E Martë, 3 Nëntor 2026

Investimet e qeverisë në qarkun e Tiranës arrijnë 2,17 miliardë euro

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njoftoi sot se investimet e qeverisë në qarkun e Tiranës arrijnë në vlerën totale prej 2,17 miliardë euro.

Këtë informacion ai e bëri të ditur gjatë një takimi me banorët e Petrelës, ku theksoi angazhimin e shtetit për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë zonë.

Gjatë fjalës së tij, Rama shtoi se investimet për zhvillimin e bujqësisë në këtë rajon llogariten në 38 milionë euro, ndërsa ato për shëndetësinë dhe kujdesin social kapin shumën prej 290 milionë euro. Po ashtu, për arsimin janë alokuar 235 milionë euro.

Në lidhje me rindërtimin pas dy tërmeteve të fuqishme, Kryeministri informoi se qeveria ka financuar një investim prej 60 milionë euro, që ka mundësuar hapjen e 16 mijë dyerve për qytetarët e Tiranës.

Gjithashtu, Rama theksoi se janë financuar 307 milionë euro për ndërhyrje urbane në të gjithë qarkun, ndërsa në sektorin e infrastrukturës rrugore janë realizuar 511 projekte që përfshijnë 333 kilometra rrugë.

“Sot, 95% e infrastrukturës në zonën rurale është prekur, qoftë me rrugë të asfaltuara, apo ato që quhen rrugë të bardha”, deklaroi kryeministri Rama.

Në fushën e energjetikës, për qarkun e Tiranës janë investuar 36 milionë euro në 48 projekte, ndërsa për ujësjellës-kanalizimet janë realizuar 42 projekte me një vlerë totale prej 49 milionë euro. Rama theksoi gjithashtu se afro 70% e Tiranës tani ka ujë 24 orë.

Për sektorin e turizmit dhe mjedisit, qeveria ka investuar 31 milionë euro, ndërsa për kulturën janë financuar 15 projekte me një vlerë totale prej 113 milionë euro.

Kryeministri theksoi rëndësinë e investimeve në kulturë, duke nënvizuar se kjo është një domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit dhe gjenerimin e lëvizjes ekonomike në kryeqytet.

“Investimi në kulturë është domosdoshmëri për një kryeqytet si Tirana, i cili është në funksion të turizmit dhe krijon mundësi për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike”, u shpreh Rama.

Në përfundim, kryeministri Rama theksoi angazhimin e qeverisë për të vazhduar me investime të tjera në Tiranë dhe për të përmirësuar më tej kushte e jetesës për qytetarët. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›