Rama me votues të parë në Tiranë: Keni privilegjin të kontribuoni më 11 maj për Shqipërinë në BE

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë që drejtojnë fushatën “Votues i Parë për Pasaportën Europiane”.
Në fjalën e tij Rama u shpreh mirënjohës për angazhimin e të rinjve në një fushatë e cila theksoi ai, “ka një rëndësi historike për Shqipërinë”.
“Dëshiroj që ta dini si votues të parë që nuk qëllon çdo herë, madje shumëkujt mund t’i qëllojë që të votojë gjithë jetën edhe mos ta ketë mundësinë të shkojë në votim dhe në dorën e tij, tek vota e tij të ketë edhe privilegjin që të kontribuojë për diçka historike”, tha Rama.
Rama foli për zgjedhjet historike të vitit 1992.
“Shqipëria ka afro 35 vjet tanimë që voton, por një herë vetëm shqiptarët kanë pasur zgjedhje kur në dorën e tyre ka ardhur historia dhe kur vajtja në kutitë e votimit ka qenë takim me historinë. Kjo ka ndodhur në momentin kur shqiptarëve iu dha mundësia të zgjedhin pas shumë kohësh, dekadash që s’kishin mundur më të zgjidhnin dhe kur iu dha mundësia të vendosin drejtimin e vendit, për të shkuar përpara apo për të mbetur mbrapa. Për të zgjedhur Shqipërinë në Evropë apo Shqipërinë larg Evropës dhe kjo është arsyeja pse në ato zgjedhje një shumicë shumë më e madhe sesa shumica që mbështesnin një parti, në atë kohë PD-në, votoi për atë parti. Jo sepse ishin të gjithë me atë parti, por sepse në atë moment e vetmja zgjedhje ishte ajo që populli shqiptar në shumicë bëri për të përqafuar më në fund Evropën dhe për t’i hapur rrugë një historie tërësisht të re”, tha Rama.
“Në gjithë këto viti kanë ndodhur shumë gjëra në Shqipëri, ka pasur momente shumë dramatike, ka pasur zgjedhje në momente që fatmirësisht ju nuk i keni jetuar. Prindërit tuaj patjetër që i kanë jetuar. Por në 11 maj është rikthyer mundësia në duart e shqiptarëve për të bërë histori në ditën e votimit”, theksoi Rama.
Rama theksoi se BE është një shtëpi e madhe, është një shtëpi e pasur, por nuk është një shtëpi që e mban derën hapur gjithmonë.
“BE është një shtëpi dera e së cilës hapet dhe mbyllet. Hapet në një moment të caktuar, për të futur brenda dika apo disa dhe mbyllet për shumë kohë. Pastaj hapet dhe pastaj mbyllet përsëri. I tillë është ky proces i zgjerimit të asaj shtëpie. Sot në atë shtëpi janë 27 vende që vendosin të gjitha së bashku. Nuk vendoset me shumicë, vendoset me konsensus, duhet të bien dakord të 27-të për të hapur derën”, tha Rama.
Kështu që, shtoi Rama, “ti mund të jesh gati ose mund të kesh një dëshirë shumë të madhe, mund të kesh gjithë përkushtimin tënd që t’i nënshtrohesh rregullave të asaj shtëpie, mund të rrish duke i rënë asaj dere pa pushim. Dera nuk hapet. Dera hapet kur ata janë po ashtu gati dhe janë po aq të interesuar sa ti që ti të hysh brenda dhe ky moment nuk vjen kur do ti”.
Ama, theksoi Rama, “ajo që ti duhet të bësh është të përgatitesh përditë e përditë, e përditë që kur ky moment të vijë ti të jesh tek pragu i derës se ndryshe nuk ia del dot”.
“Ne kur kemi ardhur në detyrë në mandatin e parë kemi qenë shumë larg asaj dere. Të tjerët kanë qenë shumë më pranë”, tha Rama.
Pyetjes se pse Shqipëria nuk u fut në Shqipëri në 3 mandate, Rama iu përgjigj se, “nuk funksionon sipas dëshirës apo sipas gatishmërisë tënde, por funksionon sipas dëshirës reciproke dhe gatishmërisë reciproke”.
Ndërkohë Rama solli shembullin e vendeve të tjera të rajonit
“Si shpjegohet që Mali i Zi që ka filluar negociatat përpara se PS dhe Edi Rama të vinin në qeveri në 2012-ën nuk është akoma anëtar i BE-së. Po si ka mundësi që Serbia që i ka filluar negociatat në 2014-ën kur ne Shqipëria nuk ishim akoma as kandidat nuk është anëtare e BE-së. Po si ka mundësi që Maqedonia ka ndërruar edhe emër, është bërë Maqedonia e Veriut, kandidate që në 2005-ën, nuk është anëtare e BE-së”, tha Rama.
Ndërkohë që, shtoi Rama, “Shqipëria negociatat i ka filluar vjet dhe ka në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027”. /j.p/
1 nga 4