisht vendosjes së mesatares 7,5 për degët e mësuesisë, regjistrimet në Universitetin “Fan Noli” të Korçës kanë qenë të kënaqshme për këtë vit akademik, duke mundësuar hapjen e pothuajse të gjitha programeve të studimit.
Interesi më i lartë është shënuar në degët Anglisht dhe Edukim fizik, dhe Sporte. Dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, Jonela Spaho, u shpreh se edhe studentët me mesatare më të ulët kanë mundësi të ndjekin këto programe dhe më pas të vazhdojnë studimet “Master” në një profil tjetër, duke zgjeruar mundësitë e punësimit.
“Ai student që ka mesataren 6,5 mund të bëjë Bachelor-in, por jo Master-in për t’u bërë mësues. Kjo i jep mundësinë që të vazhdojë një Master tjetër. Në fakultetin tonë ne kemi një Master të tillë, por edhe fakultetet e tjera kanë Master-a Shkencorë që mund të ndiqen, jo në fushën e mësuesisë,” tregon Prof. As. Dr. Spaho.
Spaho theksoi gjithashtu se programet “Master” kanë tejkaluar kuotat e pranimeve, çka dëshmon se oferta akademike e universitetit është në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
“Fakti që edhe programet e Masterit janë të plotësuara më së miri, madje kanë tejkaluar edhe kuotat në disa programe, tregon që përgjithësisht në degën e mësuesisë kanë ardhur me shumicë studentë me mesatare 7,5,” thotë dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.
Universiteti i Korçës vijon të mbetet një ndër institucionet më të qëndrueshme në rajon për cilësinë e arsimit dhe programet që u përgjigjen zhvillimeve bashkëkohore.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/