E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Presidentit Topi për emisionin Top Show në televizionin Top Channel.

13 shkurt 2008

Gazetari Alban Dudushi: Mirëmbrëma dhe ju falenderoj për mundësinë e kësaj bisede që do të zhvillojmë së bashku në Pallatin e Brigadave!

Presidenti Topi: Ju faleminderit për ftesën!

Gazetari: Ndërkohë në studion tjetër, në studion e zakonshme të Top Show-t, do të më asistojnë dy kolegët e mi, Henri Çili dhe Mentor Nazarko. Mirëmbrëma Çili, mirëmbrëma Nazarko! Gjithashtu do të jetë edhe një grup studentësh nga Shkolla për Shkenca Politike e Këshillit të Evropës dhe nga Universiteti Evropian i Tiranës. Mirëmbrëma edhe ju miq që jeni në studion e Top Show-t sonte! Ndërkohë z. President, do të ndjekim më parë një insert analitik në lidhje me figurën tuaj dhe naturisht me kalimin nga numri dy i Partisë Demokratike në postin e Kreut të shtetit. E ndjekim këtë material dhe pastaj do të fillojmë menjëherë bisedën.

Gazetari:Zoti President, ka një ndryshim nga viti 2006 kur ju ishit në studion e Top Show-t dhe aty shpallët ambicien tuaj për t’u bërë President i Republikës. Tani jam i detyruar unë të vij në Pallatin e Brigadave, sepse i tillë është protokolli. Por ndoshta ky nuk është i vetmi ndryshim. Duke u nisur nga ajo çfarë u tha në insert, çfarë kostumi mabni ju tani? Mbani kostumin e vjetër të kohës së partisë, apo e keni ndërruar në një kostum të ri që i përket Presidentit?

Presidenti Topi: Një vit më parë duke iu referuar bisedës që ju po citoni që unë shpalla ambicien, në fakt iu përgjigja një pyetjeje të gazetarit në mënyrë shumë të sinqertë. Një vit kalon shumë shpejt. Ky vit ka qenë i mbushur me mjaft ngjarje. Unë në kornizat e karakterit, natyrisht kam mbetur ai që kam qenë. Jam munduar gjithmonë që të kem një konstante në këtë linjë, sepse karakteri nuk zhbëhet. Karakteri nuk pompohet artificialisht, pavarësisht nga pozicionet. Ndërsa ai që ka ndryshuar është pozicioni i ri institucional, që natyrisht është mjaft i ndryshëm nga ai që unë ushtroja si nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit parlamentar të saj.

Gazetari: Është e vështirë në fakt të kaloni nga nënkryetar i Partisë Demokratike në President të Republikës, të transformoheni në President të Republikës?

Presidenti Topi: Nuk mund të them këtu që gjithçka është e lehtë, sepse beteja në radhë të parë është me vetveten për të qenë i sinqertë në atë ç’ka shpalos, dhe besoj momenti i betimit jo vetëm që është një moment solemn, por është edhe një moment kur praktikisht je në vëmendjen e gjithë publikut, të analistëve sikurse jam edhe sot për të ushtruar pikërisht atë për cilën unë jam votëbesuar, për të cilën unë jam votëbesuar jo thjesht në Parlament, por edhe nëpërmjet sondazheve publike. Besoj që bëhet e lehtë në momentin kur je i motivuar, kur ke një qëndrueshmëri pikërisht të atij që sapo e shpreha, të karakterit dhe ke një qëndrueshmëri për atë që je i mandatuar.

Gazetari: A ka një model tuajin, një model të paraardhësve?

Presidenti Topi: Jo, unë nuk shkoj me modele. Unë mundohem të jem vetvetja. Ajo që jam i detyruar të realizoj është pikërisht korniza kushtetuese, janë ligjet. Pastaj do të ishte gabim që t’i referohesha një modeli nga pikëpamja e sjelljes, nga pikëpamja etike, nga pikëpamja e marrëdhënieve me kolegët ku secili ka modelin e tij. Pra të jesh i natyrshëm është më e mira dhe brenda natyrshmërisë, të arrish suksesin është akoma edhe më mirë.

Gazetari: Natyrisht duke qenë politikan i Partisë Demokratike ju është dashur të merrni pjesë në betejat që Partia Demokratike ka patur me parardhësin tuaj, zotin Moisiu. Duke qenë brenda këtyre ambienteve, duke njohur nga afër ç’do të thotë të jesh President, a ka ndryshuar diçka në mënyrën sesi e gjykoni dhe e vlerësoni Moisiun?

Presidenti Topi: Absolutisht, unë kam patur vlerësimet e mia për ish-presidentin Moisiu. Nuk jam kushtëzuar nga klima politike. Jam munduar të jem i ftohtë në gjykimet e mia. Kam ndarë në mënyrë të qartë betejën politike, e cila në Shqipëri sikurse dihet, herë pas here akutizohet dhe zhvillohet me tone shumë të ashpra dhe është mirë që politikani, pavarësisht nga intonacionet e betejës politike, kur është i detyruar, është mirë patjetër që të shpalosë argumente. Mund të ketë ardhur puna që të interferojë edhe figura e ish-presidentit, por gjithsesi kam qenë shumë i matur për ta respektuar figurën e presidentit dhe për ta gjykuar atë në rrethana konkrete, në rrethanat e një koniukture të caktuar politike që gjithsesi nuk kanë qenë të lehta as për ish-presidentin, por nuk kanë qenë të lehta dhe as për interlokutorët. Unë them që në atë kohë kam qenë një interlokutor i rëndësishëm i Partisë Demokratike dhe betejat kryesore janë zhvilluar në Parlament. Kryetari i grupit parlamentar, jo vetëm për shkak të pozicionit të tij institucional, por edhe për shkak të mundësive dhe aksesit që ka në marrëdhënie me kolegët, qofshin këta edhe të kampit tjetër, i jepet mundësia në momente delikate, i jepet misioni që të realizojë edhe pajtime e konsensuse sikurse edhe janë realizuar.

Gazetari:Jeni thirrur zoti President për të marrë vendime mbi disa çështje që në fakt kanë krijuar debat në opinionin publik dhe sidomos në skenën politike shqiptare. Kujtoj këtu çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, që parardhësi juaj, zoti Moisiu e zgjidhi ndryshe dhe për cilën Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë ende një vendim. Keni ndonjë gjë principiale për të spjeguar në lidhje me mënyrën sesi vepruat për këtë çështje të ndryshme nga ajo që keni deklaruar njëherë se i keni telefonuar Kryetarit të opozitës, por nuk keni marrë përgjigje? Ka qenë një telefonatë fatkeqe…

Presidenti Topi: Besoj se ky moment nuk konsiderohet moment principial. Lidhur me këtë çështje unë i kam shpjeguar të gjitha. Përderisa unë jam shpjeguar për gjithçka, nuk besoj që kjo bisedë sonte… Natyrisht, jam shumë i gatshëm t’i përgjigjem për të përsëritur edhe njëherë tërë atë kontekst qoftë kohor, qoftë të ngjarjes, por e shoh të tepërt përderisa është në kujtesën e gjithsecilit i gjithë shpjegimi që kam dhënë.

Gazetari:Megjithatë kjo ka krijuar, le të themi diskutime edhe në kampin politik kundërshtar. Kujtoj që opozita vazhdon të ruajë skepticizmin ndaj jush pikërisht për shkak të disa vendimeve, që janë marrë sipas kërkesave që ka bërë Ekzekutivi dhe që ka bërë Partia Demokratike, përshembull disa projekt-ligje që janë të këtij lloji.

Presidenti Topi: Ju sapo e cituat si kamp kundërshtar, pra bëtë një paragjykim. Unë nuk i konsideroj si kampe që janë të afërta me Presidentin dhe kampe kundërshtare. Për mua është ambienti parlamentar dhe jam munduar ta trajtoj në mënyrë shumë rigoroze, ç’ka do të thotë që sot është një komunikim institucional i Institucionit të Presidentit me Parlamentin, me qeverinë, me të gjitha institucionet e tjera. Përndryshe unë do të deformoja misionin dhe do të dilja totalisht nga ajo që kam premtuar. Praktikisht jam në një terren tjetër dhe betejat e mia janë beteja të Institucionit dhe aspak të konotacioneve që kanë lidhje të drejpërdrejta me partitë politike që janë në një debat të natyrshëm në Parlament.

Gazetari:Do të doja të kalonim te kolegët e mij, Çili dhe Nazarko.

Henri Çili: Ju thatë zoti President që do të ndiqni shumë karakterin, ose instiktin tuaj në detyrën e re, ose pak a shumë profilin autentik që ju keni, aq më tepër kur thatë që nuk doni t’u ngjani parardhësve. Por ndoshta pozicioni i ri s’ju lejon ndoshta dreka të tilla publike siç ishte ajo e para disa javëve vetëm me deputetët e mazhorancës. Si duhet të ndihen deputetët e opozitës, ose aktorë të tjerë shoqërorë kur ju shfaqni zgjatime të pozicionit tuaj të djeshëm, të deri para gjashtë muajsh?

Presidenti Topi: Zoti Çili, jemi në politikë dhe nuk bëhet fjalë për shprehje të instikteve, të cilat realisht i takojnë botës biologjike. Ju siguroj që kur fola për karakterin, e kam fjalën për një karakter që ka të bëjë me çdo individ, por në mënyrë më të shprehur, vjen pikërisht në momentin kur ke një pozicion të rëndësishëm. Tani mendoj që nuk keni informacionin e duhur, në rast se do të ndani dreka me miqtë politikë të kampit ku ke bërë pjesë dhe mungesën e drekave, apo të darkave me përfaqësues të opozitës. Ju siguroj që kanë qenë të tilla edhe me përfaqësues të rëndësishëm të kampit të sotëm opozitar. Kjo ka qenë arsyeja që unë jam munduar të shpalos një model timin edhe në kohën kur debati politik ka qenë shumë i ashpër. Kam qenë pa asnjë lloj kompleksi dhe kjo mund të vërtetohet për të qenë i natyrshëm në të gjitha takimet me kolegët. Pastaj beteja politike është pjesë e argumentit politik që njeriu e shpreh pa e përzier me momente të kamuflimit politik.

Mentor Nazarko:Zoti President, ju shprehët indirekt, megjithëse në një mënyrë jo shumë të qartë konsiderata për parardhësin tuaj, me të cilat ju nderon fakti që ju nuk jeni ekspozuar me sulme të tipit personal siç ka bërë shumica në të cilën ju keni bërë pjesë. Por megjithatë, tani që ju jeni President, imagjinoni veten sikur të ishte opozita e sotme që t’i bënte ato sulme. Domethënë si do të ndiheshit? A i jepni ndopak të drejtën atij tani që jeni ju në këtë detyrë?

Presidenti Topi: Unë nuk e shoh të nevojshme që të shkoj në një pozicion për të gjykuar nëse ato sulme kanë qenë të drejta, ose jo të drejta. Njeriu, kur është në politikë mund të bëjë sulme të karakterit politik, por është shumë e rëndësishme që të respektohet etika e komunikimit me një institucion që konsiderohet institucioni më i lartë i shtetit. Pra mund të shpalosësh argumente shumë të ashpra, shumë të forta pa qenë nevoja që të kapësh intonacione të larta, apo t’i japësh një trajtë të deformuar ligjëratës. Nga kjo pikëpamje unë, sikurse kam qenë, jam dhe do të jem që ka shumë rëndësi etika e komunikimit, edhe atëherë kur debati politik është shumë i fortë. Kam parasysh edhe modelet që sot ekzistojnë kudo. Vërtet ka debate shumë të ashpra, sepse në demokraci do të ishte e pakuptimtë jeta parlamentare pa një debat të fortë. Edhe ato vende që kanë një traditë të hershme parlamentare, që sot janë vende nga më të zhvilluarat e botës ju e keni parasysh që debatet parlamentare janë mjaft të ashpra. Nganjëherë kalojnë edhe ato caqet që ne i konsiderojmë si standarde të komunikimit dhe të etikës, por gjithsesi kjo ka të bëjë me sjelljen e çdo individi dhe unë do të isha në favor të asaj preference që argumenti duhet të mbizotërojë mbi intonacionin.

Mentor Nazarko: Domethënë ju praktikisht po i jepni këshilla “a posteriori” Kryeministrit Berisha, i cili nuk është se është kampion i etikës.

Presidenti Topi: Nuk është faji im zoti Nazarko, që ju edhe kur bëni pyetjen, edhe kur gjykoni mbi përgjigjen, jeni në një klimë paragjykuese. Nuk e di kë keni, kë keni në mendjen tuaj në momentin ku ju realizoni pyetje. Ndërsa unë mundohem të jem i drejtpërdrejtë. Realizoni pyetjen! Unë jam, besoj në konturet e sakta të sinqeritetit për t’ju dhënë përgjigje.

Mentor Nazarko: Megjithatë, duke i vlerësuar fjalët tuaja, unë mendoj që do të ishte e udhës që një mesazh i Presidentit që politika të vazhdonte të ruante standarde të larta etike edhe në momente të veçanta siç është afrimi me NATO-n apo shpallja e pavarësisë së Kosovës, sepse të jemi të ndërgjegjshëm, ka patur momente kur janë tejkaluar standardet e etikës, apo jo?

Presidenti Topi: Zoti Nazarko, besoj që nuk m’u dha rasti nëpërmjet këtij emisioni të nderuar që të shprehem për domosdoshmërinë e harmonisë në politikën shqiptare. Kam dhënë me dhjetra e me dhjetra mesazhe. I kam dhënë këto mesazhe edhe atëhere kur kam qenë në një pozicion të caktuar politik. Dhe ju e dini që në këtë ndërtesë ku ne po realizojmë këtë emision, këtë bashkëbisedim, janë realizuar tryeza shumë të rëndësishme të konsensusit e të dialogut qoftë për reformën në drejtësi, qoftë për probleme të komunikimit mes qeverisjes qendrore dhe qeverisjes lokale. Janë takuar aktorë që nuk ishin takuar kurrë më parë. Pra unë mendoj që Presidenti i Republikës duhet të japë mesazhe dhe mesazhet duhet të jenë natyrisht në këtë sens, por nuk mund të jetë në një terren moralizues për aktorë, të cilët janë të pjekur tashmë në politikë.

Gazetari: Megjithatë zoti President, duke mbetur tek reforma në drejtësi, ku natyrisht një pjesë e kësaj historie mbetet çështja e Prokurorit të Përgjithshëm, për të cilën ju thatë që i keni dhënë spjegimet tuaja më parë. Përveç kësaj ka patur momente të tjera, përshembull me vendosjen e zonjës Rama si Prokurore e Përgjithshme, ka patur ndryshime të prokurorëve, të cilët quheshin si të parardhësve të zonjës Rama në rrethe të ndryshme, dhe ka patur emërime me firmën tuaj të prokurorëve të rëndësishëm në nivele të tjera. A nuk është e jashtëligjshme që ju të firmosni për prokurorët e parë të kalojnë në nivele të tjera pa pësuar ndonjë penalitet në lidhje me këtë?

Presidenti Topi: Jo, absolutisht jo! Unë natyrisht vendos firmën tek dekreti dhe sipas marrëdhënieve ligjore e kushtetuese, të gjitha propozimet vijnë nga kryeprokurori dhe mbi bazën e referencave ligjore, të cilat sigurisht janë të konsultuara edhe në planin juridik, vijnë dhe dekretohen nga Presidenti i Republikës. Pra është ekskluzivitet organizimi i strukturave të Prokurorisë, ekskluzivitet i Kryeprokurorit me ligjet aktuale dhe në Kushtetutë parashikohet që dekretohet nga Presidenti i Republikës. Në të gjithë këtë linjë të komunikimit, ka patur sikurse thashë një konsultim mjaft profesional dhe absolutisht gjithçka është në një terren ligjor dhe kushtetues.

Gazetari: Nga ana tjetër, ju keni miratuar në KLD një mandat katërvjeçar për kryetarët e gjykatave, apo jo. Kjo është quajtur e jashtëligjshme nga ana e opozitës dhe ka patur sulme në lidhje me këtë çështje. E bëtë këtë kur po miratohej një ligj për gjyqësorin. Nuk prisnit dot që ky mandat të fiksohej me ligj?

Presidenti Topi: Së pari nuk e kam bërë unë me titull personal. KLD-ja është një strukturë kushtetuese kolegjiale. Unë jam në një pozicion kompatibël me atë të Presidentit, pra jam edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka një nënkryetar, ka anëtarë që zgjidhen sipas Kushtetutës dhe ligjit. Janë që të gjithë profesionistë. Aty është i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë. Unë besoj që në rastin konkret ka patur një vendim unanim. E theksoj këtë, sepse edhe Ministri i Drejtësisë, i cili ka qenë pjesë aktive e punës në komisionin për reformimin e sistemit të drejtësisë, që është Komisioni i Ligjeve dhe i Çështjeve Kushtetuese, ç’ka do të thotë që ka sjellë në KLD të njëjtën frymë, nuk besoj se ka patur asnjë lloj kontestimi dhe gjithçka është brenda parametrave kushtetues. Edhe sikur të ketë ndonjë element të vërtetë në kontestimin që bëhet janë rregulluar gjërat sipas Kushtetutës: ekziston Gjykata Kushtetuese, e cila në çdo çast, në çdo rrethanë në bazën e një pretendimi jep gjykimin, dhe besoj që është i formës së prerë dhe Gjykata Kushtetuese ka të drejtën që të jetë supervizues, pra është supervizues i të gjithë strukturave në sistemin e drejtësisë.

Gazetari: A ka në fakt një rivalitet për kontrollin e gjyqësorit midis jush dhe ekzekutivit, qeverisë? Kujtoj që në polemikat në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ju nuk keni marrë pjesë vetë, por gjithsesi Kreshnik Spahiu dhe Alibeaj ka qenë në disa përplasje me njëri-tjetrin dhe duket që të paktën në “underground” kjo reflekton pikërisht atë përplasje, ose të themi luftë dhe rivalitet midis jush dhe ekzekutivit.

Presidenti Topi: Absolutisht jo! Unë sapo e theksova që kam qenë iniciator i një tryeze të partive politike parlamentare për nevojën dhe domosdoshmërinë e kontakteve dhe bashkëpunimit për reformën në drejtësi. Por kam thënë në të njëjtën kohë që reforma në drejtësi natyrisht që do të bëhet nga Parlamenti, është ekskluzivitet i punës së Parlamentit, sepse ligjet bëhen në Parlament dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë lloj dyshimi, por metodika e punës, eskperiencat botërore janë të tilla që politika e ka të nevojshme të dëgjojë grupet në rastin konkret duket sikur merr një term jo të këndshëm, grup interesi, sepse janë profesionistë që i japin ligjit apo kuadrit të ligjeve për drejtësinë sensin e profesionalizmit. Pra janë ligje politike, kanë vullnetin politik, por kanë edhe dozat e duhura të profesionalizmit, sepse është e pamundur që të jenë ligje bashkëkohore në rast se nuk do të kenë bashkëpunimin e njerëzve të drejtësisë. Në këtë sens është bërë ky lloj debati. Unë personalisht nuk kam marrë pjesë në këtë debat. Është një debat profesionistësh. Ka qenë një debat që ka ardhur nga gjyqtarët, anëtarët e KLD-së, nga avokatët dhe unë mendoj që është një fazë që po kalon në mënyrë fare të natyrshme dhe po kalon shumë mirë.

Henri Çili: Në lidhje me diskutimin e fundit të zotit President. Ju thatë që nuk ka një rivalitet, nuk ka një mospërputhje midis jush dhe qeverisë, dhe përfaqësuesve të qeverisë në KLD. Atëherë çfarë ka? Ka një dakordësi, sepse është e qartë që qeveria do të donte, ose si çdo qeveri të rriste kontrollin mbi sistemin gjyqësor? Nga kjo pikëpamje, ndoshta kjo dakordësi mos është negative zoti President, sepse pavarësisht nga qëllimi i ekzekutivit, duhet që në një mënyrë ose një tjetër, të mbahet i kufizuar ndikimi i ekzekutivit mbi sistemin e drejtësisë, ndikimi i shumicës parlamentare, i asaj force që është në pushtet?

Presidenti Topi:Zoti Çili, unë mendoj që në çdo proces debati është jetik. Edhe në rastin konkret, në rast se bëhet debat, unë do të uroj që debati të ishte mbi bazën e parimeve, të ishte debat profesional, por ajo që ka ndodhur në debatin e fundit mund të them që është një shenjë, një simptomë shumë e mirë për atë gjykim që kemi patur të gjithë për KLD. Po ta vemë re, sot nuk kemi një debat të përfaqësuesve të grupeve të caktuara politike në Parlament. Sot konsiderohet një debat midis Parlamentit, komisionit dhe KLD-së. Çka do të thotë që sot, pas kaq vitesh i hiqet ajo njollë Këshillit të Lartë të Drejtësisë që etiketohej si një institucion në duart e politikës. Pra sot kemi politikën nga një krah dhe profesionitët nga krahu tjetër për të bërë një debat. Natyrisht profesionistët nuk do t’i lënë vendin parlamentarëve dhe parlamentarët nuk kanë asnjë lloj interesi që të shkojnë atje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por është një debat parimesh dhe në thelb të këtij debati është që politika që, sikurse thashë ka detyrimin dhe eksluzivitetin për të bërë ligjet, e ka të nevojshme të konsultohet me komunitetin e gjyqtarëve. Kjo kërkohet nga ne, pra nga të gjithë ne, besoj se edhe politikanët edhe parlamentarët nuk janë kundër nevojës për konsultim, por kërkohet edhe nga institucionet ndërkombëtare, që do të shohin bashkëpunimin e politikës me profesionistët si çështje jetike, sikurse ndodh me të gjitha ligjet e tjera kur në komisionet parlamentare merret mendimi edhe i grupeve të interesit. Kjo ndodh edhe me biznesin kur është çështja e taksave, kjo ndodh edhe me ligjet e tjera për kategori specifike dhe duhet të ndodhë domosdoshmërisht me shumë seriozitet, edhe predispozicion, edhe me shumë bonsens nga politika që të marrë, të ekstraktojë mendimet e vyera që vijnë nga gjyqësori. Unë nuk shoh që të ketë kontradikta të thella sepse do të ishte një simptomë mjaft negative midis politikës dhe gjyqësorit. Përkundrazi, politika është thirrur në skenë, pra të gjitha partitë politike parlamentare janë ulur në një tryezë fatmirësisht dhe po bashkëpunojnë për të reformuar këtë sistem. Të gjithë kemi thenë që sistemi i drejtësisë ka vuajtur rëndë nga sëmundja e korrupsionit. Ka ligje të shumta, po kërkohet që këto ligje të vijnë plotësisht në standarde dhe unë besoj që ky moment duhet të shikohet si moment bashkëpunimi dhe kurrsesi për të nxjerrë në pah edhe kontradikta që ndonjëherë amplifikohen në mënyrë artificale.

Mentor Nazarko: Megjithatë kontradikta që është shfaqur brenda në KLD zoti President, është një kontradiktë për të cilën duhet të mbash qëndrim, o me njërin krah, o me tjetrin. Dmth. kush duhet ta kontrollojë sistemin e drejtësisë për drejtësinë e vendimeve që merr ai, dhe jo për kontrollin administrative, një komision i KLD-së, pra një komision i vetë organizmit të gjyqtarëve, apo një komision i Ministrit të Drejtësisë? Kjo është një kontradiktë principiale. Ne do të donim të dinim qëndrimin tuaj, sepse ju jeni anëtar i KLD-së. Besoj që qëndrimi juaj nuk është sekret lidhur me këtë diskutim të madh që është bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Presidenti Topi: Zoti Nazarko, unë natyrisht që për hir të pozicionit që kam jam shumë i kujdesshëm për të mos interferuar, aq më shumë në publik në çështje që janë pjesë e një debati. Por unë jam që gjithçka të vendoset pikërisht në ato standarde që kanë vendet që ne mund t’u referohemi. Pra të mos ketë një klimë paradoksale që ne të gjithë flasim çdo ditë për nevojën e integrimit në Bashkimin Europian dhe të mos u referohemi këtyre modeleve, pra modelet janë. Nuk kemi shansin e keq që të gabojmë sepse janë pikat e referencës. E rëndësishme është që ky bashkëpunim të jetë i natyrshëm, të mos jetë i sforcuar. Të mos ndodhë që secili të gjuajë nga llogorja e vet. Përkundrazi unë shikoj që gjyqësori e ka domosdoshmëri të reformohet, ndërsa politika, e kam fjalën për Parlamentin e ka të nevojshme që të konsultohet. Vendim-marrjen askush nuk ia heq politikës, Parlamentit. Është një gjë që e ka tagër ekskluziv, por të konsultohesh, aq më shumë të konsultohesh me njerëzit që janë profesionistë, me njerëzit që janë pjesë e strukturave të drejtësisë kur bëhet ligji për drejtësinë, besoj që ky është një moment që nuk vlen të diskutohet.

Gazetari: Në studio kemi edhe një grup studentësh të kursit të Shkollës së Politikës së BE-së. Më ndihmoni ju lutem me studentët!

Presidenti Topi: Dëshiroj t’ju përshëndes! Natyrisht jemi në distancë sot. Kam patur rastin të kem më shumë se një takim dhe e konsideroj si një arritje të jashtëzakonshme të zhvillimeve demokratike në vendin tonë ku fatmirësisht po vjen edhe një Shkollë e Politikës, sepse e kemi thënë vazhdimisht që vitet e tranzicionit kanë sjellë në politikë njerëz që nuk janë shkolluar, apo specializuar në shkolla specifike të politikës. Unë besoj që është një moment shumë i rëndësishëm që politka ka nevojë të rigjenerohet hap pas hapi me kontigjente të tilla. Edhe mjaft studentë që kanë shkuar në perëndim, që po studiojnë sot, janë pjesë e këtyre shkollave dhe nuk bëhet fjalë thjesht për politikë për politikë, për politikë parlamentare, por në çdo institucion gjithmonë ka nevojë të hartohen politika dhe unë e konsideroj këtë një arritje të mirë të viteve të demokracisë.

Studentja Blerina Zoto: Mirëmbrëma zoti Dudushi dhe faleminderit që më dhatë fjalën! Unë bëj pjesë në brezin e parë të studentëve të Shkollës së Studimeve Politike inciativë kjo e Këshillit të Europës. I nderuari zoti President, si Kreu i Shtetit dhe institucionit të drejtësisë, si institucion mbi palët, do të doja të dija çfarë mendoni se ç’duhet të bëjë institucioni juaj, ajo që ju përfaqësoni për t’i kthyer besimin njerëzve në mënyrë që të jenë më aktivë dhe të shëndoshet demokracia në vend. Ju faleminderit!

Presidenti Topi: Faleminderit për pyetjen, e cila është mjaft e rëndësishme! Sigurisht kërkon një përgjigje shumë komplekse. Mendoj që institucioni i Presidentit është një institucion që konsiderohet mbi palët, konsiderohet si simbol i unitetit kombëtar. Është pjesë e shqetësimeve të terrenit shoqëror shqiptar. Është pjesë e harmonizimit të jetës institucionale dhe unë besoj që të gjitha lëvizjet që po ndodhin sot në politikën e institucioneve shqiptare janë konverguese për të arritur pikërisht atë që kërkohet edhe nga partnerët tanë për të patur mundësi që të pranohemi qoftë në NATO, që është sfida e afërt në prill të këtij viti, qoftë në Bashkimin Europian, që është një rrugë më e gjatë, por gjithsesi është një rrugë që kërkon patjetër një pjekuri më të madhe, një maturi më të madhe, qoftë në mënyrën e sjelljes politike, por edhe në jetën institucionale, sepse ju e dini fare mirë që të integrohesh, pra të bëhesh pjesë e familjes europiane, nuk mjafton të jesh gjeografikisht, apo të shprehësh një aspiratë, por është çështje e detyrueshme e përmbushjes së standardeve. Dhe kjo fillon me standardet e fushave të caktuara, me standardet politike, me standardet e institucionit të zgjedhjes, të institucioneve të drejtësisë, të kapaciteteve administrative, pra është një kompleksitet faktorësh që ne do të na bëjnë të mundur që të integrohemi. Pra Institucioni i Presidentit është në një pozicion kushtetues, i përcaktuar qartë nga Kushtetuta dhe ligjet dhe natyrisht duhet të jetë ekuilibrues dhe interlokutor në mjaft raste, kur ky dialog çalon. Pra konsiderohet një lloj promotori brenda kufijve të tij institucionalë.

Gazetari: Blloku i opinioneve që sapo ndoqëm nga qytetarë të ndryshëm, natyrisht nuk është një sondazh shkencor në lidhje me popullaritetin tuaj, por kujtoj që ju në disa sondazhe përpara se të bëheshit President, kishit popullaritetin më të madh mes gjithë politikanëve të tjerë. Jeni ndopak i trembur që duke qenë në postin e Presidentit, mund të bjerë popullariteti juaj?

Presidenti Topi: Në veprimtarinë time asnjëherë nuk e kam patur mendjen te sondazhet, por gjithsesi i konsideroj mjaft të rëndësishme në vlerësimin e performancës kudo ku të jesh. Aq më shumë kur je në pozicionin e Presidentit të Republikës, sondazhet janë mjaft të rëndësishme. Besoj që në rastin konkret, të jesh në vëmendjen e shoqërisë do të thotë që shoqëria të vlerëson, ose të jep nota që nuk konsiderohen pozitive. Çdo njeri e ka të detyrueshme që të jetë përballë publikut dhe aq më shumë, e ritheksoj Presidenti i Republikës. ǒka do të thotë që në punë ke nevojë që të korrektohesh, edhe atëherë kur ke gabuar. Pra është normale, askush të mos pretendojë që ka një performancë ideale. Askush nuk duhet të bjerë në klimë subjektivizmi. Kështu që unë e shikoj si një mekanizëm perfekt të demokracisë. Aq më shumë kur sot mikrofoni i hapur del në rrugë, është mikrofoni i hapur në studio, ka shumë pjesëmarrës, ka nivele të ndryshme, dhe ajo që ndodh në Shqipëri besoj është më e shprehur, sepse shumica e njerëzve janë shumë të lidhur me politikën, kjo edhe për shkak të asaj që kanë kaluar, por edhe për shkak të asaj që kanë shumë nevojë të mbështeten tek politika si një shpresë për të ndryshuar këtë realitet.

Gazetari: Gjithsesi vlerësimet për ju kur ishit nënkryetar i Partisë Demokratike janë të ndryshme nga ato që janë për ju tani si President. Kështu që në këtë lloj kuptimi mund të cënohet popullariteti juaj për shkak se njerëzit dinë ta bëjnë dallimin midis kontinuitetit të nënkryetarit të partisë dhe Presidentit. Dinë ta bëjnë dallimin e një ndarjeje dhe kontinuitetit të nënkryetarit të partisë dhe Presidentit. Ju vlerësoheshit si një nënkryetar partie, si një njeri i moderuar, i cili herë pas here, le të themi hapte shtigje të dialogut dhe nuk ishte në përplasje të forta me komponentët e tjerë politikë, ndërkohë që Presidentin mund ta shikojnë anshmëri nga njëri krah, nga krahu nga ju vini.

Presidenti Topi: Jo nuk besoj që të jetë i sinkronizuar ky pozicion. Nuk mund të ndodhë, kurrsesi nuk mund të ndodhë kështu, por duhet të themi sikurse janë të afektuar politikisht edhe eskponentët e jetës politike, janë të afektuar politikisht edhe njerëzit që janë pjesë e shoqërisë. Kupohet kur nuk janë të çliruar nga komplekset dhe paragjykimet edhe ata që konsiderohen kolegë dhe e dinë fare mirë qoftë performancën, qoftë rregullat e lojës, aq më pak mund të pritet nga një qytetar i thjeshtë që të ketë mundësinë të vlerësojë nga pikëpamja analitike më mirë sesa kolegu yt. E kam fjalën që të gjithë janë të influencuar nga opinionet, gjithsesi unë e konsideroj sikurse e thashë mjaft pozitive që të gjithë jemi para publikut për t’u vlerësuar.

Gazetari: Atëherë të kalojmë te një kompetencë e juaja, që ndahet me Kryeministrin. Flas për politikën e jashtme. Shqipëria ka mbetur ende pa ambasadorë në Maqedoni, në Turqi, në Mal të Zi dhe ç’është më e keqja, është pa Shef Zyre në Kosovë e cila aktualisht ku po kalon momente unike. Pse këto probleme? Ju keni kaluar tashmë disa muaj si President dhe kur ishit nënkryetar i Partisë Demokratike, ia vinit fajin zotit Moisiu për këto lëvizje. Po tani çfarë ndodh që jeni ju President?

Presidenti Topi: Unë mendoj që keni kapur një moment shumë të rëndësishëm. Sigurisht që në Maqedoni nuk jemi pa Ambasador. Ju do të thoni që del nevoja për të rinovuar zotin Prela, i cili ka zhvilluar veprimtarinë e tij dhe kuptohet që ka një rregull në administrate: sa kohë që nuk është zëvendësuar nga një i ri, do të qëndrojë ai në detyrë. Ne shpeshherë kemi qenë në fokusin e sulmeve për ndryshimet e ambasadorëve, ndërsa në rastin konkret është një njeri, që vazhdon të ushtrojë veprimtarinë e tij, që gjithsesi është në planet e lëvizjes.

Gazetari: Qartë! Kjo është për Maqedoninë.

Presidenti Topi: Në Kosovë ju me të drejtë e thatë, që ka një lëvizje administrative për të ngritur pozicionin e përfaqësuesit tonë atje. Nuk është zyrtarizuar, por jam plotësisht dakord me ju që ne duhet të kemi një vëmendje shumë të veçantë, që në ato vende ku zhvillohet veprimtari specifike, intensive sikurse është Kosova, sikurse janë vendet e rajonit apo ndonjë vend tjetër ku ne e kemi të domosdoshme që të forcojmë përfaqësimin diplomatik, jam dakord me ju që sigurisht ne kemi boshllëqe të kësaj natyre që duhet të riparohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Gazetari: Po pse nuk janë bërë?

Presidenti Topi: Por natyrisht që janë pjesë e një komunikimi, i cili jo gjithmonë është në kuota perfekte. Pra ju nxorët në evidencë një problem. Unë po e konfirmoj këtë problem. Po e konfirmoj dhe është pjesë e reagimet dhe jemi në këto komunikime zyrtare që kjo situatë të ndryshojë sa më shpejt. Ne kemi ndryshuar tani, kemi vendosur Ambasadorin e Turqisë. Natyrisht kemi nevojë të përmirësojmë përfaqësimin, pa e specifikuar tani ambasadën, sepse nuk është vendi për të bërë një analizë të tillë, po që jemi plotësisht në sinkron për të rritur nivelin e përfaqësimit sidomos në vendet e rajonit, sepse në politikat rajonale sot janë bërë politika mjaft të rëndësishme, qoftë përsa i përket situatës që është në rajon, situatës së Kosovës, situatës lidhur me Kartën Adriatik 3, ku Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia tentojnë të futen në bllok në NATO, qoftë me praninë e faktorit shqiptar në Ballkan, qoftë me praninë e një emigracioni të rritur në Greqi. E kam fjalën që këtu ka rol patjetër që të rrisim kapacitetet administrative nëpër ambasada. Do të ndodhë patjetër edhe në Greqi, sepse ju e dini që procedurat për dokumente janë të tilla që ka patur mjaft preokupacion tek qytetarët shqiptarë. Dhe kjo patjetër që është pjesë e shqetësimit për ta rregulluar gjendjen sa më shpejt.

Gazetari Atëhere duhet të kalojmë te studio e Top Shoë-t me Mentor Nazarkon dhe Henri Çilin.

Mentor Nazarko:Megjithatë kanë kaluar gjashtë muaj zoti President. Mbaj mend që për një problem kapërcimi afatesh pati kritika të shumicës për ish-Presidentin. Kanë kaluar gjashtë muaj. Çfarë ju ka penguar në këto gjashtë muaj, ju thatë diçka brenda kufijve të etikës institucionale ju thatë se është problem i komunikimit tuaj me kë?

Presidenti Topi: Jo, jo!

Mentor Nazarko: Ju thatë që komunikimi nuk është perfekt. Pyetja është me kë?

Presidenti Topi: Jo, jo, jo! Duhet të jeni i vëmendshëm zoti Nazarko, sepse nuk u shpreha në këtë mënyrë! Thashë ka një problem lidhur me forcimin e kapaciteteve administrative nëpër ambasada. Dhe kjo është një gjë e dukshme, evidente përderisa ne ende nuk kemi rritur nivelin e përfaqësimit në Kosovë, përderisa ne ende, ndonëse është miratuar nga ana ime, është dekretuar Ambasadori i Turqisë, gjithsesi për shkak të politikave prioritare që kanë të bëjnë me rajonin, ne domosdoshmërisht jemi në këtë fazë. Nuk ka absolutisht asnjë lloj problemi, por ka një lloj impasi në komunikimin administrativ, sikurse ndodh rëndom në administratën tonë e duhet thënë që ky hendikap ekziston edhe në komunikimin mes Ministrisë së Jashtme për të gjetur vetë kualitetet, sepse shpeshherë humbet kohë për të gjetur vetë kualitetet që janë përfaqësues, që njohin shumë mirë realitetin ballkanik dhe që të jenë njerëzit që i shkojnë përshtat pikërisht momenteve specifike që kanë të bëjnë me kohën që po kalojmë. Kurrsesi nuk ka probleme substanciale në komunikimin me institucionet. Absolutisht!

Mentor Nazarko: Edhe Turqia është vend i rëndësishëm zoti President, por ka rreth një vit e gjysmë apo pak më shumë që është me të ngarkuar me punë…

Presidenti Topi: Çfarë të them kur është ndoshta defekti i komunikimit midis studiove televizive, sepse unë sapo e thashë që është dekretuar nga ana ime! Mund t’ju them edhe emrin, është zoti Altin Kodra dhe mund të ketë më shumë se një muaj që unë e kam dekretuar, por ai është duke ndjekur rregullat e veta që kanë të bëjnë me komunikimin, derisa të arrijë të marrë Letrat Kredenciale.

Henri Çili: Kisha një pyetje zoti President, lidhur me shërbimin e jashtëm, ose shërbimin diplomatik. Një nga argumentet, ose ana përmbajtësore midis ish-presidentit Moisiu dhe qeverisë Berisha ishte fakti se qeveria po e tejkalonte dukshëm kuotën prej 20% të ambasadorëve politikë. Ju a e konstatoni këtë problem në propozimet që ju vijnë nga Kryeministria ose Ministria e Jashtme dhe a jeni ju të vendosur ta respektoni këtë 20% politik dhe të ruani 80% e karrierës diplomatike në raport me emërimet tuaja?

Presidenti Topi: Natyrisht jam shumë i vendosur që ta respektoj, ose më mirë që të jemi afër këtyre shifrave, sepse asgjë nuk ka të ndarë me thikë. Edhe vetë në përbërjen e karaktereve, të cilët sot janë në linjën e diplomacisë ka të bëjë shumë këndvështrimi sesi e shikon. Pra ka njerëz që vërtetë mund të jenë të lidhur, të kenë një background politik, por kanë një eksperiencë diplomatike. Ka të tjerë ku predominon totalisht profesionalizmi dhe karriera diplomatike, pra në disa raste për të qenë të sinqertë, e ke të vështirë të dallosh ku ndahet momenti i karrierës diplomatike me një background politik të caktuar. Gjithsesi jam i vendosur që të respektoj këto raporte dhe këto shifra, sepse nuk janë raporte të vendosura nga unë, por është një rregull i vendosur, dhe është mirë që është vendosur. Në karrierën diplomatike ka shumë rëndësi që pjesa më e madhe të jetë pjesë e kësaj karriere, e cila të jep më shumë eksperiencë dhe je përfaqësues real i shtetit dhe kurrsesi i interesave të një partie.

Gazetari: Vetëm ditët e fundit ju keni propozuar një kandidaturë të re për Gjykatën Kushtetuese. Kanë kaluar trembëdhjetë muaj, ndërkohë kujtoj kur, si nënkryetar i Partisë Demokratike kritikuat parardhësin tuja Moisiu për një afat shumë më të shkurtër që ai nuk e kishte emëruar propozimin për kandidaturën. Përse ka patur gjithë këtë vonesë? Ka patur kjo të bëjë me votën kundër për zotin Sollaku?

Presidenti Topi: Absolutisht jo! Unë mund të përgjigjem thjesht për gjashtë muajt e mij, ndërkohë që ky proces është akoma edhe më i gjatë. Unë kam menduar që në përcaktimin e një kandidature për Gjykatën Kushtetuese, të futem në konsultime të nevojshme. Dhe e vërteta është që gjithë kjo vonesë nuk ka patur asnjë lloj nënteksti, por ka patur të bëjë me ekstraktimin, me përzgjedhjen e një njeriu që do të ishte i pakontestuar nga ambienti. Sigurisht që konsultimet jo gjithmonë janë të lehta për t’u realizuar, por tekefundit, i diktuar edhe nga nevoja për ta nominuar, sepse u bë një kohë shumë e gjatë. Unë kam vendosur para dy ditësh që të dekretoj zonjën Vitore Tusha.

Gazetari: Kjo në fakt ka qenë e kontestuar nga Parlamenti.

Presidenti Topi: Jo, ka qenë për shkak të rrethanave të caktuara të një pjese, është futur në konkurim. Jo gjithmonë kur votohesh në Parlament, aq më shumë me mekanizmat e votimeve parlamentare, unë e di fare mirë atë pjesë, sepse kam eksperiencën parlamentare, ndonjëherë votimet atje janë të kondicionuara edhe nga përkrahje të çastit, të cilat kurrsesi nuk prekin figurën mjaft të mire të zonjës që unë e kam dekretuar si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Gazetari: Janë ndërkohë tre anëtarë të Gjykatës së Lartë pa u zëvendësuar. Edhe për këta ka patur polemika. Keni patur probleme me zotin Berisha për këta?

Presidenti Topi: Absolutisht jo! Jemi në një fazë kur ne e kemi rrugën të hapur për të dekretuar anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe po jua them që ka qenë një problem që lidhej me një hendikap të fortë, që lidhej me atë marrëdhënie që ishte midis Parlamentit dhe Institucionit të Parlamentit për kandidaturën e zonjës Gaba, ju e dini fare mirë. Parlamenti nuk ishte shprehur në votim për këtë kandidaturë. Këtë punë nga pikëpamja proceduriale sot e ka lehtësuar, kuptohet në thonjëza, vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që e ka penalizuar zonjën Gaba për shkelje të natyrës administrative në gjykim, ç’ka do të thotë që nuk ka snjë lloj pengese apo keqinterpretimi të natyrës proceduriale që do të pengonte futjen e dy kandidaturave të reja në Parlament. Pra jemi në një fazë të detyrueshme konsultimi. Unë jam i detyruar të konsultohem edhe me grupet parlamentare pikërisht për profilin e këtyre kandidaturave, sepse jemi në një atmosferë kur ata që do të futen në drejtësi, ndonëse janë dhe duhet të jenë të shkëputur nga partite, por gjithmonë janë pjesë e vendim-marrjes në Parlament dhe është e natyrshme që do të konsultohem.

Gazetari: Në fakt, gjatë gjithë kësaj kohe i kemi rënë rrotull me pyetje duke u marrë me prokurorin, duke u marrë me çështje të KLD-së, apo Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo që na intereson dhe që unë dua t’ju bëj pyetjen drejpërdrejtë është kjo: a është Presidenca e sotme nën drejtimin tuaj, një qendër e re pushteti në Shqipëri, rol të cilin me thënë të drejtën e humbi paksa në kohën kur zoti Moisiu ishte President i Republikës dhe ai iu kundërvu shumicës?

Presidenti Topi: Po t’ju them se sa është dita ime e punës, ju nuk do ta besoni. Ju siguroj që nga dita ime e punës mbeten gjëra që duhet të realizohen të nesërmen, ç’ka do të thotë që veprimtaria e këtij institucioni nuk është një veprimtari e nxitur artificialisht. Ky Institucion ka peshën e vet që nuk ia jep individi kurrsesi, por individi është i detyruar t’i shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore dhe kushtetuese dhe natyrisht t’i japw peshën, pavarësisht se ç’lloj subjektivizmi ka patur lidhur me këtë Institucion. Gjithmonë kam dëgjuar në të kaluarën që janë munduar që ta zhvleftësojnë rolin e këtij Institucioni, ndërkohë që ky Institucion është shumë i rëndësishëm. Pra është institucioni kryesor i shtetit ku përfundojnë të gjitha ligjet, dekretohen, dekretohen funksione shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me drejtësinë, është Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe shumë veprimtari të tjera që lidhen me natyrën e Institucionit të Presidentit. Pra unë po mundohem të shkoj pikërisht në shfrytëzimin e të gjitha hapësirave institucionale që kanë të bëjnë me këtë institucion.

Gazetari:Patjetër, por vetëm që ka qenë zoti Kryeministër, zoti Berisha ai që herë pas here do të themi, ka dashur që ta trondisw Institucionin e Presidencës sa herë nuk i kanë ecur mirë punët me këtë Institucion ose nuk e ka gjetur gjuhën me këtë Institucion.

Presidenti Topi: Ju po mundoheni që të shkoni vetëm tek një emër. Unë mendoj që ajo që ka ndodhur në të kaluarën, ndodh edhe sot kur pa qenë nevoja që të fokusohemi në një sulm tw paragjykuar me komplekse ndaj Institucionit të Presidentit bëhet e rëndomtë. Pra e kam fjalën këtu që vërtet nuk ka një ligj specifik për Institucionin e Presidentit, por ka Kushtetutë dhe ligje që rregullojnë veprimtarinë e këtij Institucioni. Dhe fakti që në fokus për çështje mjaft të rëndësishme mbetet ky Institucion, do të thotë që ai ka peshën e padiskutueshme, të pakontestueshme. Pastaj gjithçka ka të bëjë me vizionin e politikanëve apo të analistëve për ta vendosur Institucionin aty ku dëshirojnë ata. Duan, s’duan, ky është një Institucion, i cili ka realisht rol fondamental, bashkë me Parlamentin, bashkë me qeverinë, bashkë me institucionet kushtetuese në rregullimin e jetës institucionale të shtetit, për t’i dhënë fizionomi të vërtetë shtetit tonë, i cili më shumë se kurrë është afër sfidave të integrimit, dhe këto nuk vijnë në mënyrë artificiale duke u bllokuar, sikurse e thashë në fillim të bisedës, por vijnë në një shtrat të natyrshëm. Dhe besoj se kjo është fituar çdo ditë. Sot ne jemi të pranishëm jo vetwm në zhvillimet e brendshme në politikë, por aktorët kryesorë të shtetit sot janë në tryezat rajonale, janë në institucionet më të rëndësishme të Europës dhe të globit, janë në kontakte zyrtare me personazhet më të rëndësishme të politikës botërore, janë pjesë dhe konsiderohen sot si aktorë shumë të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal. Nuk besoj që kjo bëhet nga aktorë, të cilët rastësisht janë në këtë pozicion. Por është një pozicion shumë i rëndësishëm dhe roli moderator i institucioneve të Shqipërisë sot në rajon është mjaft i vlerësuar. Përfytyroni një rajon që realisht ka problemet e veta, kur shtrohet çështja e Kosovës, një çështje mjaft delikate, në pragun e fitimit të pavarësisë, kur çështja e Maqedonia ka patur problemet e veta, kur raportet mes Greqisë dhe Maqedonisë kanë qenë të acaruara, atëherë faktori politik e institucional i Shqipërisë ndryshe nga e kaluara, siç etiketohej, sot është një faktor moderator i vlerësuar nga bota e përparuar.

Gazetari: Pikërisht për këtë kontekst rajonal dhe presidencën tuaj, pikërisht për Maqedoninë, për Kosovën, për Greqinë etj., do të flasim në pjesën tjetër të emisionit, por dua ta kaloj edhe një herë fjalën tek zotërinjtë Çili dhe Nazarko.

Henri Çili: Në fakt kisha dy pyetje për zotin President meqënëse jemi në periudhën e emërimeve të rëndësishme për dy gjykata shumë të rëndësishme siç është Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat kanë një rol shumë të madh për të gjithë sistemin pse jo dhe për ekuilibrat politikë. Cila është teknika juaj zoti President në mbledhjen e kandidaturave, sepse po të shohim presidentët paraardhës, apo traditën e paraardhësve tuaj, vazhdimisht kanë qenë kandidatura që kanë anuar nga mazhoranca parlamentare dhe kanë përforcuar, ose kanë theksuar aksesin e mazhorancës të momentit në këto institucione. Ky është momenti i parë dhe momenti i dytë, cilat janë marrëdhëniet tuaja me kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe po qe se marrim si të mirëqenë faktin se marrëdhëniet e drejtuesit të këtij institucioni me Kryeministrin nuk janë aq të mira, a është diskutuar në këto gjashtë muaj me Kryeministrin për një reformë në drejtimin e këtij institucioni.

Presidenti Topi: Lidhur me pyetjen e parë mund t’jua kontestoj që në çastin e parë. Fakti që zonja Vitore Tusha, e cila është dekretuar nga ana ime para dy ditësh ka qenë dekretuar nga zoti Moisiu, tregon se nuk ka shumë bazament tek konteksti i pyetjes tuaj, ç’ka do të thotë që unë jam i çliruar totalisht nga ato propozime që mund vijnë nga subjektet politike. Ka një politikë administrative, depozitohen në Presidencë kohë pas kohe kërkesat e gjyqtarëve, që kanë karrierën e tyre, dhe deri më sot nuk kam absolutisht asnjë lloj propozimi që vjen nga partitë politike parlamentare. Unë e konsideroj një fakt shumë të rëndësishëm dhe nuk janë pak emra, janë shumë emra që rrijnë atje dhe që presin të vlerësohen edhe mbi bazën e konsultimeve dhe unë them fatmirësisht, sepse kemi ardhur në atë moment kur partitë politike po e shikojnë që nuk duhet të ndërhyjnë në nominimin e njerëzve, që janë të destinuar për institucionet më të rëndësishme të drejtësisë, ndonëse e kanë detyrim kushtetues që të votojnë për këta kandidatë. Unë mendoj se kemi ardhur në një moment shumë të rëndësishëm, kur duhet të vlerësohet në radhë të parë integriteti i individit, që do të propozohet, do të dekretohet, profesionalizmi dhe respekti që ka në komunitetin e gjyqtarëve. Besoj që po të shkojmë metodologjikisht në këto linja do të jemi larg gabimeve dhe besoj edhe të komplekseve që krijohen në raste të tilla nominimi.

Përsa i përket pyetjes së dytë ju siguroj që kam marrëdhënie institucionale mjaft korrekte me shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar. Është një shërbim mjaft i rëndësishëm, mjaft delikat. Unë nuk i kam ato informacione që juve i dispononi zoti Çili për marrëdhëniet me të tjerët, por mund t’ju them që asnjëherë nuk është zhvilluar një bisedë për nevojën e zëvendësimit të kryetarit aktual të Shërbimit Informativ.

Gazetari: Pra Kryeministri nuk është shprehur në lidhje me ...

Presidenti Topi: Absolutisht, përkundrazi dhe kur them përkundrazi kam parasysh pozicionin tim, kam pasur rastin që të shprehem për peformancën e institucionit në radhë të parë. Është një institucion që kërkon shumë kujdes në administrim, është një institucion, i cili kooperon në mënyrë shumë të kualifikuar dhe e quaj të tepërt që të zgjatem më tej, por ju siguroj që bashkëpunimi është mjaft i frytshëm dhe shumë profesional, pa marrë parasysh që ka qenë pjesë e nominimit nga administrata tjetër. Kjo është pjesë e rëndësishme e vizionit se si perceptohet një figurë shumë e rëndësishme e një institucioni kushtetues, që duhet të jetë totalisht i pavarur nga politika dhe partitë.

Studente: Zoti President në radhë të parë doja t’ju komplimentoja për një lloj simpatie që ju gëzoni në popull, tek njerëzit. Ndoshta kjo ka të bëjë me rolin tuaj shumë të moderuar edhe gjatë jetës politike. Megjithatë duke u nisur edhe nga intervistat që ne ndoqëm pak më parë, nga opinioni i tyre, unë do të doja që të bëja një lidhje tjetër që ka të bëjë me reformën në drejtësi. Njerëzit kanë filluar të perceptojnë gjatë kohës që ju jeni në pushtet një lloj ndryshimi, ndryshime të njëpasnjëshme, të shpeshta. Filloi me Prokurorin e Përgjithshëm, vazdoi me një sërë prokurorësh të shkarkuar, vazhdoi me 14 gjykatës të liruar, që kanë ndryshuar. Natyrshëm lind pyetja po më mbrapa çfarë do të ndodhë? Njëkohësisht do të doja të dija opinionin tuaj që besoni vërtet se do të ketë vërtetë tek njerëzit e thjeshtë një lloj impakti gjithë kjo reformë në drejtësi, pra ulja e korrupsionit do ta përmirësojë jetën e tyre, sepse njerëzit mbi të gjitha shohin tek figura juaj një person, i cili madje mund të ketë pushtet mbi vetë qeverinë dhe kreun e tij që është nga figurat mjaft të forta?

Presidenti Topi: Faleminderit për pyetjen! Besoj se nuk është mirë që t’i konsiderojmë shkarkime, sepse ata janë pjesë e gjyqësorit. Edhe prokurorët janë pjesë e sistemit të prokurorisë, sikurse ndodh në jetën e përditshme në profesione të ndryshme që ka nevojë për qarkullime, që ka nevojë për ristrukturime, asgjë e veçantë nuk ka ndodhur edhe në prokurori. Po bëhet një ristrukturim dhe kuptohet që edhe sikur Prokuroria të ishte konsideruar me nota mjaft pozitive, që nuk ka qenë kështu, ju e dini jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga opinioni shoqëror, edhe nga institucionet e pavarura, edhe nga institucionet ndërkombëtare, ka pasur mjaft nota kritike për nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Pra, ai që sot përdor si alibi heqjen e kreut të institucionit, unë them që është gabim, sepse ky institucion në radhë të parë, por edhe institucione të tjera që lidhen me drejtësinë kanë pasur nevojë jetike që të rigjenerohen dhe ky rigjenerim në radhë të parë do të vijë nga emërimi, nominimi i personave, të cilët i kanë të gjitha standardet për të drejtuar këto insitucione dhe në mënyrë shumë luajale të bëjnë reformat, që do të vijnë patjetër në harmoni të plotë edhe me reformimin e ligjeve që rregullojnë këto institucione. Nga kjo pikëpamje unë mendoj që drejtësia do të rikthehet hap pas hapi në Shqipëri. Nuk mund të them që drejtësia do të vijë brenda 24 orësh, sepse kemi kaluar 17 vite tranzicion me mjaft probleme. Ajo që sot është më e sulmuara në Shqipëri, është pjesa e dhënies së drejtësisë, sepse po të çoni mikrofonin, në rast se ka vlerësime relative për një personazh të politikës, kur vjen puna tek drejtësia, vlerësimet do të jenë shumë negative. Pra, është e domosdoshme që të ndryshojë imazhi i institucioneve të Shqipërisë, po ndryshon ligji, do të ristrukturohet drejtësia, do të vendosen në krye të këtyre institucioneve njerëz që konsiderohen me parametra të vlerësueshëm dhe unë besoj që jo vetëm drejtësia, por edhe institucione të tjera do të jenë pjesë e një klime, ku hap pas hapi do të vendoset shtetit i së drejtës, ndryshe nuk do të kemi shanse që të pranohemi në familjen evropiane, aty ku drejtësia sigurisht është mjaft e stabilizuar, ndonëse ka problemet e veta, që është e natyrshme për çdo vend.

Studenti Elton Baxhaku nga Universiteti Evropian i Tiranës: Pyetja ime është, sa legjitim ndiheni ju duke marrë parasysh zgjedhjen tuaj, duke marrë parasysh edhe pozitën e opozitë së sotme dhe qëndrimet që ata kanë ndaj jush?

Presidenti Topi: Faleminderit! Në këto momente që ne po flasim, edhe një vend i BE-së që është Çekia, është në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Janë konsumuar tre raunde për të zgjedhur Presidentin e ri të Çekisë dhe nuk kanë rezultuar të suksesshme, ç’ka do të thotë që qoftë sipas asaj që kemi në Kushtetutën e Shqipërisë, ku gjithçka është e parashikuar me një votim me tre të pestat në Parlament, pra nga 140 vetë, duhen minimalisht 84 vota për të zgjedhur Presidentin, qoftë edhe në atë terren demokratik, sikurse janë zhvilluar të gjitha zgjedhjet e Presidentëve në Parlamentin shqiptar, unë besoj që jemi totalisht brenda rregullave të lojës. Çështjet e kërkesës për një konsensus të gjerë për Presidentin janë më shumë dëshira të partive për ta futur procesin e zgjedhjes së Presidenti një proces jashtë Kushtetutës. Tani po diskutoj gjashtë muaj pasi jam zgjedhur, duke mos qenë pra në klimën e zgjedhjes së Presidentit për të interferuar, por sot jam në gjendje të bëj një analizë të ftohtë. Partitë politike në momentin kur kanë dashur t’i shmangen momentit për zgjedhjen e Presidentit, kanë qenë pjesë e atyre marrëveshjeve, që e bëjnë zgjedhjen e Presidentit me një term, me konsensus, por që i largohen në mënyrë të ndjeshme Kushtetutës. Përfytyroni që janë po këto personazhe që kur ia do nevoja, e përdorin sigurisht Kushtetutën për të mbrojtur variantet e tyre të diskursit politik. Unë që sot jam në pozicionin e Presidentit, i jap nota maksimale respektimit të Kushtetutës. Përderisa ka qenë brenda linjës së Kushtetutës dhe rregullave, unë besoj që çdo lloj diskutimi është i tejkaluar.

Gazetari: Është shumë shpejt në fakt për të folur tani, sepse ka edhe katër vjet e gjysëm kohë, por është një pyetje që e kam patur me kohë ndërmend. Në traditën e vendeve parlamentare siç është Shqipëria Presidenti në përgjithësi është kurorëzimi i një jete politike dhe ndodhet në përgjithësi një njeri më i shtyrë në moshë që e mbyll aty karrierën e vet politike, pikëriësht duke qenë President i Republikës. Ju ç’keni vendosur të bëni, do të mbyllni karrierën tuaj politike, do të kërkoni një mandat të dytë, do t’i riktheheni partisë?

Presidenti Topi: Më vjen keq që duhet të bëj sot një paralelizëm që nuk ka lidhje me këtë punë. Në momentin kur po bëheshin zgjedhjet e Presidentit në Shqipëri, kishte shumë gjykime interesante të njerëzve që kërkonin me çdo kusht të kontestonin pjesëmarrjen time në një garë. Pra pasi u konsumuan të gjitha argumentet, vjen një argument shumë i çuditshëm se është mjaft i ri për të qenë President. Unë i kam mbushur 50 vjeç dhe këta njerëz që kanë përdorur gjithmonë dy standarde, harrojnë që në Kushtetutë është mosha 40 vjeçare dhe nuk besoj që ka qenë një ndërmarrje subjektive e grupit që ka ndërtuar Kushtetutën, i është referuar edhe kushtetutave të tjera. Kur thashë që nuk doja të bëja këtë paralelizëm, kur për Shqipërinë, një vend i vogël, një 50 vjeçar konsiderohet shumë i ri në institucionin e Presidentit, çfarë mund të themi për Barak Obamën, që është 44 vjeç, që është shumë i mundshëm për të drejtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazetari: Është tjetër sistem. Është kryetari i ekzekutivit.

Presidenti Topi: Por pavarësisht, nuk ka lidhje, lidhet me kapacitetet biologjike intelektuale të një moshe të caktuar dhe unë që jam marrë me studime në biologji mund t’ju them se jo rastësisht mosha 40 vjeç, konsiderohet si mosha ndarëse për një aktivitet, i cili mund ta vendosë këtë person edhe në krye të një institucioni shumë të rëndësishëm, është mosha e sintezës së mendimit dhe besoj se kulmi i sintezës së mendimit në këtë moshë, këtu fillon dhe vazhdon më tej. Kështu që nuk ka lidhje fare se cili është intensioni i njeriut që sot është Presidenti i Republikës. Unë jam i angazhuar, sepse sa kam përfunduar gjashtë muaj në këtë pozicion, jam i angazhuar që të shoh me shumë kujdes të gjithë periudhën që duhet të përmbyll, pra deri në vitin 2012. Askush nuk do të kishte të drejtën të paragjykonte se çdo të ndodhë pas këtij viti. E rëndësishme është që të plotësojmë detyrimet që kemi, pastaj sigurisht që në atë moshë, unë nuk do të shkoj në pension, ju siguroj për këtë. Kam ardhur në politikë pasi kam bërë një karrierë shumë të mirë në kërkimin shkencor. Ju siguroj që të gjitha fushat janë të hapura, këto variantet e hapura që të jep demokracia, mund të qëndrosh prapë në politikë, mund të shkosh në profesion, pra nuk dua të parashikoj asgjë sot pasi janë edhe katër vite e gjysëm për të përmbushur këto detyrime për të cilat jam votuar.

Gazetari:Jemi kthyer në pjesën e fundit të emisionit, në këtë emision të drejtpërdrejtë nga Pallati i Brigadave dhe nga studio e Top Show-t me Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, si dhe me dy kolegët e mi që janë në studion e Top Show-t, Henri Çili dhe Mentor Nazarko.
Do të flasim tani për disa çaste shumë të rëndësishme që janë të ditës dhe që kanë të bëjnë me rajonin. Kosova për pak ditë do të shpall pavarësinë e saj. Cilat janë mesazhet tuaja për atë ditë?

Presidenti Topi: Mesazhet janë dhënë prej kohësh. Nuk besoj që të ketë mesazhe të reja, sepse ka qenë një proces mjaft i gjatë, një proces i lodhshëm, ka qenë një proces që ka na përfshirë të gjithëve. Mesazhi që mund të jepet për atë ditë është edhe ai që jep komuniteti ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme që të administrohet në mënyrë shumë të qetë Dita e Shpalljes së Pavarësisë, që tashmë është në prag. Këtë mesazh e kanë dhënë edhe liderët politikë kosovarë, sepse duhet të kemi parasysh jo vetëm realitetin që ekziston në Kosovë, si një realitet politik që i kalon kufijtë e Kosovës, me koniuktura të caktuara politike ndërkombëtare, por mbi të gjitha për të dhënë një sinjal shumë pozitiv për gjithë popullsinë dhe minoritetet serbe e të tjera që jetojnë në Kosovë.
Unë besoj se, kohë pas kohe, janë dhënë mesazhe qoftë nga Presidenti i Kosovës, zoti Sejdiu, qoftë nga Kryeministri Thaçi. Kanë qenë veprime mjaft të matura e të zbutura për t’i dhënë qetësi popullsisë serbe që të mos jenë pjesë e manipulimeve që vijnë nga qarqe të caktuara, që të jenë pjesë e trazirave; përkundrazi për ta pritur këtë çast të lindjes së shtetit të ri me një mundësi të plotë për të jetuar në harmoni mbi bazën e të gjitha standardeve që përcaktohen nga Këshilli i Evropës e që përfshihen edhe në Planin e zotit Ahtisaari.

Gazetari : Ndërkohë, shtypi dhe mediat folën për një incident që ndodhi gjati vizitës suaj triumfale, ta quajmë, në Kosovë. Zëvendësministrja, e cila është diskutuar gjatë për postin e Ambasadores në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte kërkuar që të mos ju jepej juve titulli “Honoris Causa”, të cilin ju e mbani tashmë në zyrën tuaj, por ai t’i jepej vetëm Kryeministrit Berisha. Cili është versioni juaj?

Presidenti Topi: Absolutisht jo, janë trillime që vijnë për fat të keq, nga një pjesë e medias dhe në një çast shumë të rëndësishëm kur e gjithë media duhet të jetë shumë e kujdesshme, pikërisht në klimën që kërkohet në prag të pavarësisë së Kosovës. Aq më shumë këto dalin në çastin kur Presidenti ishte në Kosovë.

Unë mund ta deklaroj këtu që zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, zonja Harxhi, ka qenë pjesë mjaft aktive e mbështetjes së kësaj vizite dhe dëgjojeni këtë drejtpërdrejt, pikërisht, nga goja ime.
Kur them se media duhet të jetë shumë e kujdesshme, kam parasysh edhe ndonjë fakt mjaft tronditës, dhe ky nuk është faji im, sepse ju e dini fare mirë që unë jam munduar gjithmonë që të jem në mbrojtje të së drejtës të gjithsecilit edhe për sa u përket interceptimeve apo përgjimeve telefonike. Në rrjetën e interceptimeve që u bëhet agjenturave serbe në Shqipëri, ditët e fundit, është peshkuar edhe një eksponent i medias, i cili në kulmin e vizitës së Presidentit në Kosovës, i jepte garanci agjentit serb: “Shikoni se ç’do t’i bëj Presidentit në gazetë, sepse Presidenti kishte akuzuar politikën serbe dhe ruse që po minon procesin e paqes dhe marrjes së pavarësisë së Kosovës.”

E përdora këtë si argument për të thënë se në situata kaq delikate, kur të gjithë janë shumë të kujdesshëm, që të krijojnë një terren sa më të favorshëm, media duhet të sinkronizohet dhe të mos merret me elementë që nuk ekzistojnë. Absolutisht, nuk ka pasur asnjë lloj situate të tillë për të penguar vizitën e Presidentit, përkundrazi, znj.Harxhi ka qenë pjesë shumë aktive, së bashku me të tjerët, kabineti i punës i Ministrisë së Jashtme dhe kabineti i Institucionit të Presidentit, të cilët kanë bërë të mundur që, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, të realizojnë një vizitë triumfale. E kam thënë edhe herë tjetër, nuk është pritur nominalisht Bamir Topi atje, por është pritur Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Çdo president që do të shkonte në Kosovë në këtë situatë, do të pritej me bujarinë e vëllezërve kosovarë; nuk është se u prita vetëm unë, u prit i gjithë delegacioni, i cili përbëhej nga deputetë, ministra, biznesmenë, njerëz të artit, kulturës, njerëz që janë bërë shumë familjarë për familjet kosovare. Ne duhet që patjetër t’u largohemi këtyre etiketimeve që nuk i shërbejnë punës dhe në një moment shumë të rëndësishëm, kur vëmendja duhet të jetë e përqëndruar pikërisht te çasti final, që është Shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Administrimi i ditëve të mëpasme do të shkojë në qetësi kur Kosova do të jetë shteti i ri që çdo ditë do të fitojë sigurinë e vet, gazetarët merren me çështje të tilla, të cilat për fat të keq, në çaste të caktuara janë shumë të dënueshme.

Gazetari: Duhet ta dimë emrin e këtij gazetari?

Presidenti Topi : Absolutisht jo! Unë e përdora në kontekstin e shpjegimit të nevojës që të gjithë duhet të kontribuojmë, të gjithë: institucionet e shtetit, politika, media dhe të gjithë të jemi shumë të kujdesshëm për t’i kontribuar këtij çasti. Ju e dini se çka ndodhur atje. Ju e dini se ç’ ka bërë populli i Shqipërisë gjatë kohës së eksodit biblik; janë përpjekur e martirizuar shumë njerëz. Pikërisht në këto çaste që konsiderohen shumë delikate dhe kur gjithçka duhet të trajtohet në mënyrë shumë fine, ekzistojnë edhe situata të tilla, ekzistojnë edhe elementë të tillë, të cilët kërkojnë të intoksikojnë një situatë që vetëm ata e dinë pse e bëjnë.

Gazetari: Do ta marrë Shqipëria ftesën për në NATO?

Presidenti Topi: Unë jam mjaft optimist nga të gjitha takimet që kemi zhvilluar dhe, nga të gjitha informacionet e fundit Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Kroacinë, së bashku në bllok, do të marrin ftesën për t’u anëtarësuar në NATO. Po bëhen të gjitha përgatitjet ceremoniale për takimin në Bukuresht. Kam një optimizën real se Shqipëria do ta marrë këtë ftesë dhe kjo do të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë.

Gazetari : Duke mbetur pak te Maqedonia dhe Greqia, duket ose të paktën Greqia do të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, për shkak të emrit të saj.

Presidenti Topi: Unë besoj se në këtë proces bisedimesh që po zhvillohen midis autoriteteve greke dhe maqedonase, do të gjendet ai rregullim i terminologjisë së emërtimit të shtetit maqedonas në raport me Greqinë; besoj se janë elemente të dorës së dytë, duke u krahasu

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›