Intervista e Presidentit Topi për Televizionin “Ora News”.

8 mars 2008
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha një intervistë për gazetarin Alfred Peza, në Televizionin “Ora News”.
Gazetari, Alfred Peza: Përshëndetje të nderuar teleshikues të Televizionit “Ora News”! Ju ftojmë të na ndiqni në këtë intervistë me z. Bamir Topi, President i Republikës së Shqipërisë. Z. Topi, faleminderit që na ftuat dhe që na pritët t’ju marrim këtë intervistë të shkurtër. Më ka pëlqyer gjithmonë stili juaj i të bërit politikë, një stil i hapur, një stil sportiv, të cilin e keni bërë jo vetëm si politikan partiak, por tashmë dhe prej afro tetë muajsh, si President i Republikës. Tani ka dhe protokoll, ka dhe këshilltarë, ka dhe staf më të madh se sa dikur. Ju kanë këshilluar të mos jeni kaq i zbehtë, apo kaq i pranishëm në media?
Presidenti Topi: Përgjithësisht mundohem që ekuilibrin ta kem natyral, sikurse më duhet që të ruaj masën për të mos u shfaqur më shumë se ç’duhet në media. Më duhet të respektoj dhe kërkesat që vijnë nga kanale televizive dhe nga miqtë. Kështu që në rastin konkret nuk kisha si t’ju refuzoja. Jam në dilemën e mosarritjes së dobët të shfaqjes në media dhe çështjes së respektimit. Mesa duket, mbizotëron kjo e dyta.
Gazetari: Ju falenderoj dhe ndjehem i privilegjuar që ju pranuat sot të intervistoheni nga unë, por dhe nga Televizioni që unë drejtoj. Zoti President, faktikisht, që në vitet ’90 janë krijuar në Shqipëri disa modele presidentësh, krerësh shtetesh, por dhe bota ofron sigurisht më shumë modele. Ka modele presidentësh që dalin në publik shumë rrallë, kur ka festa kombëtare, apo kur dekretohen kryeministra. Por ka edhe modele ekstreme, le të themi si Hugo Çavezi, që rri nja dymbëdhjetë orë përpara kameras për të zgjidhur hallet e popullit live. Ju keni një model apo po krijoni një model tuajin?
Presidenti Topi: Përgjithësisht nuk më pëlqejnë referencat apo modelet. Sikurse thashë pak më parë, mundohem që t’i zhvilloj gjërat në një shtrat natyral. E vërteta është që veprimtaria e këtij institucioni, gjatë periudhës së paku që jam unë në këtë pozicion, ka pasur zhvillime mjaft intensive, që lidhen dhe me një situatë shumë të veçantë në Shqipëri, çështja e Kosovës, çështja e anëtarësimit në NATO, vizita të panumërta, mbrojtja e pozicionit të Shqipërisë, por dhe të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vizita të ndërsjellta. Shpesh herë njeriu mundohet të zhvillojë një aktivitet pa patur parasysh që po aq e interesuar është edhe media për ta pasqyruar atë. Pra, ka një lloj bashkëjetese midis institucionit politik dhe medias. Dhe besoj që këtu plotësojmë një nga detyrimet që ka Institucioni i Presidentit, pikërisht për çështjen e transparencës me publikun. Unë mendoj që çështja e krijimit të një modeli nuk është një çështje që vjen në mënyrë të imponuar apo të motivuar. Në rast se do të marrim në konsideratë atë që thatë ju, nga viti ’90 e deri tani, edhe çështja e kompetencave, por edhe çështja e nivelit të medias në Shqipëri, është shumë e diferencuar. Pra, në vitet ’90, ’92, ’96, kishim një model tjetër të Institucionit, por dhe media nuk ishte aq e zhvilluar, sa ç’është sot. Edhe kërkesat, natyrisht, për shfaqjen në publik janë të tjera sot, dhe unë mendoj që, nuk gjej vend për të bërë referenca apo krahasime. Gjithsesi, mendoj që është një shfaqje normale në publik, por gjithsesi ju keni të drejtë, njeriu ka nevojë të zhvillojë mirë ekuilibrat e gjërave, sepse shfaqja më pak apo më shumë se ç’duhet, nuk është në ato parametrat rregullatorë, që e bëjnë shfaqjen e një institucioni të natyrshëm.
Gazetari: Ju përmendët intensitetin e zhvillimeve që kanë ndodhur kohët e fundit, në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, me Kosovën. Dhe këto ditë, ju kam parë, keni patur një axhendë jashtëzakonisht të ngjeshur takimesh, vizitash nëpër rrethe. Sa intensive është dita juaj e punës? Si është ajo? Kë keni ju prioritet të ditës suaj?
Presidenti Topi: Ditët janë, sikurse thatë, të mbushura me akvititete. Nuk ka një ditë që unë ta përshkruaj në mënyrë skematike, sepse aktiviteti i një dite nuk i ngjan tjetrës. Por përgjithësisht, dita fillon me takime pune të Institucionit, për programimin e mjaft elementëve që nuk janë programuar një ditë më parë; vazhdon me vizitat dhe me bisedat protokollare, por midis ditëve në zyrë, patjetër që duhet të programosh edhe vizita nëpër rrethe, patjetër në aktivitete shumë të rëndësishme ku Presidenti është i ftuar. Natyrisht, duhet bërë një lloj përzgjedhjeje që, aty ku do të shkohet, të mos shkohet për të realizuar një aktivitet rutinë, por për të dhënë një mesazh sinjifikativ për të gjitha fushat e mundshme. Presidenti, besoj që është në një pozicion të tillë që, në shumë aktivitete është i detyruar të marrë pjesë.
Gazetari: Gjithë këto muaj, besoj keni patur kohë të kompletoni stafin tuaj të afërt, këshilltarët e kështu me radhë. Ju në çfarë pozicioni, çfarë modeli lideri jeni? Keni kohë t’i dëgjoni këshilltarët apo vetëm ata ju dëgjojnë juve?
Presidenti Topi: Këshilltari nuk merret për ta këshilluar. Këshilltari merret që të të këshillojë. Eshtë e pamundur: qoftë Presidenti, qoftë një përfaqësues i një institucioni tjetër, e ka të detyrueshme që të marrë këshilltarë të fushave të ndryshme. Problemi është që zgjedhja apo selektimi duhet të jetë shumë i kujdesshëm, sepse ai, së pari, duhet të jetë profesionist, por duhet të jetë dhe njeri kurajoz për t’i thënë titullarit të institucionit, që këtu e ke mirë, këtu e ke keq. Ndërsa predispozicioni i titullarit të institucionit duhet të jetë i tillë që, në një marrëveshje fjale, ai duhet të dëgjojë edhe atëherë kur këshilltari thotë: “shiko se e ke keq!” Pra, problemi është shumë delikat në marrëdhënie me këshilltarët, sepse përveç mendimit që jep këshilltari, patjetë titullari i një institucioni duhet të bëjë analizë më të gjerë, më komplekse. Do të duhet ndonjëherë të marrë vendime, edhe pse këshilla mund të jetë e ndryshme për shkak të situatave, të konjukturave, për të ruajtur ekulibra. Kjo është arsyeja që këshilltarët janë shumë të nevojshëm, janë të domosdoshëm në disa momente, por nuk janë të domosdoshëm për t’u pyetur çdo ditë.
Gazetari: Cilat janë këto momente? A keni ju, të themi, një, dy, apo një minimum çështjesh me të cilat merreni ju dhe vetëm ju?
Presidenti Topi: Problemet janë mjaft komplekse. Eshtë e detyrueshme që për çdo fushë të bësh një dialog, sepse ndryshe nga institucionet e tjera, Institucioni i Presidentit, është vetëm një titullar. Pjesa tjetër është ekzekutivi, është Sekretari i Përgjithshëm. Pra, unë nuk funksionoj me struktura kolegjiale, sikurse operon, supozojmë Këshilli i Ministrave, sikurse operon Kuvendi i Shqipërisë. Unë jam i detyruar të marr vendime brenda kontureve kushtetuese dhe ligjore, por natyrisht, për çështje të cilat unë e kam aksesin për të bërë analizat e mia, do të marr mendime nga këshilltarë të ndryshëm, e në fund fare do të vendos vetë. Asgjë nuk mund të jetë ekskluzive, që nga fillimi deri në fund ta marr vetë në shqyrtim, sepse jam i prirur të dialogoj për çështje që kanë nevojë për t’u biseduar.
Gazetari: Gjithnjë kam dashur t’ju pyes në lidhje me godinën e Presidentit, me godinën numër një të bulevardit qendror të kryeqytetit shqiptar. Por me duket një godinë faktikisht ndër vite e mbyllur për sytë e një mase më të gjerë, sesa e një elite të themi, që ka kontakte pune me ju. Kam parasysh modelin e Shtëpisë së Bardhë, që ështe e hapur për qytetarët e thjeshtë herë pas here, deri tek nxënësit e shkollave, të cilët vijnë dhe shikojnë modelin e qeverisjes së tyre, modelin e ardhshëm, që ndoshta duan t’i ngjajnë një ditë. Pse s’e hapni Presidencën, zoti President?
Presidenti Topi: Unë jam dakord me ju dhe dëshiroj që e ardhmja të jetë ndryshe, që ky Institucion, në orare të caktuara, pa prishur aktivitetin e tij sigurisht, të jetë institucion i hapur. Problemi është që fasada e këtij institucioni ofron tjetër pamje, ndërsa për fat të keq, interiori ka shumë probleme, dhe dëshiroj që të mos krijohet një imazh i keq, përsa i përket kujdesit që vetë shteti ka patur për këtë ndërtesë.
Gazetari: Pra ju druheni, që nëse e hapni tani, njerëzit mund të zhgënjehen apo jo…
Presidenti Topi: Çka do të thotë që ky Institucion ka nevojë patjetër të vijë në standarte, të restaurohet, të rregullohet, në mënyrë që të imponohet si institucion shumë i rëndësisëm i shtetit. Unë e kam thënë dhe herë të tjera që ky element është mjaft i rëndësishëm, jo për komunitetin, por për të treguar fuqinë e Institucionit, për të dhënë në mënyrë të qartë që institucionet kanë jo vetëm aktivitetin e tyre, por edhe estetikën e tyre. Unë besoj se këto gjëra janë futur në rrugën e zgjidhjes dhe shumë shpejt ne do të kemi mundësi të vijmë në atë model, që juve sapo e cituat.
Gazetari: Ju hyni, për mendimin tim, tek ata politikanë, që janë njerëz shumë socialë, që kanë miq, kanë shumë shokë. Por sigurisht, axhenda presidenciale është, dhe intensiteti i punës siç thatë pak më parë, shumë i madh. A ju ka shkëputur qenia President këto muaj pak nga miqtë dhe shokët?
Presidenti Topi: Natyrisht, që ka një situatë të re, që nuk motivohet nga predispozicioni, por motivohet nga vetë aktiviteti, intensiteti i punës në Institucionin e Presidentit. Gjithsesi, jam munduar që të kem kontakte me miqtë, me shokët, me njerëzit, të cilët sot janë nëpër institucione. Këto marrëdhënie detyrimisht duhet të mbahen. Sigurisht nuk mund të mbahen në atë nivel ku kemi qenë, sepse mungon pikërisht ajo që është më e çmuara, mungon koha. Përgjithësisht po, në ndonjë rast edhe mund të interpretohet keq, por gjithsesi vjen një moment që ata e kuptojnë që koha nuk është si më parë.
Gazetari: Një gjë tjetër që ka ndryshuar në punë tuaj, në daljen tuaj, të paktën sa i përket perceptimit publik, është dalja gjithmonë e më shpesh kohët e fundit, që nga koha që u bëtë President, përkrah Zonjës suaj, Zonjës Teuta Topi. Ndjeheni i qetë?
Presidenti Topi: Gjithmonë i qetë jam. Nuk gjej arsye të mos ndjehem i qetë, sepse, sikurse thashë, vetë ndryshimi i veprimtarisë në një institucion ku domosdoshmërisht, në mjaft aktivitete duhet të jesh i shoqëruar me Zonjën, besoj që është një shfaqje mëse natyrale dhe e domosdoshme. Sepse dhe vetë impenjimet janë të tilla që “implikojnë” jo vetëm Presidentin, por edhe vetë Zonjën.
Gazetari: Zonjën tuaj, përkrah punës në Ministrinë e Bujqësisë, në mos gaboj nuk e ka lënë punën, e shoh përherë e më tepër të impenjuar në veprimtari bamirëse, në veprimtari sociale. Është një gjë e brendshme apo protokollare?
Presidenti Topi: Pa pasur një motiv të brendshëm, nuk mund të ngresh asgjë tjetër. Kështu që fillon me një motivim të brendshëm dhe detyrimisht përputhet dhe me Institucionin që ajo sot ka.
Gazetari: Gjithashtu, edhe vajzat tuaja janë në një moshë delikate. Në mos gaboj quhen Nada dhe Etida dhe menjëherë kuptohet që vajzat e Presidentit janë vajzat e Presidentit, qytetarit numër një të këtij vendi. Dhe ndoshta ndonjëherë në fokus të bliceve, të kamerave, si po e përballojnë? Ju çfarë i këshilloni?
Presidenti Topi: Këshilla ime e parë dhe e vetme ka qenë që në mënyrë absolute nuk duhet të ndryshojnë. Pavarësisht se kjo është një situatë e re me impenjimin e babait të tyre, por kurrsesi ato nuk duhet të prishin atmosferën e rinisë së tyre. Pavarësisht se në disa raste edhe teprohet, pikërisht në atë linjë që juve e thatë. Mendoj që asgjë nuk ka ndryshuar. Ato e kanë absorbuar këtë realitet në mënyrë shumë të natyrshme dhe mua më vjen mirë që pikërisht ndodh kështu.
Gazetari: Përveç godinës së Presidencës, kësaj godine ku ne sot jemi për këtë intervistë, ku ju kryeni impenjimet tuaja zyrtare, në dispozicion të Presidentit të Republikës është dhe Vila nr.4, një vilë qeveritare. Por, në sytë e publikut, dhe në informacionet e mia, ju nuk para e frekuentoni. Më shumë duket sikur frekuentoni vilën tuaj personale. Pse kjo përqasje?
Presidenti Topi: Jo nuk para e frekuentoj, por nuk e frekuentoj fare! Bile ka dalë nga detyrimi që ka Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për ta vënë në shërbim të Presidentit. Sot ajo ka marrë një destinacion tjetër. Unë, sikurse dihet, jetoj në shtëpinë time pa shqetësuar askënd, sepse është e natyrshme që, kur je në një funksion të tillë, mund të krijosh probleme dhe për fqinjët, për komshinjtë. Por shtëpia ime është në një vend, ku ne përgjithësisht rrethohemi nga njerëz të familjes, të farefisit në periferi. Dhe besoj që është një vend që së pari të ofron komoditetin që je në ambientin tënd. Së dyti, të ofron të gjitha mundësitë e tjera për të qenë i qetë, për të zhvilluar jo vetëm jetën, por edhe veprimtarinë. Përderisa nuk ka pasur asnjë lloj pengese, unë besoj që, le të vazhdojë në këtë shtrat, në mënyrë shumë të natyrshme.
Gazetari: Pra, Vila 4 ka dalë jashtë funksionit?
Presidenti Topi: Është për funksione të tjera, por jo për mua.
Gazetari: Çfarë funksionesh apo…?
Presidenti Topi: Nuk kam qenë i interesuar për të marrë vesh.
Gazetari: Ju i keni dorëzuar çelësat?
Presidenti Topi: S’kam marrë ndonjëherë çelës që të dorëzojë çelësat.
Gazetari: Një pyetje e fundit në këtë hyrje të kësaj interviste për këtë paketë pyetjesh: Çështja e lukut të Presidentit, por dhe e familjes presidenciale, në të gjithë botën konceptohet edhe si një çështje e shijeve estetike të një populli, mbase shijet politike kur ai është zgjedhur. Ju sa rëndësi i kushtoni dhe a keni estetistë për këtë problem?
Presidenti Topi: Jo, jo, absolutisht.
Gazetari: Kujdeseni vetë?
Presidenti Topi: Kujdesem vetë. Besoj se ruaj një linjë që e kam pasur dhe më parë. Ndoshta mund të kem qenë pak më shumë sportiv, por gjithsesi jam autosufiçent përsa i përket kujdesit për veshjen, për lukun.
Gazetari: Le të kalojmë në pjesën e dytë të intervistës, e cila lidhet me pjesën praktike të detyrimeve tuaja kushtetuese, të detyrave që burojnë nga Kushtetuta për Presidentin e Republikës. Një nga këto detyra është që ju u jepni ose u hiqni shqiptarëve nënshtetësinë sipas ligjit. Përse nuk i jepni zotit Janullatos për shembull nënshtetësinë shqiptare? Ka shkelur ndonjë ligji?
Presidenti Topi: Absolutisht jo! S’bëhet fjalë për shkelje ligji. Por është një gjë që është në proces dhe siç e kam thënë dhe diku tjetër, e them edhe sot se ne kemi vlerësim për zotin Janullatos, i cili realisht ka zhvilluar një veprimtari, që i takon ta zhvillojë në krye të Kishës Ortodokse dhe besoj që ka qenë edhe në këtë pozicion dhe i ka shërbyer Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Problemi është që në marrjen e nënshtetësisë duhen marrë në konsideratë edhe disa ndjeshmëri të brendshme dhe mua më takon që t’i vlerësoj ndjeshmëritë në mënyrë shumë të ekuilibruar. Mund t’ju them që nuk ka asnjë lloj predispozicioni negativ, përkundrazi ka pasur vetëm vlerësim, kam menduar që është çështje kohe edhe në kohë.
Gazetari: Ju do të jeni Presidenti që do të firmosni shtetësinë shqiptare për zotin Janullatos?
Presidenti Topi: Më duket se sapo ju përgjigja se është një çështje në proces dhe sa kohë që nuk kam një vendim definitiv unë nuk mund t’ju them asgjë sot.
Gazetari: Një e drejtë e juaja ligjore është dhe ajo për dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit. Para pak kohësh ju dekoruat pesë ish-deputetë në kohën e Zogut, apo të një periudhe ndoshta pak më mbrapa. Në një ceremoni që u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë dhe që e drejtoi zonja Topalli, opozita reagoi negativisht për një pjesë të të dekoruarve ndërkohë që u hodh pretendimi se ndonjëri prej tyre ishte refuzuar për t’u dekoruar edhe nga ish-presidenti Berisha. Ju jeni penduar, apo jeni koshient që keni bërë një veprim të drejtë?
Presidenti Topi: Së pari, kam respektuar një propozim që ka ardhur nga një institucion mjaft i rëndësishëm, Institucioni i Kryetares së Kuvendit. Së dyti, kam respektuar vlerësimet historike të këtyre personazheve. Së treti, nuk mendoj që nuk mund të jetë në referencën time mënyra e reagimit e individëve të ndryshëm, qofshin këta edhe presidentë dhe miq të mi. Së katërti, besoj se përpara se të marr një vendim, e bëj shumë të konsultuar dhe lë shumë pak shanse për të qenë i penduar. Nisur nga këto pikëpamje mendoj se gjithçka ka qenë në mënyrë shumë korrekte dhe ka qenë e motivuar. Pastaj përsa i përket perceptimit të kraheve të ndryshme të politikës, unë mund të jem komentuar në ndonjë rast edhe nga krahu i djathtë, ndoshta nën zë për ndonjë vizitë në ndonjë drejtim ku ka preferenca të majta. Unë e kam thënë që në fillim që në fillim që me ardhjen në këtë Insitucion . . .
Gazetari: Bëhet fjalë për festat e 28-29 nëntorit?
Presidenti Topi: Bëhet fjalë për disa evenimente që nuk është e nevojshme t’i preçizojmë, thjesht i mora si shembull, si referncë, për të thënë që kam ardhur këtu i motivuar që t’i shërbej Institucionit të Presidentit, që duhet të jetë tërësisht i ekuilibruar pa rënë në paragjykime.
Gazetari: Me propozim të Kryeministrit të vendit, sipas Kushtetuës ju keni të drejtë të emëroni dhe të lironi nga detyra ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik nëpër botë. Ka një kritikë të përgjithshme nga opozita, por edhe një pjesë e mediave në lidhje me nivelin e ambasadorëve dhe të përfaqësuesve shqiptarë, përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Shqipërisë në vende të ndryshme të botës. Ju vetë mendoni se keni emëruar njerëzit më të mirë të mundshëm për të na përfaqësuar?
Presidenti Topi: Unë jam në një process finalizimi të një procedure relativisht të gjatë. Për ata që nuk e dinë unë do ta shpejgoj shkurtimisht që kjo procedurë fillon tek Ministria e Jashtme, kalon në Kryeministri, kalon dhe ratifikohet në Komisionin e Politikës së Jashtme në Parlament dhe vjen dhe finalizohet tek Presidenti. Pra, përgjithësisht unë kam parë procedurat administrative dhe vlerësimin që kanë bërë strukturat për secilin kandidat për të qenë ambasador dhe nuk më ka rënë rasti që të jem firmosës i shumë dekreteve për emërim ambasadorësh. Periudha ka qenë e shkurtër, unë më shumë e kam ndjekur këtë situatë, sigurisht që pajtohem me disa raste që niveli i përfaqësuesve diplomatikë duhet të jetë më i lartë për të qenë vazhdimisht në kohezion edhe me institucionet e tjera, që sidomos në disa vende ka nevojë për një fuqizim të stafit, për shkak edhe të marrëdhënieve specifike që ne kemi, edhe rajoni ka nevojë gjithashtu që të forcohet dukshëm përfaqësimi diplomatik, kështu që nga kjo pikëpamje janë të gjitha veprime që do të kontribuojnë brenda hapësirave për të rritur nivelin, apo cilësinë e përfaqësimit diplomatik.
Gazetari: Pra ju na latë të kuptojmë që gjatë periudhës kur ju do të keni më shumë mundësi për të dhënë kontributin tuaj kushtetues në këtë linjë, në këtë drejtim, do të shikojmë që në emërime ambasadorësh ndoshta të një niveli më të mirë?
Presidenti Topi: Unë besoj që po, sepse edhe kërkesat rriten. Të jesh një vend, që besoj se do të jemi anëtar i NATO-s, të jesh një vend ku rriten mundësitë për t’u futur në Bashkimin Evropian, detyrimisht duhet të kesh përfaqësues shumë cilësorë. Çështja vërtet është tek selektimi që ti ke mundësi, por edhe mundësitë janë relative. Kini parasysh, jo çdo njeri mund të ketë potencialet e duhura dhe mund të jetë i predispozuar për të punuar si përfaqësues diplomatik. Sot interesat janë shumë variabële, janë shumë të ndryshme, dikush ka interes të punojë në një sektor, dikush në sektorin privat, dikush ka dëshirë të punojë në shërbimin diplomatik, pra, konsideroni që ne zgjedhim brenda një kontigjenti. E rëndësishme është që të ruhen raportet ndërmjet kontigjentit të karrierës diplomatike dhe kontigjentit tjetër. Ka një raport të caktuar ku politika duhet të jetë shumë e vëmendshme që të mos abuzojë.
Gazetari:Çfarë marrëdhëniesh keni me shefin e shërbimit sekret shqiptar zoti President? A jeni i kënaqur me punën e stafit drejtues të këtij shërbimi?
Presidenti Topi: Sigurisht që janë marrëdhënie pune, që e lidhin atë institucion me Institucionin e Presidentit, nuk jam futur në analiza, apo në një trajtim analitik të realitetit, duke ruajtur absolutisht të drejtën që ka ky institucion për të kooperuar si një institucion i pavarur dhe besoj që në të gjitha kontaktet kam kërkuar shumë profesionalizëm dhe shmangie sa më shumë të jetë e mundur nga frymëzimet politike që do ta bënin këtë institucion shumë të kompromentuar.
Gazetari: Realisht ky institucion është i shmangur aq sa duhet nga frymëzimet politike?
Presidenti Topi: Nuk mund të kesh institucion në Shqipëri që të jetë i pastër totalisht nga influencat politike. Të bëjmë një trajtim realist dhe me këmbë në tokë. Por, e rëndësishme është që çdo ditë këto institucione kanë nevojë të maturohen, ç’ka do të thotë që ato do të vendosin një status, që pavarësisht si vjen rotacioni i pushtetit politik në Shqipëri, këta njerëz duhet t’i shërbejnë sigurisë kombëtare, sigurisë publike, institucione të cilat janë ndërtuar me ligj dhe duhet ta respektojnë ligjin si të gjithë. Pra, ka shumë rëndësi që ajo që është në aparencë, që këto institucione presupozohet të jenë të shkëputura nga politika, duhet të jenë dhe realisht. Dhe ne punojmë çdo ditë që këto institucione t’i shmangen politikës, sepse duke iu shmangur politikës në trajtimin e problemeve, bëhen më profesionistë, bëhen më të besueshëm, bëhen më efikasë.
Gazetari: Meqë jemi tek Shërbimi Sekret, pak ditë më parë ju dhatë një intervistë në “Top-Channel” zoti President dhe aty deklaruat që është interceptuar në Shërbimet Sekrete një bisedë mes një gazetari dhe një agjenti serb. Për çfarë konkretisht bëhet fjalë dhe çfarë bëri Shërbimi sekret Shqiptar në këtë rast?
Presidenti Topi: Unë zoti Peza e kam përdorur në një kontekst të caktuar në funksion të atij emisioni dhe kureshtjes së gazetarit të atij emisioni për të vazhduar bisedën. I jam përgjigjur me një përgjigje përmbyllëse, pra nuk shkon më tej, sepse ka disa kufij. Por, shumë e rëndësishme është që gjërat duhet të sinkronizohen për çështje ku interesi kombëtar mbizotëron mbi çdo interes tjetër. Pra, nuk është problemi se si e artikulon frazën Kryetari i sShtetit, Kryetari i Qeverisë, politikanët, e rëndësishme është që sa në sinkron vijnë edhe mediat për çështje të kësaj natyre. Kështu që unë e kam përdorur në një kontekst të caktuar dhe besoj që ka qenë i vlefshëm për ta hedhur në publik në funksion të asaj që unë kam kërkuar që të dalë.
Gazetari: Shërbimi Sekret e bëri detyrën?
Presidenti Topi: Patjetër që Shërbimi Sekret e bëri detyrën dhe vazhdon ta bëjë detyrën edhe më tej.
Gazetari: Edhe më tej ...?
Presidenti Topi: Edhe më tej.
Gazetari: Besoj se do të presim ndoshta shumë vjet për të marrë vesh diçka për një çështje të tillë, ose ndoshta nuk është aq e madhe se ne do të duam ta bëjmë?
Presidenti Topi: Jo, problemi është se fakti që juve po kërkoni që të ridalë kjo çështje ...
Gazetari: Jo, unë doja ta mbyllja ...
Presidenti Topi: Jo, nuk mund të mbyllet duke rikërkuar që të hapet, sepse unë e kam mbyllur atë çështje. Problemi është i tillë që Shërbimi, institucionet duhet të jenë shumë të kujdesshme për t’i trajtuar gjërat në mënyrë shumë të analizuar, sepse e ripërsëris, kjo do të vlejë edhe për të ardhmen. Kur gjërat kanë interes madhor kombëtar, e rëndësishme është që të gjithë të shkojnë në sinkron. Në rast se ndonjë individ kërkon që të hedhë gurë në rrota, është e detyrueshme t’ia bësh të ditur, pavarësisht se sot janë liritë dhe të drejtat, jemi në demokraci, pozicionet mund të mbahen si të duam, por ka disa çështje që janë mjaft delikate. Së paku nuk duhet të ketë një lloj ambiguiteti, apo hipokrizi që ndryshe hiqen në publik dhe ndryshe veprojnë nën rrogoz. Megjithatë unë mendoj që e zgjatëm paksa shumë këtë pikë, pasi unë mendoj që e kemin konsumuar në një emision tjetër.
Gazetari: Shpresojmë. Një e drejtë tuaja kushtetuese është edhe dekretimi i Kryetarit të Akademisë së Shkencave. Pse refuzuat të firmosni për zotin Mejdani, një nga paraardhësit tuaj?
Presidenti Topi: Së pari, unë nuk kam shprehur asgjë publike për ta konsideruar refuzim. Absolutisht! Këtu ka pasur një komunikim zyrtar që kishte të bënte me rregullin që të impononte jo vetëm ligji, por edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Për të qenë më i qartë, më eksplicit, Akademia e Shkencave, para se të bënte zgjedhjen për Kryetarin e ri, duhet të plotësonte detyrimin që vinte nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të kompletuar Asamblenë. Në mënyrë që të ishte Asambleja e kompletuar, që të realizoheshi kuorumi për të bërë zgjedhjen e Kryetarit të ri. Një zgjedhje që është nën kuorum, natyrisht që është e pavlefshme. Ndërkohë që erdhi një iniciativë tjetër nga Kuvendi i Shqipërisë, që e bëri të pavlefshme atë procedurë dhe e futi në një rrjedhë tjetër. Nuk bëhet fjalë për konsiderata, apo parapozicionim lidhur me zotin Mejdani, në mënyrë absolute.
Gazetari: Pra kushdo që të ishte i propozuar në atë mënyrë nuk do të aprovohej ... ?
Presidenti Topi: Absolutisht, absolutisht! Këtu është çështje ligji dhe çështje parimi. Nuk është çështje vlerësimi për individin, sepse unë në mënyrë absolute nuk kam shprehur asgjë në sensin individiual për parametrat e atij individi, jo!
Gazetari: Pra nuk ka, qoftë për bindje politike...?
Presidenti Topi: Në mënyrë absolute, jo!
Gazetari: Janë thjesht indikacione ligjore ...
Presidenti Topi: Unë po ju them sot dhe e deklaroj publikisht: nëse Profesor Mejdani do të vijë mbi bazën e ligjit dhe të rregullit të ri, midis dy- tre kandidaturave, unë nuk mund të them sot se ç’lloj përzgjedhjeje do të bëj, por të jeni të sigurtë që do ta shoh me shumë gadishmëri për të vlerësuar figurën e tij shkencore.
Gazetari: Pra ju deklaroni se mund të firmosni pa mëdyshje për zotin Mejdani si Kryetari i Akademisë së Shkencave ...?
Presidenti Topi: Absolutisht! Në rast se, unë natyrisht do të bëj vlerësimin relativ, sepse gjërat nuk janë absolute në një linjë, por kam predispozicionin për të qenë objektiv, sepse dal edhe një herë në atë çfarë deklarova, jam në këtë pozicion për të qenë shumë i ekuilibruar për çështjet që kanë të bëjnë me pozicionimet, apo “background”-in politik. Unë jam marrë për një kohë shumë të gjatë me kërkime shkencore, e vlerësoj figurën e Profesor Mejdanit. Kemi pasur kontakte jashtë politikës edhe në funksion të kërkimit shkencor, besoj që ky kontakt do të vazhdojë dhe jam i prirur që të bëj një zgjedhje që të jetë në funksion të atij institucioni.
Gazetari: Meqënëse jemi tek ish-presidentët, në një intervistë të para pak javësh me ish-presidentin Moisiu, më deklaroi që ju i keni dhënë fjalën që do të merreni me çështjen e statusit të ish-drejtuesve më të lartë të shtetit, për trajtimin e tyre më dinjitoz. Çfarë po bëni?
Presidenti Topi: Unë e kam shprehur këtë lloj predispozicioni që ta trajtoj edhe këtë çështje, por nuk është detyrë, apo funksion i Institucionit të Presidentit për t’u marrë me statusin e ish-presidentëve. Këtë çështje e ka Qeveria, e ka Parlamenti, unë mundem vetëm t’i jap një suport këtij problemi dhe unë nuk dëshiroj të dal tek retrospektiva se pse nuk është bërë më parë kjo gjë, por që është e nevojshme të bëhet. Statusi i një institucioni kaq të lartë, sikurse është statusi i Presidentit, sikurse është dhe detyrimi për të rregulluar me ligj Institucionin e Presidentit, unë besoj që është e nevojshme që të realizohet.
Gazetari: Përse nuk bëhet ky ligj?
Presidenti Topi: Tani vlerësimi duhet bërë për gjithkënd.
Gazetari: Është e çuditshme që në një vend, që prodhon kaq shumë ligje, të mos ketë një ligj për vlerësimin e funksionimit të Presidencës dhe të Presidentit!
Presidenti Topi: Këtë, pa më bërë pyetjen ju, unë e kam shprehur si një shqetësim, por besoj që do të vijë momenti shumë shpejt që do të jetë e nevojshme që edhe Institucioni i Presidentit të rregullohet me ligj. Unë besoj që i është lënë më shumë hapësirë funksionale këtij institucioni, duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjit, ndërkohë që vetë Institucioni, sikurse kanë të gjitha institucionet e tjera, duhet të ketë një rregullator që të jetë i bazuar në ligj, që të konsiderohet si një ligj organik, që të rregullojë strukturën dhe aktivitetin e tij.
Gazetari: Ju gjithashtu zoti President jeni edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë një institucion i rëndësishëm përsa i përket vendimmarrjeve të ndryshme në lidhje me sistemin gjyqësor dhe me me sistemin e drejtësisë në përgjithësi. E konsideroni reformimin e këtij sistemi si një nga prioritetet, apo një nga sfidat tuaja?
Presidenti Topi: Besoj është një prioritet i shprehur, jo vetëm nga detyrimi që i vjen këtij institucioni, por edhe nga një shqetësim mbarëshoqëror, por besoj edhe si një shqetësim i institucioneve shqiptare që monitorojnë veprimtarinë e institucioneve në Shqipëri. Jemi në një proces të vështirë, por fatmirësisht në një proces që ka filluar mirë, duke filluar me një akord të partive politike, me aprovimin e një ligji për gjyqësorin, por që gjithësesi nuk përfundon këtu, sepse do të ketë ligj për KLD-në, do të ketë ligj edhe për institucionet e tjera, për Prokurorinë. E rëndësishme është që të arrijnë në parametra dhe standarde ku domosdoshmërisht do të lindë nevoja edhe për rritjen e kualiteteve të njerëzve që operojnë në këto institucione.
Gazetari: Meqë jemi tek sistemi i drejtësisë, tek sistemi gjyqësor: një nga elementët që qytetarët shqiptarë shpeshherë perceptojnë, kjo del edhe nga anketat, kjo del edhe nga raportet e ndryshme, çështja e korrupsionit. Thuhet gjithmonë që të bëjmë reforma, çdo president, çdo kryetar, apo zv/kryetar i KLD-së që vjen dhe ikën. Ka në çështje të parë reforma, reforma, por në përgjithësi, nuk dua të them këtë pjesë të tanishme të drejtimit të KLD-së, por në përgjithësi ekziston si një lloj kulture kjo dhe që i percepton reformat në ndryshime njerëzish, pra në heqjen e disa njerëzve. Gjykoj që duhet ndërtuar, mendoj unë një sistem, i cili duhet të jetë një piramidë antikorpesh që nuk do ta lejojë këtë sistem të kalbet nga fenomenet, të cilat nuk e bëjnë atë efiçent në shërbim të qytetarit. A po punohet në këtë drejtim?
Presidenti Topi: Unë besoj që po punohet në mënyrë shumë harmonike. Ju e keni parë që lëvizja e njerëzve nga drejtësia ka ardhur mbi bazën e ligjit dhe të vendimeve të KLD-së, të cilat janë bazuar në ligj. Por besoj që ka pasur një kufizim të mandatit të tyre, për ta rifilluar procesin. Të gjithë kanë aksesin e nevojshëm që të futen në garë dhe të mund të arrijnë ta fitojnë atë post, ç’ka presupozon që sot ka disa standarde dhe standardi i parë është patjetër standardi që ka të bëjë me pastërtinë e tyre, integritetin e tyre, me predispozicionin e tyre pozitiv për të qenë larg, apo jashtë influencave të politikës, për të qenë të vlerësueshëm nga komuniteti i tyre. Kjo është arsyeja që sot jemi në një proces ku përfaqësues të KLD-së po shkojnë në çdo gjykatë të vendit dhe po realizojnë takime të hapura. Kjo është më e vlefshme në qytetet e vogla, ku njerëzit njihen, proceset gjyqësore njihen shumë mirë, objektiviteti i gjykimit njihet shumë mirë, por kjo do të jetë shumë e vlefshme edhe për qytetet e mëdha. Ju e dini se si janë proceset gjyqësore. Ka raste kur fillon një proces gjyqësor dhe zvarritet pa fund, saqë humb besimi se ky proces do të përfundojë ndonjëherë. Pa marrë parasysh këtu objektivitetin dhe realizmin e gjykimit ...
Gazetari: Një zotëri që kishte 11 vjet një proces gjyqësor, kur e kishin pyetur fëmijën e tij se ku i punonte i ati, ishte përgjigjur “në gjyq”! Kështu që besoj se kjo gjë duhet zgjidhur urgjent.
Presidenti Topi: Unë besoj që është një shqetësim i përgjithshëm, një nevojë dhe domosdoshmëri që ky rrjet i institucioneve të drejtësisë duhet të ndryshohet, duke u bazuar mbi bazën e ligjit sigurisht, patjetër edhe në imazh. Imazhi vjen kur në këto institucione do të punojnë njerëz të përkushtuar, njerëz me integritet dhe njerëz që janë profesionistë.
Gazetari: Dhe një pyetje të fundit për këtë paketë pyetjesh në lidhje me detyrat dhe detyrimet tuaja kushtetuese. Një pyetje që ndoshta do edhe një përgjigje të shkurtër edhe të drejtëpërdrejtë. A jeni penduar që keni shkarkuar zotin Sollaku nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm?
Presidenti Topi: Jo! Deshët një përgjigje të drejtëpërdrejtë! Natyrisht që nuk ka asnjë lloj pendese, sepse gjërat nuk janë bërë të sforcuara, përkundrazi janë bërë me shumë kujdes, mbi bazën e konsultimeve të gjera me juristë. Unë kam pasur mundësinë që të shprehem publikisht. Nuk kam pasur asnjë lloj paragjykimi që lidhet me pozicionin politik të mëparshëm, sikurse është munduar ta interpretojë dikush. E kam mbajtur atë çështje për një kohë të gjatë në Presidencë, aq sa disa personazhe të politikës, të krahut të djathtë ishin të shqetësuar që përse po qëndron kaq gjatë kjo procedurë në tryezën e Presidentit. Unë kam dhënë argumenta dhe besoj këto argumenta qëndrojnë sot e kësaj dite. Natyrisht procesi është në Gjykatën Kushtetuese do t’ia lemë institucionit të gjykojë për të krijuar pikërisht atë fizionomi që duhet të ketë një shtet i së drejtës, një shtet demokratik që është balanca e institucioneve. Pra, është e drejta e Institucionit të Presidentit, si institucion i pavarur dhe kushtetues, për të mbajtur një qëndrim, por edhe ky institucion supervizohet, vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.
Gazetari: Kemi një kazus në planin kushtetues në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, në raport me një ish-prokuror tjetër të Përgjithshëm, në lidhje me zotin Rakipi, e cila “de facto” e sjell në detyrë. Por, nëse Gjykata Kushtetuese këtë radhë i jep të drejtë zotit Sollaku, si do të veproni?
Presidenti Topi: Unë besoj se nuk është ekskluzivitet i Institucionit të Presidentit për të marrë në konsideratë një situatë të tillë. Le të presim se çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese, pastaj gjërat do të hynë në rrafshin e tyre zyrtar, por nuk besoj që të ketë një veprim retrograd, kur gjërat duhet të kthehen në të kaluarën, në atë pozicion që ishim.
Gazetari: Janë ligjet ato që na detyrojnë të presim edhe ne në këtë intervistë. Në pjesën e tretë të saj, tek politika, tek qënia juaj politikan. Pak ditë më parë, në një intervistë në një gazetë, analisti i njohur Mero Baze deklaroi që i vetmi rival i zotit Berisha në Partinë Demokratike është zoti Topi. Ndani të njëjtin mendim edhe ju me zotin Baze për këtë çështje?
Presidenti Topi: Kaq muaj sa jam në Presidencë presupozohet që unë nuk jam më strukturë e Partisë Demokratike. Kështu që unë jam shumë i mirëkuptuar kur vlerësimet që bëjnë analistët janë vlerësime që bëjnë ata. Unë nuk shoh asnjë lloj sensi për t’u kthyer në situatat e rivalitetit brenda Partisë Demokratike. Sapo kam filluar, janë 6 muaj në këtë institucion, dhe sipas afateve kushtetuese, në rastin më të mirë janë dhe 4 vite e gjysmë për të përmbushur këtë. Kështu që më duket që dhe referencat duhet të jenë edhe në funksion të pozicionit e të kohës.
Gazetari: Pra, ju nuk thoni që nuk jeni në një mendje me z. Baze, por është detyra e...
Presidenti Topi: Jo, është e drejta absolute e zotit Baze, dhe cilido analist të bëjë interpretimet dhe analizat e veta, ndërkohë që pozicionimi im është i qartë. Jam në këtë Institucion, i cili detyrimisht, edhe për ligj, por edhe për moral, duhet të jetë jashtë aktivitetit të partive politike.
Gazetari: Sigurisht është pak e vështirë puna e një gazetari në këtë terren, kur ka përballë Presidentin e Republikës, i cili nga pikëpamja formale kushtetuese, por edhe jo formale, sigurisht, duhet të qëndrojë mbi palët, mbi partitë e kështu me radhë. Por, gjithsesi, zoti Topi, ju keni qenë një nga politikanët më popullorë të së djathtës dhe Nënkryetar për shumë vite i Partisë Demokratike, dhe spostimi juaj nga ky pozicion për në Presidencë, gjithsesi ka krijuar, besoj dhe me siguri, dhe një lloj boshllëku atje. A mendoni se kjo ka prishur dhe ndonjë ekuilibër të brendshëm dhe a është në gjendje Partia Demokratike ta rikuperojë? Ka njerëz, ka individë, ka politikanë të tillë që të mund të mbushin këto boshllëqe?
Presidenti Topi: Të flasim në parim, të mos flasim në funksion të situatës në PD, sepse nga ky pozicion unë nuk mund të flas. Për çështje parimore, të gjitha lëvizjet krijojnë një disbalancim të momentit. Këto gjëra janë momentale. Por, ju e dini fare mirë që asgjë nuk vepron në vakum. Asnjë boshllëk nuk krijohet afatgjatë, gjithçka mbushet. Jeta është në evolucion, në dinamizëm. Askush, në mënyrën më absolute, në këtë botë nuk është i pazëvendësueshëm.
Gazetari: Çuditërisht po më jepni të njëjtën përgjigje që më dha zonja Jozefina Topalli!
Presidenti Topi: Jo, është parim, është parim.
Gazetari: Në një intervistë që bëra dhe e pyeta pikërisht për këtë gjë.
Presidenti Topi: Zoti Peza, është parim. Cilido që thotë të kundërtën gabon. Askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Gazetari: Pra, zonja Topalli paska të drejtë!
Presidenti Topi: Së pari, i jap të drejtë vetes që jua shpreha pa marrë parasysh asnjë referencë tjetër, sepse është parim bazë, që në këtë botë askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Gazetari: Meqë jemi tek zonja Topalli: çfarë marrëdhëniesh keni me të? Përflitet sikur keni patur një lloj rivaliteti, një lloj ftohjeje. Këto janë më shumë ato bisedat më shumë informale që zhvillohen. Si është realiteti faktikisht?
Presidenti Topi: Nuk ka asnjë bazë reale. Mbizotërojnë marrëdhëniet institucionale dhe janë korrekte.
Gazetari: Po marrëdhëniet me Berishën, si i keni zoti President? Flitet se pasi jeni zgjedhur President, i keni më të afërta se ç’i kishit përpara?
Presidenti Topi: Besoj që janë marrëdhënie pune dhe mjaft konstante. Kemi takime pune, të detyrueshme për të qenë takime pune, por kemi ruajtur të njëjtat marrëdhënie njerëzore. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra, këto marrëdhënie njerëzore nuk varen nga katapultimet apo pozicionimet. Ato marrëdhënie që kemi pasur, ato kemi. Dhe konstantja në marrëdhëniet njerëzore është shumë e vlerësueshme.
Gazetari: Si funksionon raporti President – Kryeministër?
Presidenti Topi: Besoj që është një marrëdhënie shumë e natyrshme, ku të gjitha procedurat, sidomos procedurat e rëndësishme diskutohen, dhe patjetër që, secili ka hapësirën e vet të veprimit. E rëndësishme, vetëkuptohet, që nuk ka imponime reciproke. Secili vepron në linjën e tij dhe kemi besoj mirëkuptim, në hapësirat e veprimit që konsiderohen hapësira ligjore.
Gazetari: Sigurisht që Kushtetuta dhe detyrat tuaja të përditshme, dhe problemet e ndryshme që lindin në menaxhimin e detyrës së Presidentit, ju bëjnë që të keni marrëdhënie pune intesive ose jo herë pas here me Kryeministrin. Si ju duket si Kryeministër ? Sa bashkëpunues është zoti Berisha?
Presidenti Topi: Unë besoj që jemi në kufijtë e një bashkëpunimi normal. Nuk ka pasur asnjë rast kur zoti Berisha të mos ketë treguar predispozicion për të diskutuar çështje të rëndësishme e për të bashkëpunuar. Duhet ta dini që bashkëpunimi me qeverinë është mjaft kompleks. Pra, ka bashkëpunim drejtpërdrejt me Kryeministrin, por ka dhe bashkëpunime nëpërmjet ministrave, ku bashkëpunimi me Ministrin e Jashtëm, me Ministrin e Mbrojtjes, sidomos për rrethanat e konjukturat politike, kanë qenë të tilla, dhe ndërkombëtare, përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kanë qenë mjaft intensive.
Gazetari: Kam dashur t’ju pyes gjithmonë për një çështje që në pamje të parë duket delikate, por për politikanë të natyrës suaj, nuk më duket dhe aq. Jeni ndoshta i vetmi politikan që, keni arritur të ulni në një tryezë kryetarin e opozitës, zotin Edi Rama, kryetarin e Partisë Socialiste për të qenë më të saktë, me zotin Berisha. ǒmarrëdhënie keni me zotin Rama? Çfarë ju bashkon?
Presidenti Topi: Detyrimi për të respektuar të gjithë faktorët e politikës, jo thjesht në pozicionin e Kryetarit të Partisë Socialiste, partisë më të madhe të opozitës, por edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës në mjaft çështje, në mjaft probleme. Unë besoj që këto marrëdhënie, jo vetëm që janë normale, janë korrekte, por duhet patjetër të përmirësohen. Sepse do të jenë kontribut për të gjithë klimën politike në Shqipëri. Faktorët e politikës e kanë të domosdoshme që të dialogojnë. Presidenti, herë pas here, futet më shumë për të shtuar klimën e mirëkuptimit për çështje të rëndësishme. Por ajo që unë kam konstatuar, sidomos kohët e fundit në politikë, ky lloj motivimi dhe predispozicioni për të rritur dialogun është vetë tek liderët e partive politike. Pra, unë, që kam një eksperiencë të gjatë, relativisht të gjatë në politikë, shoh që ka një maturim të klimës politike dhe partive politike, pavarësisht që ka dhe mjaft debate.
Gazetari: Sigurisht, ndoshta rrallëherë ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar që politika të jetë njësh për një kohë relativisht të gjatë, sigurisht për çështje shumë të rëndësishme, si çështja e Kosovës, çështja e Samitit të Bukureshtit, çështje të integrimit. Një pasqyrë krejt e kundërt ndoshta, me shumë e shumë vite më parë, por dhe me 10 vjet më parë. Pse ndodh kjo?
Presidenti Topi: Kjo ndodh, ose më mirë ndodh ajo që ka ndodhur tek çdo individ. Ndodh në jetën private, ndodh në biznes, ndodh në politikë. Njeriu s’mund të jetë ai që ka qenë. Tenton të evoluojë, tenton t’i kapë standartet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe përderisa para nesh referencat janë shumë të qarta, qoftë në NATO, qoftë në Bashkimin Evropian, çdo njeri e ka më të lehtë, por e ka të detyrueshme që të ratifikojë pozicionin, të reformojë pozicionin. Unë them që kjo ka ndodhur në një periudhë shumë, shumë të shpejtë.
Gazetari: Besoj që të zgjasë e të thellohet, nëse do të jetë në të mirë të të vendit.
Presidenti Topi: Dinamika e këtyre lëvizjeve të bën të shpresosh shumë që klasa politike shqiptare do të dijë të zgjedhë dhe sistemin elektoral më të përshtatshëm, sepse është thënë vazhdimisht, dhe kështu është, në rast se ne do të zgjedhim sistemin e duhur, do të bëjmë zgjedhje të lira e demokratike, ne do të prodhojmë institucionin bazë që është…
Gazetari: Do të vijmë pak më vonë te kjo çështje. Kam dashur t’ju pyes, më ka bërë pak çudi, raporti juaj me Ilir Metën, një nga politikanët e të majtës nga më të rëndësishmit, por njëkohësisht dhe nga më pragmatistët. Por, kur ka ardhur puna për çështjen e gjashtë deputetëve të majtë që kanë votuar pro jush për President, ka qenë kategorikisht, në mënyrë të prerë kundër. Si i keni marrëdhëniet me zotin Meta?
Presidenti Topi: Normale. Unë nuk kondicionoj marrëdhënie mbi bazën e reagimit politik në një moment të caktuar. Kështu që unë nuk i referohem atij momenti. E rëndësishme është që Presidenti dhe kryetarët e partive politike të kenë dialogun, gjuhën e dialogut, për të trajtuar probleme të karakterit parimor, ndërsa çështja e taktikave politike është një çështje që ekskluzivisht u takon partive politike respektive.
Gazetari: Meqë përmenda pak më parë gjashtë deputetët e së matjës që votuan pro jush për President, një votë, e cila është lexuar në mënyra të ndryshme nga kahe të ndryshme, por ajo që nuk ka ndryshuar tek askush, ka qenë vetëm një element: të gjashtë këta konsiderohen nga të gjithë si mbështetës të Fatos Nanos. Kam dashur t’ju pyes, si i keni raportet? Besoj se i keni pak më të mira, qoftë për këtë fakt, se me zotin Rama apo me zotin Meta. Çfarë bisedoni me zotin Nano?
Presidenti Topi: Unë me zotin Nano mund të jem takuar dy-tre herë, këtu, në Institucionin e Presidentit.
Gazetari: Që nga koha kur ju jeni bërë President i vendit?
Presidenti Topi: Po, po!
GazetariNjësoj si me të tjerët, apo jo?
Presidenti Topi: Jo, jo, jemi në ato kuota, nuk ka asnjë lloj eksesi apo rritje të interesit për të takuar zotin Nano më shumë se të tjerët. Pra, besoj që kanë qenë takime normale. Nuk kam patur asnjë lloj synimi për të rritur bashkëpunimin, sepse gjashtë deputetë erdhën e votuan. Unë e konsideroj zotin Nano një personazh të politikës, me mjaft eksperiencë dhe takimet natyrisht do të jenë dhe në të ardhmen, pa u varur nëse ka probleme brenda politikës së një grupi të caktuar ose jo. Këto takime do të jenë të kërkuara si nga unë, si nga personazhe të jetës politike, pa asnjë lloj paragjykimi.
Gazetari: Zoti Nano në fakt nuk është veç se një deputet i thjeshtë, por gjithsesi është një politikan me karrierë, ka qenë disa herë kryeministër, kryetar për 15 vjet i një nga partive më të mëdha në Shqipëri. Gjithsesi, kaq shpesh takoni sa dhe Nanon, edhe deputetë të tjerë?
Presidenti Topi: E kisha një argument për t’jua thënë, por ju i parapritë me pyetjen. Ka deputetë, të cilët kanë vetëm emrin e tyre, çka do të thotë që nuk kanë qenë personazhe të jetës politike publike, në krye të institucioneve të rëndësishme. Dhe mund t’ju them që i kam takuar më shumë se sa zotin Nano. Çka do të thotë që çdo deputet është besoj një çështje e rutinës së këtij institucioni, për probleme nga më të ndryshmet.
Gazetari: Pyetja e fundit që do t’ju bëja, që s’ka lidhje fare me politikën, por që gjithmonë më ka entuziazmuar një gjë krejt e veçantë tek ju. Dikur kam qenë edhe vetë një tifoz shumë i madh futbolli, por ka vite që nuk e ndjek. Ndërkohë, që tek ju shikoj që e ndiqni po me të njëjtin pasion me të cilin e kam ndjekur unë dikur. Si ndodh që ju keni po të njëjtin pasion? Çfarë ju lidh në mënyrë kaq të fortë?
Presidenti Topi: Pasioni është passion dhe pasioni nuk kushtëzohet nga fati i karrierës, qoftë ky në profesion apo në politikë. Sa kohë që ky pasion qëndron i ndezur, unë do të shkoj. Kur të shuhet ky pasion, natyrisht që nuk do të shkoj më.
Gazetari: Domethënë është një gjë që ju vjen krejt natyrshëm?
Presidenti Topi: Po, e kam thënë dhe herë të tjera që në politikë jemi futur në vitet ’90. Sportin e futbollit kam filluar ta dashuroj që në vitet ’90. Çka do të thotë që është një pasion natyral, që ka ardhur në një moshë kur njeriu nuk mendonte se me çfarë do të merrej.
Gazetari: Në një moshë, kur besoj se keni adhuruar Bitëllsat, Elvis Preslin…
Presidenti Topi: Po, po, me radhë. Me radhë, të gjithë grupet e asaj kohe, edhe këngëtarë që kanë kënduar të vetëm, por besoj që ka qenë një periudhë për të cilën do të na duhej një emision i veçantë për t’u kthyer në ato vite.
Gazetari: Në se ju do të gjeni kohën, unë gjithmonë kam qenë i tunduar pikërisht me një pjesë të elitës politike shqiptare, jo se atyre u mungon predispozicioni për ta bërë këtë gjë, por dhe impenjimet kuptohet... Dhe ajo që vetëm druaj në këtë gjë është se mos politikanët mendojnë se duke hyrë në të tilla tema, nuk i bën mirë staturës së tyre politike. Tek ju shikoj një gjë krejt të kundërt. Ju nuk e keni problem, përkundrazi, kjo ju shihet si vlerë.
Presidenti Topi: Dhe ju siguroj që nëse ju do të keni një qëllim të tillë në të ardhmen, mund të biem dakord që t’i kthehemi nostalgjisë së atyre viteve.
Gazetari: Jam i sigurt që do të vijë shumë shpejt, aq e shpejtë sa që…
Presidenti Topi: Kur të doni ju, në sport, muzikë.
Gazetari: Ndoshta do të ishte gjithëpërfshirëse.
Presidenti Topi: Dakord, me kënaqësi.
Gazetari: Kënaqësia do të ishte e imja tërësisht, sepse ka qenë vërtet një gjë që më bëri mirë ta mbyll këtë pjesë të tretë për të ardhur tek pjesa e fundit. Ndoshta tek pjesa më e rëndësishme që s’ka lidhje aq shumë me detyrat tuaja personale, politike apo institucionale, por me zhvillimet politike të vendit. Sigurisht që një nga elementët më të rëndësishëm për momentin është çështja e reformës elektorale. Si po ecën kjo reformë zoti President? Është ngritur një komision parlamentar për këtë reformë prej pesë muajsh dhe fatkeqësisht nuk është mbledhur asnjëherë. Ndërkohë që partitë politike po grinden, po kacafyten, është krijuar një tension në dukje artificial, pa u mbledhur asnjëher, ku bëhen këto biseda, unë s’po e kuptoj! Nga dalin këto modele spanjolle, gjermane, etj., etj.?
Presidenti Topi: Ju keni ardhur ta kërkoni tek Presidenti se ku bëhen këto biseda?
Gazetari: Jo, unë kam ardhur, por kam ardhur për...
Presidenti Topi: Zoti Peza, dikur kisha mundësi, kur frekuentoja ambjentet publike, kafenetë, siç i frekuenton çdokush. Sot e kam të pamundur, kështu që bisedat që bëhen nëpër kafene ju i merrni vesh më mirë se sa unë. Ndërsa si detyrim institucional ...
Gazetari: Pikërisht pra, e kisha këtu fjalën. Këto janë çështje shumë serioze, të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e demokracisë së këtij vendi.
Presidenti Topi: Tek diskutimi për çështje të detyrimit institucional, ky Komision i reformës zgjedhore është ngritur kur unë ende isha në Parlament.
Gazetari: Pra ka më shumë se pesë muaj ...
Presidenti Topi: Sigurisht. Dhe debatet për reformën elektorale edhe në perspektivë kanë qenë debate që janë akutizuar me nota shumë të forta në momente të caktuara dhe sigurisht, ju sjell në vëmendje, që ka qenë e nevojshme që të bëhej me mediacion përgjithësisht ndërkombëtar që palët të bien dakord. Kjo është mjaft e natyrshme se vjen për shkak të interesave specifike që kanë partitë lidhur në këtë proces. Dhe tek e fundit është pikërisht ligji që do të rregullojë pjesëmarrjen e partive politike në Parlament.
Gazetari: Pak më parë po flisnim për maturimin e klasës politike për disa aspekte, por nuk po e shikojmë këtë maturim në të njëjtën lartësi si për çështjet që folëm pak më parë, në lidhje me këtë çështje kaq të rëndësishme siç është reforma zgjedhore. Ka dështuar komisioni i reformës zgjedhore, zoti President?
Presidenti Topi: Unë mendoj që një komision konsiderohet i dështuar që në momentin kur nuk ka vullnet. Në rast se nuk ka vullnet për ta mbledhur, domethënë që ka shumë premisa për ta konsideruar si të tillë. Pra, ky Komision, reforma zgjedhore, me eksperiencën që ka është mbyllur në disa raste brenda një dite, apo brenda dy-tre ditëve, tregon që çështjet nuk janë madhore për t’u finalizuar, por është predispozicioni për t’u ulur. Në radhë të parë duhet të konsiderohet predispozicioni vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me parimet. Parimi është që partitë politike duhet të kenë predispozicionin që të ulen e të bëjnë dialog. Dhe gjëja më e rëndësishme është pikërisht strukturimi i komisionit dhe zhurma më e madhe, në rast se ju e mbani mend, ka qenë nevoja që të gjithë partitë politike parlamentare të ishin pjesë e këtij komisioni. U realizua ajo zhurmë, u realizua edhe komisioni ku të gjithë partitë politike parlamentare ishin pjesë e këtij komisioni. Kështu që, vullnetin për të diskutuar për reforma elektorale nuk kanë pse e shprehin për ta bërë jashtë Parlamentit. Është Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore në Parlament. Dhe ajo që unë do të inkurajoja në këtë bisedë është që t’i rikthehen këtij Komisioni, gjërat të diskutohen në këtë Komision ...
Gazetari: Pra, ju nuk e quani akoma që ky Komision ka dështuar përfundimisht?
Presidenti Topi: Po, sepse akoma nuk ka përfunduar asnjë proces ...
Gazetari: Pra nuk e ka konsumuar ...
Presidenti Topi: Detyrimisht është po aq e nevojshme, kanë dhënë shenja mjaft negative të funksionimit të këtij Komisioni, por ende ka hapësira të nevojshme që të mblidhen në këtë Komision dhe ta mbyllin.
Gazetari: Çfarë do të bëni ju, zoti President, po të kemi parasysh se klima politike për shkak të kësaj gjëje është e tensionuar dhe ju jeni një person, që duhet të ndikoni në uljen e kësaj klime?
Presidenti Topi: Unë kam bërë para disa ditësh një thirrje për partitë politike, të cilat, e ritheksoj, nuk duhet të dalin në skenë me përmasat e partive të tyre. Përderisa Komisioni për reformën zgjedhore presupozon që çdo parti politike të futet me të drejta të barabarta për të diskutuar, të gjitha partitë duhet të konsiderohen. Madje unë kam shkuar më tej që t’i merret mendimi edhe partive politike që kanë një imazh dhe përmasa të tilla që mund të ftohen për të diskutuar, jo në Komisionin për reformën zgjedhore, por në tryeza më të gjera politike, sepse askush nuk mund të parashikojë se si do të jetë skema politike në vitin 2009. Pra, për ta bërë këtë proces jo të tensionuar, por një proces natyral, duhet që çdokush, sidomos liderët kryesorë të partive kryesore, duhet të imponojnë patjetër frymën e dialogut. Dialogu bëhet dhe debati bëhet dhe e kanë një fund. Unë jam i bindur që jo të gjithë do të jenë dakord, por, tek e fundit, duhet që mendimi i përgjithshëm, duhet të jetë ai që do të çojë tek vendimi dhe vendimi duhet marrë.
Gazetari: Nisur nga përgjigja juaj zoti President, duket në një vëzhgim të hollë sikur është diskutuar njëherë ajo skema politike e pas vitit 2009-të dhe mbi bazën e kësaj po bëhet edhe diskutimi. A ka ndonjë ...
Presidenti Topi: Jo, është detyrim i Parlamentit në mënyrë të tillë, siç është projektuar në këto parti, të bëjë diskutimit institucional.
Gazetari: Jo, nga pikëpamja përtej institucionit, nga kulisat politike duket sikur dy partitë e mëdha e kanë vizatuar skemën politike të pas 2009-ës dhe ftojnë, ose mundohen të ...
Presidenti Topi: Zoti Peza, unë kurrësesi nuk mund ta them këtë! Së pari, sepse e kam në parimin tim që nuk paragjykoj. Së dyti, e kam të palejueshme në këtë pozicion që të bëj interpretimin e aksioneve politike të partive, por ajo që unë inkurajoj në këtë pozicion është dialogu, debati, që do të bëhet detyrimisht dhe marrja e vendimit.
Gazetari: Jeni optimist që kjo çështje do të zgjidhet, shpejt dhe në të gjithë vendin?
Presidenti Topi: Absolutisht! Unë them që po.
Gazetari: Ju jeni për një reformë që do ta prekë Kushtetutën, apo ka hapësira Kushtetuta jonë që të bëhet kjo reformë pa e prekur?
Presidenti Topi: Me sa shoh unë, Kushtetuta do të preket, sepse të gjitha partitë politike, në një mënyrë, apo një tjetër janë shprehur për ndryshimin e sistemit. Janë vetëm zëra të shkëputura ata kundër ndryshimit të sistemit elektoral. Kështu që po u ndryshuar sistemi elektoral, detyrimisht do të ndryshohet edhe Kushtetuta. Por unë gjykoj që gjërat duhet të jenë të menduara mirë, në harmoni edhe me çështje të tjera, sepse kur të bëhet prekja e Kushtetutës, të mos bëhet vetëm për elementë të veçantë, sepse krijohen eksperienca të hidhura kur për gjëra sado të vogla mund të prekim Kushtetutën.
Gazetari: Pas 10 vitesh le të themi, nga miratimi i Kushtetutës ka ardhur koha dhe nga praktika jonë dhe përvoja jonë ka nxjerrë që ka ardhur koha që të bëhen disa ndryshime. Ju mendoni se këto ndryshime që duhen bërë nuk duhet të jenë parciale, nuk duhet të bëhen vetëm, por duhet të jenë ndryshime që duhet të mendohen thellë dhe ndryshimet të bëhen njëherë për të mos iu rikthyer pas 10 vitesh përsëri dokumentit themeltar të shtetit?
Presidenti Topi: Kjo do të ishte më e mira, sepse është si puna e themeleve të një ndërtese, duhet të jesh shumë i kujdesshëm, kur shkon edhe prek themelet. Është një shenjë jo e mirë.
Gazetari: Ku mund të preket Kushtetuta?
Presidenti Topi: Është një diskutim shumë kompleks. Kjo duhet të ishte në vëmendjen e të gjitha insitucioneve që për gjëra që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kushtetutës, të shkojnë edhe të orientoheshin pikërisht tek Kuvendi i Shqipërisë. Duhet të kenë kujdes që në momenti kur të ndryshojë një çështje e caktuar, në harmoni me këtë të ndryshojë edhe një çështje tjetër. Në rast se do t’i futemi pastaj problemeve thjesht të reformës elektorale, mund të jetë e domosdoshme që ta prekim edhe për këtë punë, por nuk do të ishte mirë.
Gazetari: Kaluam një moment shumë të vështirë në zgjedhjen e Presidentit. Ju mendoni se edhe kjo pikë, kjo pjesë e Kushtetutës ka nevojë për pak më tepër vëmendje?
Presidenti Topi: Sot, kjo është një çështje për të cilën unë nuk mund të prononcohem. U takon partive politike parlamentare që të gjykojnë nëse duhet prekur ky moment, ose jo. U takon atyre, sepse merr një konotacion shumë specifik nëse unë do të jepja një mendim.
Gazetari: Keni konflikt interesi, qartë, është e kuptueshme. Zoti President, për çështje thelbësore që nuk po na lë që të përfundojmë këtë tranzicion të vështirë ku kemi hyrë prej 18 vitesh, për kalimin nga sistemi komunist në një sistem funksional të ekonomisë së tregut, është çështja e pronës. Në një intervistë që pata dy javë më parë me zotin Godo, një personazh shumë i rëndësishëm i politikës që është marrë me këtë çështje, m’u duk gati fatalist, pasi tha se “kam frikë se kjo çështje nuk do të zgjidhet”. Ju si gjykoni?
Presidenti Topi: Unë jam shprehur gjerë e gjatë për këtë problem ...
Gazetari: Ka shpresë?
Presidenti Topi: Po më bëni një pyetje që të thuash që nuk ka shpresë ...
Gazetari: Nuk ju lejohet ...
Presidenti Topi Nuk më lejohet. Të them që ka shpresë që gjërat do të shkojnë në vendin e tyre të gjitha, edhe këtë e them me rezervë. Por përpjekjet nuk duhet të ndalen kurrësesi që çështja e pronave të rikuperohet sa më shumë të jetë e mundur, sepse është dhe një çështje e së drejtës. Kur më bëtë pyetjen për pronat, unë mendova që ka të bëjë jo vetëm me mundësitë fizike të kompensimit, por besova edhe për padrejtësitë që janë bërë në proceset gjyqësore, që janë bërë në zyrat e regjistrimit. Pra, është një çështje mjaft komplekse. Kështu që asnjëherë nuk duhet të biem në fatalitet. Është gabim për të gjithë që të biem në grackën e fatalitetit. Njeriu duhet të jetë kurajoz që të përballojë situatën, por e rëndësishme është kjo, ku unë vij në një pikë sinkron me ju që, nuk mund të ketë ekonomi reale të tregut në Shqipëri, s’mund të ketë investitorë seriozë, nuk mund të ketë vepra gjigande, madhore, në rast se nuk kemi zgjidhur problemin e pronës.
Gazetari: Çfarë do të ndodhë realisht, thellë-thellë ka ndonjë vullnet që do ta zgjidhë këtë çështje?
Presidenti Topi: Besoj që vullneti politik për çështjen e pronave ka qenë shumë i fragmentarizuar. Në kohë të ndryshme janë bërë interpretime të ndryshme. Aq sa shoh është që edhe ligji bazë i pronave, që është ligji 7501, me aq amendamente sa kanë dalë, me aq retushime që janë bërë, nuk e merr përgjegjësinë, pra është prekur në strukturë. Fakti që ka pasur kaq shumë ndërhyrje, kanë qenë më shumë tendenca për të qenë konform konjukturës politike të çastit, por asnjëherë nuk është trajtuar në strukturë në bazë për ta zgjidhur këtë çështje.
Gazetari: Zoti President, po hyj në pjesën e fundit të intervistës dhe janë rreth tre pyetje, njërën prej së cilave nuk mund të mos jua bëja faktikisht. Më kanë mbetur në mendje shënimet e një udhëtari francez që ka ardhur në Shqipërinë e viteve 30-të dhe ai thoshte që ky vend do të bëhet shtet kur të ketë rrugë. Dhe pesë vjet dhe festojmë 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Kur do të bëhemi ndonjë ditë shtet normal zoti President, me rrugë, me drita, me ujë të paktën?
Presidenti Topi: Meqenëse ju iu referuat rrugës, apo rrugëve, unë besoj ka një vëmendje të re sa i përket çështjes së rrugëve në Shqipëri. Të gjithë e kuptojmë se pa rrugë nuk ka komunikim, nuk ka mundësi zhvillimi. Duhen parë edhe mundësitë reale që ka vendi, por e rëndësishme është që e gjithë puna jonë të përqendrohet që të zhvillohet sa më shumë infrastruktura rrugore. Dhe kjo është e gjithë strategjia. Besoj se është një sinjal shumë i mirë duke iu referuar dhe atij vështrimi që ka pasur udhëtari francez i viteve 30-të. Ne po vijmë më së fundi në nevojën për të plotësuar këto detyrime për komunitetin.
Gazetari: Qenia President i Republikës sigurisht që është një detyrë, një obligim dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Është një gjë serioze, por njëkohësisht ndoshta të jep mundësinë që në një pikë të jetës dhe të karrierës një person edhe të reflektoj