E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista e Presidentit Topi dhënë për televizionin “Nesër TV”.

28 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një intervistë për emisionin “Fakt”, drejtuar nga gazetari Çlirim Peka, në Televizionin “Nesër TV”.

Më poshtë vijon intervista e plotë e Presidentit Topi:

Gazetari: Zoti President, mirëmbrëma! Është kënaqësi t’ju kem për herë të parë në “Fakt”, si Kryetar Shteti!Në mos gabohem, në muajin dhjetor të vitit 2005, para dy vjetësh, pak muaj pas rrotacionit politik, ju kam pyetur se diplomatët e huaj i pyesin gazetarët kryesorë: “Si ju duket zoti Bamir Topi për President të Republikës?” Pyetja rezultoi korrekte dhe sot ju kam për herë të parë si President.

Presidenti Topi : Besoj që kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm me ju dhe me emisionin tuaj. Para këtij emisioni bëmë një vlerësim të numrit të emisioneve dhe rezulton që është i katërmbëdhjeti. Është vështirë të rikthej çaste të veçanta se ky komunikim është bërë shumë familjar.

Gazetari: Keni filluar gjashtëmujorin si President i Republikës. Pak më parë ju thashë se konsiderohesha i guximshëm kur ju pyesja si ju duket në se mund të jeni President i Republikës. A keni menduar se çfarë do të bëni me karrierën politike, pasi të mbaroni mandatin e parë si President i Republikës? Nuk janë shumë pesë vjet.

Presidenti Topi: Ju thatë se kam kaluar gjashtëmujorin e parë, po unë po ju them se ende jam në fillim të muajit të gjashtë të detyrës si President, çka do të thotë se para se të mendoj për përgjigjen e pyetjes që ju sapo realizuat, po mendoj sesi të zhvilloj përgjegjësitë e mia në këtë pozicion, sepse duke llogaritur brenda afatit kushtetues që ka Presidenti i Republikës, muajt e parë të detyrojnë që të japësh një vizion të qartë për të gjithë periudhën në këtë pozicion; kështu që sado largpamës të jem, e kam shumë të vështirë që të kalkuloj se ç”do të bëhet pas pesë vjetësh.

Gazetari : Kjo është e vërtetë, por keni pasur një politikë jo pak aktive, madje shumë aktive gjatë këtyre 15 viteve, si një nga figurat kryesore të së djathtës shqiptare, megjithatë pak para se të zgjidheshit President, kemi festuar bashkërisht 50-vjetorin tuaj, prandaj po e riformuloj pyetjen: Bamir Topi 55 vjeç është brenda politikës apo do të kujtohet si ish-President?

Presidenti Topi: Emërimi im si produkt apo zgjedhje është produkt i politikës; kështu që gjithçka është konsumuar brenda politikës, ndonëse alternativat për zgjedhjen e Presidentit kanë qenë të ndryshme; ndoshta unë kam një alternativë tjetër për mënyrën sesi duhet të zgjidhet Presidenti, por gjithsesi, unë mbetem në vlerësim të atij produkti që ka vënë politika në linjë kushtetuese. Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të merresha me politikë. I isha përkushtuar në mënyrë intensive jetës sime akademike, por ja që vjen një ditë që të gjitha parashikimet rrëzohen. Njeriu merret me një veprimtari të re dhe kjo është arsyeja, që duke iu referuar politikës, duke u marrë në mënyrë esenciale me çështje të politikës, nuk mendoj sot të largohem nga politika, por ende s’mund të kem një përgjigje përfundimtare për pyetjen që ju realizuat. Koha është relativisht e gjatë.

Gazetari : Sapo u shprehët, por është i njohur edhe për opinionin fakti, për të mos thënë se ju keni qenë i vetmi që keni kërkuar që zgjedhja e Presidentit të bëhej nga populli. A kishit garanci që, me votë popullore, do të ishit Kryetar Shteti? A mendoni se kjo kërkesë e parealizuar edhe për arsye kohe mund të jetë e përshtatshme pas pesë vjetësh?

Presidenti Topi: Unë vërtet jam një nga ata që kam qenë për këtë alternativë, por ajo nuk ka qenë e lidhur me çështje individuale; ka qenë një alternativë parimore. I mbetem kësaj alternative, sepse ju e keni parë që politika shqiptare, ende e re, ende e pakonsoliduar në institucionet e veta, ende me probleme, shesh herë në çështje mjaft të rëndësishme influencon në mënyrë koniukturale. Kam thënë dhe jam i atij parimi që, ndonëse të gjitha institucionet vijnë nga zgjedhjet e përgjithshme politike, çka do të thotë se është një vullnet popullor, për zgjedhjen e Institucionit të Presidentit, i cili duhet të konsiderohet si një institucion dhe i tillë duhet të jetë, institucion mbi palët, jashtë politikës aktive, partiake dhe si i tillë duhet të jetë në funksion të interesave të qytetarëve, si garant i të drejtave dhe lirive dhe garant i Kushtetutës, mendoj se alternativa më e mirë do të ishte një zgjedhje e drejtpërdrejtë nga populli dhe pa ndryshuar kompetencat e Presidentit. Kjo ka të bëjë thjesht me një produkt që vjen nga një themel shoqëror do të thosha, që realisht në çaste kur humbet besimin tek politika partiake, drejtohet tek institucioni, i cili duhet të garantojë pikërisht këtë lloj harmonie, këtë lloj ndërmjetësimi dhe një pozicion shumë aktiv që ka të bëjë vetëm me ligjin dhe Kushtetutën.

Gazetar: Zoti President, për herë të parë Shqipëria ka një Kryetar Shteti, që nuk ka qenë komunist, i cili është pronar real, i vërtetë. Unë e kam vizituar vilën tuaj dhe është e admirueshme; një pronë e trashëguar. Për herë të parë ka një Kryetar Shteti nga Tirana. Në konceptin shqiptar Shqipëria për herë të parë ka një Kryetar Shteti të djathtë real me origjinë të vërtetë nga e djathta; gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit, ish-homologia juaj, numri dy i Partisë Demokratike vjen nga shtresa e persekutuar; Kryeministri , Kryetar i Parë i një partie pluraliste, Kryetar i një partie opozitare antikomuniste në Shqipëri; tri figurat kryesore politike kanë një origjinë të djathtë. Gjithsesi po ndaloj pak te prona. Jeni shprehur mjaft ashpër me problemin e pronave në Shqipëri, megjithatë ndoshta nuk ka shumë pronarë realë tek ne. Po e ritheksoj edhe një herë: Prona juaj është e admirueshme dhe ju e keni marrë kur nuk ishit bërë President. Po pronarët e tjerë realë në Shqipëri, që janë të një shtrese me ju, duhet të presin për të marrë pronën e tyre apo realisht ju si ish-pronar, tashmë si Kryetar Shteti tani keni mundësi për të ndikuar direkt që kjo padrejtësi të vihet në vend?

Presidenti Topi: Unë të falënderoj që e bëre këtë pyetje, ndonëse i dhe një prapavijë jo reale, sepse bie dakord me ju në afirmimin e asaj që rrjedh nga një shtresë e vjetër, madje nga të dyja linjat, nëna dhe babai, por ju them se kam marrë shumë pak nga ato që më takojnë me të vërtetë; kështu që i rikthehem edhe njëherë me ju. Biseda nuk shkon në interesat personale apo njoftimi i një çështjeje në publik në mënyrë absolute nuk ka të bëjë me interesat e individit që sot është në këtë pozicion. Çështjet e mira në evoluimin e jetës politike kanë qenë çështje të hedhjes në publik të problemeve parimore dhe ju siguroj që, kur kam diskutuar për pronat, kam diskutuar në këtë kuptim; kurrë nuk kam diskutuar në kuptimin personal. E rëndësishme është që ne ta rikthejmë në vëmendje këtë problem dhe do të thosha që këtu është detyrimi i shtetit për të qenë në funksion të të gjithë kuadrit ligjor, për ta zbatuar këtë kuadër ligjor për të mos e deformuar atë. E kam thënë edhe kur jam shprehur në raste të tjera, nuk po diskutoj këtu ndryshimin, po diskutoj për zbatimin e një ligji. Kush më shumë se sa Institucioni kryesor i Shtetit, Presidenti i Republikës, do të merret me zbatimin e ligjit, pikërisht atëherë kur ai deformohet; kështu që nga kjo pikëpamje, unë i qëndroj asaj që kam thënë.

Gazetari: Ju keni abstenuar kur keni qenë Kryetar i Grupit Parlamentar.

Presidenti Topi: Të jesh Kryetar i Grupit Parlamentar e të mbash një qëndrim të tillë do të thotë se është një bindje e vërtetë, reale, ç’ka nuk ka të bëjë fare me praninë tënde, qoftë edhe në krye të grupit; pra, këtë e kam të lidhur me një bindje personale, sepse njeriu futet në një parti politike, me identitetin e tij. Në rast se ky identitet deformohet gjatë rrugës, kur je në parti, atëherë nuk ka kuptim moral të jesh pjesë e asaj partie; por, nga ana tjetër ka edhe një pjesë të shumicës brenda atij grupi, por kurrsesi ti s’mund të dalësh nga ai pozicion që të e ke konsoliduar në vite dhe e ke gjenetik.

Gazetari : Keni pasur një qëndrim individual, tërësisht me integritet. Mund të shpresohet te personaliteti juaj për këtë çështje? Jeni shprehur më parë se edhe në momentin që ne po flasim po vjedhin pronat. Ju siguroj se edhe në momentin që po bëjmë këtë intervistë mund të ketë vjedhje të pronave.

Presidenti Topi: Sigurisht!

Gazetari – Sërish, në konceptin shqiptar, pronarë të vjetër janë ata që mund të quhen pjesa borgjeze shqiptare. Si mendoni ju që kjo shtresë, absolutisht e persekutuar, mund të gjejë zgjidhje te drejtues institucionesh me moshë mesatare 26-27 vjeç, që akoma në jetën nuk kanë provuar se çfarë është prona?

Presidenti Topi: Unë nuk besoj se kjo lidhet me moshën biologjike.

Gazetari: Sapo u shprehët që aspekti ligjor është i konsoliduar.

Presidenti Topi: Jo, absolutisht që nuk lidhet me moshën biologjike. Kjo lidhet me formimin individual të njeriut, sa ai është i pozicionuar për të respektuar ligjin, në radhë të parë, sepse do të ishte gabim të paragjykonim vendosjen e parametrave të moshës; natyrisht, ka një minimum të nevojshëm, minimalisht të domosdoshëm që, një njeri që drejton një institucion të rëndësishëm, nuk mund të jetë pa përvojë të karrierës; kështu që edhe këtu ka vend të diskutohet, por në kuptimin që ju realizuat pyetjen, nuk ka të bëjë me moshën e individit, por ka të bëjë me interesa të deformuara të individëve të veçantë, të ndërgjegjshëm për atë që bëjnë, u shmangen në mjaft raste detyrimeve ligjore. Sot atë, për fat të keq e konstaton në disa institucione. Nuk jam këtu për të bërë koperturën e askujt, por jam këtu për të diskutuar në mënyrë të hapur për një çështje që është madhore për shqiptarët për vendosjen definitive të shtetit ligjor dhe në funksion të çështjes së pronës. Kjo është një çështje që meriton një vëmendje të veçantë; pra, është bërë shumë propagandë dhe ironia është në një kuptim tjetër. Ne kemi thënë dhe ju sapo e thatë që ende vazhdohet të abuzohet, por ironia është në një kuptim tjetër. Në momentin kur politika, në përgjithësi, e mbulon me propagandë dhe nga ana tjetër abuzon me propagandë, kjo është në termin përfundimtar gjëja më e papranueshme. Të bësh propagandë mbi bazën e një vullneti, do të thotë të marrësh konkrete aty ku abuzohet. Sot dhe jo vetëm sot, informacionet për abuzime në çështjen e pronësisë në Shqipëri në vite, qysh nga momentet e para të zbatimit të ligjit e në vazhdimësi. E them pa asnjë lloj rezerve sa më afër fundit të ezaurimit të tokave, aq më i sofistikuar bëhet problemi i deformimit të pronës.

Gazetari: Politika vazhdon me demagogji. Nuk ju duket se keni pak më shumë përgjegjësi morale, pasi është shumica tani ajo që po vazhdon me demagogji, është kjo shumicë që ju keni kontribuar.

Presidenti Topi: I nderuar, ju po paragjykoni pozicionin tim. Mua nuk më intereson fare nëse kjo demagogji vjen nga shumica e djeshme apo kjo e sotme. Unë jam në funksion të mbrojtjes së kuadrit ligjor, mbrojtjes së interesave të qytetarëve; jam për shtetin ligjor. Kur flas nuk flas vetëm me terma të retrospektivës, por flas me terma të aktualitetit. Cilido që bën propagandë, shoqëruar me veprime konkrete, do të jetë gjithnjë në fokusin e alternativave të mia kritikuese kur vjen puna për ta diskutuar këtë çështje. Kur bëj thirrje në publik, thirrja është dhe e natyrës institucionale. Kjo gjë duhet të marrë fund me vendosjen e shtetit ligjor, çka do të thotë që në funksion të zbatimit të ligjeve, të kuadrit ligjor, vetëm të ligjit, pa paragjykuar ndryshimin e ligjit, të kemi mundësi që të vendosim në mënyrë përfundimtare për çështjen e pronësisë për t’i hapur rrugë stabilitetit psikologjik në shoqërinë tonë, por edhe stabilitetit real që ka të bëjë me të ardhmen e zhvillimit të pronave të tyre që do të thotë se pa pronë, pa këtë moment bazë nuk ka asnjë lloj shansi që investitorë seriozë të futen dhe të realizojnë pikërisht ato projekte që nuk janë të pakta dhe nuk janë të përmasave të vogla.

Gazetari: Duke lënë pas çështjen e pronave, kalojmë te një problem tjetër: Zoti President, jeni Kryetar i Shtetit Shqiptar. Keni pjesë të grupit tuaj politik një Ministër të Jashtëm pa imunitet. Si ndiheni?

Presidenti Topi: Unë dëshiroj t’i shmangem këtij momenti në mënyrë të vullnetshme, sepse cilido ministër është pjesë e kabinetit qeveritar. Presidenti i Republikës ka një funksion shumë të veçantë dhe ka lidhje funksionale të natyrave të ndryshme me të gjitha institucionet; pra, unë e konsideroj një lidhje të kësaj natyre që nuk mund të intimidojë absolutisht pozicionin e Presidentit në marrëdhënie të tilla, përkundrazi Presidenti i Republikës duhet ta shohë me admirim zbatimin e të gjitha ligjeve që varen nga Kushtetuta. Në rast se diçka është e parashikuar në Kushtetutë, është e parashikuar në ligj dhe procedohet në mënyrë normale, unë shoh vetëm procesin dhe nuk shoh produktin e këtij procesi, sesi ndihet në mënyrë individuale një person, si ndihet qeveria apo si ndihet Institucioni i Presidentit. Problemi është që duhet të dalim nga ajo lloj psikoze kur politikat rajonale e ndërkombëtare realizohen nga individë, përkundrazi realizohen nga institucionet. Këto janë rrjedha të natyrshme të kohës që do të përbëjnë patjetër histori në të gjithë evoluimin që ka bërë gjithë rajoni i Ballkanit, sesi ka shkuar çështja e Kosovës në vite dhe, në mënyrë të padiskutueshme gjithçka do të shkojë në destinacion, pa influencuar nga fate momentale të individëve.

Gazetari: Gjithsesi Kosova, NATO, ratifikimi i MSA-së, interlokutori kryesor i faktit fizik është Ministri i Jashtëm. A mendoni se të paktën moralisht, një interlokutor, një Ministër i Jashtëm, po e ritheksoj të paktën moralisht, mund t’i cënojë këto bisedime?

Presidenti Topi: Jo kjo ka dy këndvështrime. Nga njëri këndvështrim mund të mendosh që një Ministër, i cili prej muajsh është akuzuar publikisht dhe pa i hequr imunitetin mund të ketë një këndvështrim sikur ky person është i padëshiruar, ndërsa në momentin që Ministrit i hiqet imuniteti në rrugë kushtetuese ligjore, kjo nuk do të thotë që i hiqet mundësia për të ushtruar aktivitetin e tij. Ne kemi eksperienca bashkëkohore, janë në vendet më demokratike europiane, kur edhe kryeministra që janë në detyrë me emra janë në procesin gjyqësor, ç’ka do të thotë që prezumohet që në fillim, qysh kur i hiqet imuniteti pafajësia e individit, por ai është i lirë dhe e vendos veten në dispozicion sipas ligjit të institucionit të prokurorisë për t’u hetuar. Të fillosh të hetohesh nuk do të thotë që të jesh me faj, pra, askush nuk ka të drejtë që të prezumojë fajësinë, apo pafajësinë, por në ligj prezumohet pafajësia, pra futesh në atë linjë hetimi, për të qenë kontribues në atë proces që nuk është individual por është kompleks dhe tek e fundit është drejtësia dhe vetëm drejtësia që gjykon nëse ministri, apo cilido individ ka të bëjë me çështjen në fjalë ose jo. Atëherë do të ishte momenti për të diskutuar nëse është kompatibël me funksionin që kryen ose jo dhe kjo do të ishte e natyrshme.

Gazetari: Atëherë, meqë jemi në ngjarjet e brendshme të ditës, ngjarjet kryesore politike, përmendëm edhe rastin e hetimit të ministrit, me këtë rast përmendëm dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Zoti President, duke pasur parasysh debatin që ka shoqëruar zgjedhjen tuaj, keni kaluar momentin më delikat që mund të mendohej në këtë pjesë të parë si President i Republikës, pra debatin mbi Prokurorin e Përgjithshëm, debat që e këni kaluar në fakt shumë shumë më lehtë dhe më butë se sa mendohej. Edhe në takimet individuale që mund të kem pasur me krerë të opozitës nuk shikoj, realisht nuk vë re se ka pasur zhgënjim nga Presidenti Topi. Çfarë ka ndodhur, çfarë ka ndodhur që debati kryesor që ka shoqëruar zgjedhjen tuaj ka kaluar kaq butë?

Presidenti Topi: Ka ndodhur pikërisht ajo që konsiderohet si një proces natyral. Ju i risillni në mendje të gjitha takimet që unë kam patur me të gjithë krerët e partive politike parlamentare, pas zgjedhjes time si President. Nuk mund ta mohoj që një ndër çështjet që ka shqetësuar politikën në përgjithësi ka qenë edhe çështja e institucionit të Prokurorit. Dhe në një nga opsionet e perspektivës, gjithmonë si një mundësi, nëse do të vinte puna për të zëvendësuar Prokurorin e Përgjithshëm, patëm rënë dakord që do të diskutojmë standardet. Dhe standardet kanë qenë publike, kanë qenë standarde të dhëna në mënyrë shumë të qartë, pra një person që duhej të ishte profesionist, sepse përpara këtij procesi kishte shumë hamendje që mund të ishte një njeri që vjen nga politika, një njeri i cili ka një retrospektivë politike edhe në rast se sot i është rikthyer një profesioni të natyrshëm të tij, i cili mund të ketë probleme me drejtësinë, probleme të koniukturave të caktuara. Pra, erdhëm tek standardet, ky njeri vinte nga gjyqësori, profesionist, me një karrierë të shkëlqyer edhe pse të shkurtër, me shkollë magjistrature, me rezultatet të shkëlqyera gjatë gjithë ciklit të shkollës, me një aktivitet konkret edhe në zgjidhjen e çështjeve mjaft të vështira, pa asnjë lloj lidhjeje me politikën, një njeri i respektuar në shoqëri dhe ka qenë një proces hulumtimi edhe në terren, jo vetëm në komunitetin e juristëve, por edhe në qytetin, në komunitetin qytetar ku banon, pra ka qenë një proces, i cili është rezauruar në mënyrë shumë natyrale. Fakti që respektuam standardet, fakti që dhamë një produkt që nuk ka të bëjë fare me politikën në funksion të respektimit të shtetit ligjor ka bërë që është aprovuar në atë detyrë. Nga të gjitha kontaktet që kam patur edhe unë me komunitetin e juristëve, por edhe me qyetarë edhe me politikanë, ka qenë një zgjidhje që është pranuar. Fakti që në Parlament kanë munguar nga krahu i djathtë atë ditë që është bërë votimi për znj. Rama, dhe ajo ka marrë një numër të konsiderueshëm votash, ka marrë vota edhe nga opozita, në një votim me kuti, pra një votim i painfluencuar nga askush, qoftë edhe psikologjikisht. Pra unë mendoj që ka qenë një zgjedhje, e cila meriton realisht të vlerësohet jo si një zgjedhje e Presidentit e thjeshtë, por si një zgjedhje që sipas detyrimit kushtetues që ka Presidenti, brenda standardeve të pranuara nga të gjithë.

Gazetari: Është e vërtetë se kanë votuar dhe anëtarë të kryesisë së PS-së, për znj. Rama si Kryeprokurore, por duke qenë se problemi kryesor i institucionit të Prokurorisë është se minimalisht është ndier nën presion nga politika, në momentin që keni zgjedhur znj. Rama si Kryeprokurore, a keni menduar se një zonjë është paksa e brishtë përpara burrave të fortë të politikës, të cilët për 17 vjet i kanë pasur sytë nga Prokuroria e Përgjithshme?

Presidenti Topi: Unë kam një mendim ndryshe nga kjo lloj psikoze që ngrihet në ambjentet e politikës. Mendoj që një grua me karakter mund ta ushtrojë profesionin e saj shumë më mirë, shumë më ftohtë dhe në rast se do të përdornimin një terminologji të ditës që “nuk është pjesë e drekave dhe e darkave”, ku shpeshherë konsumohen edhe probleme të rëndësishme të shtetit, që është mungesë e seriozitetit në momente të caktuara. Problemet e shtetit janë probleme të zyrës dhe nuk janë të kafeneve dhe për fat keq një pjesë e konsiderueshme e burrave i frekuentojnë kafenetë, drekat dhe darkat. Pra mora një pjesë fare sipërfaqësore të vlerësimit tim. Nga ana tjetër, gratë kanë demostruar dhe kjo nuk është vetëm në këndvështrimin tim por edhe të njerëzve që merren me studime të kësaj natyre, gratë në indeksin e prekshmërisë nga korrupsioni janë më pak të predispozuara për t’u prekur. Pra mund të bënim shumë vlerësime të kësaj natyre dhe unë jam për një ndryshim të një mentaliteti, i cili për fat të keq mbetet një mentalitet ballkanik, ku ka shumë maskilizëm në zotërimin e pozicioneve nëpër institucione, ka nevojë, ka nevojë realisht për pjesëmarrje aktive të femrës dhe duhet me dalë nga terreni verbal në terren konkret. Të gjithë flasin për barazinë gjinore, të gjithë e kanë temë të fushatave elektorale kur shkojnë për t’i marrë votën pikërisht gjysmës së popullsisë dhe pak pastaj aplikohet realisht kur ke diçka në dorë. Gratë kanë mbetur me emra shumë të veçantë. Unë mendoj që jemi në një erë të re, ku i duhet dhënë më shumë besim grave dhe ju siguroj që dinë ta bëjnë punën po aq mirë dhe në momente të caktuara më mirë se sa burrat.

Gazetari: Zoti President, profili juaj tërësisht i hapur ndaj gazetarëve na bën më komod për pyetje. Kontestuesi kryesor i juaji për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë shefi i opozitës, Edi Rama. Z. Rama ka meritën dhe njihet në politikë si personi që stafet e tij i ka ndërtuar kryesisht me zonja. Kur keni përzgjedhur një zonjë për Kryeprokurore, a e keni menduar këtë fakt?

Presidenti Topi: Absolutisht jo! Unë përzgjedhjet e mia i bëj sipas standardeve. Sapo e shpreha dhe nuk e bëj sipas orekseve individuale. Secili, në pozicionin që ka, ka të drejtë të ushtrojë kompetencat dhe vullnetin e tij, predispozicionin, aty ku ai vepron. Unë kam vepruar në bazë të atyre standardeve, të cilat kanë qenë standarde realisht të diskutuara me të gjithë dhe kam qenë i bindur që ky është standardi që kërkohet dhe nga shoqëria sot.

Gazetari: Reforma në drejtësi, ju keni bërë një ftesë publike, madje keni ulur për herë të parë bashkë kryetarin e opozitës dhe atë të mazhorancës, z. Rama dhe z.Berisha. Pardje, Parlamenti i është bashkuar iniciativës së Presidentit, të gjitha grupet parlamentare janë shprehur në bllok se nuk do e bojkotojnë dhe në janar do të nisin intensivisht punën për reformën në drejtësi. A keni marrë garanci nga dy krerët e dy partive kryesore se kësaj radhe deklaratat nuk do të jenë demagogji, por realisht në janar do të kemi fillimin e punës për reformën në drejtësi?

Presidenti Topi: Kjo lloj garancie është dhënë qysh në tryezën e partive politike. Unë e kuptoj që ka pasur edhe probleme politike të akutizuara, të cilat kanë shmangur disi për momentin, por kurrsesi vullnetin që kanë partitë politike. Jo thjesht nga ajo që është demonstruar në tryezë, por edhe nga biseda individuale të realizuara me krerët e partive politike parlamentare, askush nuk është shprehur që nuk është për reformën në drejtësi. Çështja e reformës në drejtësi në fakt duhet vlerësuar pa pozicione partiake nga askush, qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita. Ky është një proces që i intereson të gjithëve, për një shtet ligjor të konsoliduar dhe në funksion edhe të sfidave të integrimit. Kështu që unë mendoj se ky vullnet ekziston. Çështja është që të fillohet sa më shpejt një lloj kombinimi efikas i politikës, Parlamentit që është aktori kryesor, e ritheksoj është aktori kryesor dhe i pazëvendësueshëm. Askush nuk mund të bëjë ligjet jashtë Parlamentit, por të gjitha linjat sinergjiste që kanë të bëjnë me profesionistët, të cilët mund të japin mendime të vyera për komisionet parlamentare do të bënin atë që ligjet të jenë realisht të harmonizuara, por vullnetin politik dhe vulën përfundimtare e jep pikërisht vendimmarrja politike në Parlament. Ajo që unë kam konstatuar ashtu sikurse dhe juve është pikërisht rikthimi tek vullneti dhe besoj për ta realizuar në funksion të sfidave të integrimit. Dhe në prill të vitit 2008 ne kemi sfidën kryesore që ka të bëjë me anëtarësimin në NATO.

Gazetari: Është e vërtetë që në tryezën që keni realizuar për reformën në drejtësi, dy kryetarët e partive kryesore e kanë garantuar Presidentin për të bashkëpunuar për këtë reformë madhore, por sipas opozitës, duke qenë se prekja e institucionit të akuzës në mënyrë të njëanshme, sipas tyre e cënon këtë reformë në drejtësi dhe mazhoranca e prishi paktin. Gjithsesi pardje opozita i është rikthyer bashkëpunimit edhe me argumentin se Shqipëria ka një sfidë mjaft të madhe e cila kërkon reformatë domosdoshme, është fjala për ftesën që Shqipërisë mund t’i vijë në pranverë për anëtarësimin në NATO. Duke qenë se opozita duket se e ka dhënë këtë gatishmëri për t’iu bashkuar këtyre reformave, cili do të jetë roli dhe qëndrimi i Presidentit nëse Shqipëria sërish në pranverë nuk merr ftesën për anëtarësimin në NATO?

Presidenti Topi: Së pari ne shprehim optimizmin tonë, sepse rrjedhja e ngjarjeve që kanë të bëjnë me këtë eveniment është mjaft pozitive, kështu që përsa kohë ke të dhëna pozitive, nuk ke pse të marrësh pozicionin e pesimistit. Unë mendoj që të gjithë faktorët janë në favor të opsionit të marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO. Ju e dini që ne jemi pjesë e Kartës së Adriatikut, “A3”, vërtet vendet tona, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë zhvillime të diferencuara dhe besoj që në momente të caktuara çështja e stabilitetit politik nuk është e njëjtë në të gjitha vendet, mund t’ju siguroj që sot Shqipëria është një faktor i qëndrueshëm politik dhe faktor moderacioni edhe në rajonin ballkanik, sepse janë tre vende ballkanike dhe unë mendoj që janë nota mjaft pozitive që merr Shqipëria, institucionet e saj, jo thjesht për reformat në Forcat e Armatosura, por në radhë të parë për stabilitetin politik dhe të reformave. Fakti që të gjithë faktorët politikë në Shqipëri po shkojnë dhe po sintetizohen tek çështja e reformave ishte pika ndoshta më e dobët në vlerësimin kompleks, unë mendoj se gjithçka po shkon mirë vlerësoj që prilli i vitit 2008 do të na gjejë në një situatë ku ne realisht do të marrim një ftesë. Kjo është një çështje, qoftë në përfundimin pozitiv, qoftë në përfundimin negativ, nuk mund të merret as si atribut, as si dështim i një institucioni. Të gjitha institucionet janë në marrëdhënie të tilla që duhet të funksionojnë në mënyrë të sinkronizuar, sepse ndryshe nuk ke asnjë lloj shansi që të jesh me një produkt pozitiv.

Gazetari: Zoti President, kur shpreheni se të gjitha insitucionet kanë të drejtë nëse e marrim këtë ftesë dhe se të gjitha institucionet kanë përgjegjësi nëse dështojmë në marrjen e kësaj ftese, keni parasysh edhe institucionin e opozitës?

Presidenti Topi: Të gjitha janë institucione. Ju e dini që në çdo shtet demokratik institucioni i parë e i pazëvendësueshëm është institucioni i votës, ç’ka do të thotë që reforma e parë që vlerësohet shumë, është reforma zgjedhore, më pas vjen reforma në drejtësi dhe duhet kuptuar, e kemi thënë dhe herë tjetër që kjo reformë nuk bëhet nga e para, kemi 15 vjet që si shoqëri, si institucione merremi me perfeksionimin e reformës. Pra fakti që konsiderohen të gjitha institucione, insitucioni i mazhorancës, i opozitës, institucionet e shtetit dhe institucionet e partive në përgjithësi, kur them që përgjegjësia, apo vlerësimi në rastin e një përfundimi pozitiv janë të të gjithëve dhe askush nuk duhet të monopolizojë në rastin më të mirë suksesin e një çështjeje të tillë, sepse në vite Parlamenti ka qenë mbështetës në këtë sens, por edhe në rastin e dështimit fajin e ka “x” institucion. Jo, janë të gjitha të organizuara në mënyrë të tillë që duhet të veprojnë në sintoni.

Gazetari: Zoti President, ju shpreheni optimist që në pranverë Shqipëria do ta marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, por përveç faktit që shqiptarët duket se kanë një aleat të madh, që janë SHBA. Folëm për reformën zgjedhore, për reformën në drejtësi, për çështjen e pronave, janë probleme mjaft delikate që Shqipëria duhet të fillojë t’i zgjidhë, apo t’i ketë zgjidhur në pranverën e vitit 2008?

Presidenti Topi: Askush nuk jep afatin e fundit deri në prill, por gjithçka do të shihet se si janë pozicionuar institucionet dhe partitë politike në funksion të këtyre reformave. Pra kanë filluar ta bëjnë, do të shohim peformancën dhe askush nuk i kondicionon që duhet detyrimisht të mbarojë një reformë në prill. Por, e rëndësishme është që të jenë në proces për t’u realizuar, pra vullneti është shprehur, të tregohet që ka një vullnet për ta implementuar hap pas hapi.

Gazetari: Para pak ditësh keni qenë për një vizitë në Irak, ku keni vizituar trupat shqiptare që së bashku me koalicionin ndodhen në Irak. Zoti President, në fakt është vizita e të vetmit President mysliman europian në Irak ...

Presidenti Topi: Unë jam President i Shqipërisë dhe nuk ka sens do të thoja që të vlerësohet edhe një “background” që ka të bëjë edhe me këtë çështje. Cilido që do të ishte në këtë pozicion, në funksion të angazhimit që ka Shqipëria, por edhe me atë pozicion që ka Presidenti që është njëherazi dhe Komandant i Forcave të Armatosura, aty ku ka trupa, është e detyrueshme dhe njerëzore që të shkojë e t’i vizitojë dhe sigurisht që vizita është bërë në një moment mjaft të rëndësishëm, jo thjesht për të qenë oportun me një sfidë që ka Shqipëria për anëtarësimin në NATO, është një detyrim i Komandantit të Përgjithshëm që të shkojë e të takojë trupat, të takojë pikërisht ata oficerë, nënoficerë dhe ushtarë që janë në një mision shumë të rëndësishëm në një vend që ende ka probleme të forta, por mbi të gjitha për të vlerësuar punën e tyre. Ata u dekoruan jo thjesht nga pikëpamja formale, por nga të gjitha informacionet që kemi, informacione që i mora dhe në terren, nga ushtarakët amerikanë që janë shumë me eksperiencë e që thanë fjalët më të mira për kontigjentin shqiptar që po e bën me shumë përkushtim, me shumë karakter dhe me shumë profesionalizëm atë detyrë. Fakti që ata sot janë të barabartë edhe me kontigjentet më të specializuara tregon që edhe ne kemi shansin që të konsiderohemi të integruar.

Gazetari: Kur përmenda “bacground”-in fetar kisha parasysh faktin që mbështetësit e diktatorit Sadam Husein janë munduar t’i japin nuanca fetare kësaj lufte, pavarësisht qëllimit real të Aleancës së Veriut për të luftuar terrorizmin Irak. Fakti që i vetmi President mysliman nga Europa, e theksoj nga Europa shkon dhe viziton përkrah trupave aleate, a ndjeheshit, a keni idenë se jeni më komod se homologët e tjerë në Irak?

Presidenti Topi: Unë nuk e kam bërë asnjëherë këtë lloj vlerësimi. Në çdo moment e konsideroj veten si një qytetar të thjeshtë të Republikës së Shqipërisë, i cili sot është në këtë pozicion, pa iu referuar momenteve të tilla, në mënyrë absolute. Unë sot jam në një institucion, i cili është në një funksion kushtetues për të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh referenca të kësaj natyre. Pra kam shkuar me një pozicion qytetar dhe institucional dhe të thuash që po shkon komod për një fakt ose një tjetër sot në Irak, kur vetëm nga shpërthimet e djeshme janë vrarë 35 vetë do të thotë që je në një situatë kur ti shkon vetëm me detyrimin për me qenë një me trupat shqiptare që janë atje. Nuk mund të ketë moralizime nga larg kurrësesi, por duhet të jesh i drejtëpërdrejtë. Me cilësinë e Komandantit të Forcave të Armatosura nuk mund të bëj vlerësime nga larg, qoftë edhe duke i dekoruar. Duhet të vendoset kontakti direkt për të qenë provë e qartë që je njëlloj si ata. Dje kam qenë qytetar i thjeshtë në pozicionin tim, sot jam në një pozicion tjetër, mbas pesë vitesh shkoj në pozicionin tim prapë. Është shumë e rëndësishme që institucioni të marrë përgjegjësitë e veta qoftë në të mirë, e qoftë në rrezik.

Gazetari: Sapo u shprehët se dje keni qenë si Komandant i Forcave të Armatosura, i thjeshtë në rrezik, njëlloj së bashku me ushtarët tanë në Irak, nga ku sapo jeni kthyer. Cili është mendimi juaj për nivelin e sigurisë aktualisht në Irak?

Presidenti Topi: Sigurisht që Iraku është një vend me probleme, por nga ajo që ne informohemi, por edhe nga informacionet e drejtëpërdrejta në terren, ka një konsolidim të aktivitetit të qeverisë të kryesuar nga zoti Nuri al-Maliki, të cilin unë pata rastin që ta takoj, për të vendosur gradualisht qetësinë dhe stabilitetin në Irak. Ka një ndryshim të situatës, diku në veriun e Irakut kishte më pak probleme dhe problemet kryesisht ishin në zonën rreth kryeqytetit, rreth Bagdatit, por me vendosjen e rregullit gradualisht, problemet duket sikur janë transferuar më shumë në veri, pikërisht rreth Mosulit, aty ku zhvillojnë aktivitetin paqeruajtës trupat tona, ç’ka do të thotë që ka një tendencë pozitive për rikthimin e qetësisë dhe aktivitetit, por duket që situata ende vazhdon të jetë ende problematike, sepse ju duhet ta dini që ka probleme që kanë të bëjnë edhe me konfigurimin etnik edhe fetar, në veri janë kurdët, në pjesën qëndrore të Irakut janë sunitë, ndërsa në pjsën jugore janë shiitët. Ata kanë patur probleme tradicionale, lufta, situata atje i ka agravuar, i ka kthyer edhe një herë në tension, por unë mendoj që gradualisht vendosja e rregullit në Irak po bëhet në mënyrë progresive dhe jam i bindur që me kalimin e ditëve gjendja nuk do të vijë duke u përkeqësuar, por do të vijë duke u stabilizuar, sepse janë çështje të politikës botërore, janë çështje të gjeopolitikës. Ju keni informacionin e duhur që ka probleme të Turqisë me pjesën kurde, ka interferenca të shprehura, ose jo të shprehura nga vendet që janë në kufi, por gjithsesi situata mbetet komplekse dhe politika botërore do të punojë që gradualisht të vendosë jo vetëm ekuilibra gjeopolitikë, por të vendoset edhe stabiliteti në mënyrë graduale, ku po i besohet gjithnjë e më shumë qeverisë së zotit Nuri al-Maliki.

Gazetari: Kalojmë edhe tek çështja e fundit zoti President, tek Kosova. Në fakt Kosova sapo ka mbaruar një palë zgjedhje për fatin e mirë në raport me Shqipërinë, Kosova pas çlirimit ka realizuar vazhdimisht zgjedhje pa probleme. Së shpejti do të kemi qeverinë e re me z. Thaçi në aleancë me LDK-në. Gjithsesi pritet përcaktimi i statusit final, por meqë jemi tek gjeopolitika, jo më larg se para dy ditësh sërish, kryediplomati rus është shprehur ose e ka barazuar çështjen e Kosovës me atë të Iranit dhe të armëve bërthamore. A ju duket se presioni rus minimalisht mund ta shtyjë zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Presidenti Topi: Nuk mendoj më kështu! Pata menduar muaj më parë që do të ketë një shtyrje të natyrshme për t’i dhënë shans bisedimeve shtesë dhe tek e fundit për të vlerësuar edhe një lloj ekuilibri që vinte nga vendet e Këshillit të Sigurimit. Sot nuk ka më asnjë lloj shansi për të marrë pozicione të reja nga ato që janë demostruar. Këtë sot po e pranojnë edhe njerëzit dhe kundërshtarët, politikanët më skeptikë, po e pranojnë që kjo zgjidhje mbetet e vetmja dhe duhet realizuar sa më shpejt. Dhe sot është një provë e qartë e politikës dhe seriozitetit të politikës së Bashkimit Europian. Ju e keni parë që kohët e fundit nuk diskutohet më me muaj, por diskutohet me javë dhe me ditë, ka një ndryshim të rëndësishëm esencial në politikën e Bashkimit Europian, e cila po vjen dhe po vendoset në një zë, për çështjen dhe domosdoshmërinë e marrjes së statusit të pavarësisë nga Kosova. Pra do të thotë se sa më shumë të konsolidohet qëndrimi i Bashkimit Europian, për këtë çështje, sepse në mënyrë të padiskutueshme qëndrimi i SHBA-ve ka qenë konstant dhe kanë qenë promotorë, lokomotivë e këtij procesi, po sot BE po vjen në një zë, përjashto ndonjë shtet të veçantë me shumë probleme siç është Qipro për shembull, ndërsa shtete të tjera e kanë modifikuar, por besoj që edhe këto shtete që mbeten të veçuara, që mund të jenë një ose dy, mund të kalojnë në mekanizmin e abstenimit dhe BE të jetë në një zë për këtë problem. Unë besoj se sa më shumë të konsolidohet ky qëndrim, aq më i largët bëhet zëri i Rusisë për shtyrjen e kësaj situate. Unë mendoj që jemi pikërisht në momentin, ose në momentet kur do të shijojmë vendimin e BE-së dhe të shteteve më demokratike, më influente në rruzullin tokësor për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, gjë që do të kthente në mënyrë definitive stabilitetin në Ballkan.

Gazetari: Kur do të jetë vizita e parë e Presidentit të Shqipërisë në Kosovë?

Presidenti Topi: Unë besoj që edhe kjo është çështje ditësh. Ka të bëjë besoj me ditët e para, pra me muajin janar të vitit 2008. Kam rastin ta them edhe një herë që dëshira ime e madhe ka qenë që vizita e parë, sikurse edhe jam shprehur, të zhvillohesh në Kosovë, por kam qenë shumë i kujdesshëm dhe në marrëveshje të plotë me të gjithë faktorët për shkak të konjukturave që kishte Kosova në bisedime për marrjen e statusit dhe besoj që kemi vepruar në harmoni të plotë me të gjitha institucionet. Ka qenë e mirëkuptueshme dhe mund t’ju them që kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi shumë të ndjeshëm për çështjen e Kosovës. Kudo ku kemi shkuar, jo vetëm unë si President, por të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, gjysmën e kohës së bisedave ia kemi kushtuar çështjes së Kosovës edhe kur aktorët, apo partnerët kanë qenë të interesuar direkt, apo indirekt për këtë çështje, ne nuk kemi rreshtur të diskutojmë për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Ka qenë një rol i natyrshëm që duhet të merrnin institucionet shqiptare, shpresoj që gjithçka po shkon në mënyrën më të mirë të mundur.

Gazetari: Zoti President, pas gjashtë muajsh në Presidencë, sipas një sondazhi të gazetës “Tirana Observer” jeni shpallur “Njeriu i Vitit 2007” dhe vazhdoni të mbeteni politikani më i votuar për këtë vit në Shqipëri. A keni bërë një analizë tuajën? Çfarë ju bën të jeni politikani më i votuar nga shqiptarët?

Presidenti Topi: Në fakt duhet të pyeten njerëzit që intervistohen. Nuk besoj që është moment për të bërë analizën përse të tjerët kanë vlerësuar. Në çdo ditë që kalon unë bëj analizën e pozicionimit të vetvetes në raport me qyetetarët, në raport me ligjin, në raport me institucionet, me nevojat dhe domosdoshmërinë e një klime sa harmonike, të butë në politikën shqiptare, sepse të gjithë aktorët dhe faktorët janë shumë të rëndësishëm. Është e natyrshme dhe është e domosdoshme që të ketë debat politik në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet demokratike. Pa debat nuk ka asnjë lloj shansi për zhvillim. Ky debat duhet të jetë në politikë, ky debat duhet të jetë në media, njeriu bën debat edhe me vetveten në mënyrë të heshtur për çështje, të cilat i ka të dyjëzuara nëse duhet të veprojë kështu, apo ashtu. Kështu që unë mendoj se jemi në një klimë që unë e konsideroj të natyrshme.

Gazetari: Njeriu bën debate me vetveten kjo është e vërtetë, por duke patur parasysh një ndër kontestimet kryesore të opozitës ka qenë se kushdo që mund të zgjidhet President me Kryeminstrin z. Berisha do të ketë konflikte, do të ketë debate. Pas gjashtë muaj President, cilat janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin dhe a mund të themi se vazhdon ai që mund të quhet si “muaj mjalti”?

Presidenti Topi: Unë nuk njihem muajt e fundit me zotin Berisha. Njihem prej shumë vitesh. E rëndësishme është që të vlerësohet në këto marrëdhënie që në pozicione të ndryshme janë ditur të respektohen marrëdhëniet njerëzore. Pra njeriu në marrëdhënie duhet të respektojë në radhë të parë veten dhe pastaj partnerin me të cilin bashkëpunon dhe në rrethana të ndryshme vlerësohen pozicionet të cilat janë specifike, ç’ka do të thotë që në pozicionet e reja që kemi, ruan marrëdhëniet njerëzore më së miri dhe respektohen pozicionet e gjithësecilit, konform asaj që kërkohet nga të gjithë, të respektohet ligji, pozicioni kushtetues, institucional dhe natyrisht jashtë çdo lloj fryme të imponimit reciprok.

Gazetari: Zoti President, gjatë këtyre gjashtë muajve që ju keni raporte të reja institucionale me z. Berisha, a keni pasur debate për probleme të ndryshme?

Presidenti Topi: Jo, nuk mendoj se ka pasur debate të asaj natyre që mund të konsiderohen debate të forta, jo kemi pasur biseda pune, biseda pune të realizuara me mjaft qytetari, me mjaft qetësi. Mënyra e artikulimit në dhënien e një shqetësimi ka të bëjë shumë. Pra një problem mund ta prezantosh me qetësi dhe të zgjidhet po me qetësi. Nuk është nevoja të ngremë zërin, të dalim në publik, për çështje që mund të diskutohen, të debatohen në mënyrë shumë qytetare dhe të zgjidhen.

Gazetari: Pra dhe keni debatuar...

Presidenti Topi: Natyrisht ka patur probleme të cilat i kemi diskutuar, probleme të cilat kanë marrë rrugën e zgjidhjes dhe e vlerësoj këtë në një diskutim shumë qytetar.

Gazetari: Zoti President, urimi juaj për shqiptarët për Vitin 2008.

Presidenti Topi: Urimi im është i thjeshtë. Është një urim që vjen nga zemra e gjithësecilit për një vit të mbarë, në radhë të parë për një vit ku çdo familje shqiptare të ketë shëndet, të ketë lumturi dhe pastaj të ketë patjetër edhe një rritje të mundësive ekonomike të familjeve shqiptare, që për hir të së vërtetës sot kanë situata të diferencuara. Ka mjaft familje që janë në nevojë, ka mjaft familje që janë në hall, por në radhë të parë do të uroja ata që kanë probleme shëndetësore, që të shërohen edhe t’i rikthehen aktivitetit të përditshëm. Patjetër, ekuilibrit të shoqërisë shqiptare do t’i kontribuonin të gjitha këto lloj marrëdhëniesh, kur familja shqiptare të jetë e qetë, të jetë e konsoliduar, natyrisht që edhe shoqëria do të jetë më e qetë, edhe politika do të jetë më e qetë.

Gazetari: Zoti President, faleminderit dhe Gëzuar!

Presidenti Topi: Gëzuar edhe për shumë vjet!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›