E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret një përfaqësi të Shoqatës Kombëtare të Jetimëve.

14 shkurt, 2008

Presidenti i Republikës Bamir Topi, priti sot në një takim të veçantë një përfaqësi të Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë të kryesuar nga kryetari i Shoqatës Kadri Alia.

Përfaqësuesit e Shoqatës i paraqitën Kryetarit të Shtetit problemet, me të cilat hasen në fushën e arsimimit, të strehimit, të kujdesit shëndetësor, etj.

Duke përcjellë me ndjeshmëri, por edhe detyrim institucional shqetësimet e kësaj kategorie të popullsisë, Presidenti Topi i ka sugjeruar përfaqësisë së Shoqatës që të mos hezitojnë të paraqesin kërkesat e tyre në të gjitha ato institucione të ekzekutivit, që janë të ngarkuara me ligj për zgjidhjen e tyre.

Lidhur me çështjen e strehimit, për të cilën qeveria ka miratuar fondin për banesat sociale, Presidenti i Republikes, u sugjeroi përfaqësuesve të Shoqatës që të nisin pa humbur kohë dialogun me autoritetet lokale dhe Ministrinë e Punës, të Çështjeve Sociale e të Shanseve të Barabarta për zgjidhjen e këtij problemi.

Presidenti i Republikes ftoi gjithashtu Shoqatën, që problemet e jetimëve t’i pasqyrojnë në media duke bërë kështu sensibilizimin e gjithë shoqërisë për hallet e tyre.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e Shoqatës e falenderuan Presidentin e Republikës për mbështetjen e dhënë dhe i përcollën ftesën e tyre për të marrë pjesë në aktivitetet e 20 Majit, Ditës Kombëtare të Jetimëve Shqiptarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›