E Hënë, 2 Nëntor 2026

Inxhinieria detare në Shqipëri, Cacaj: Tregu i punës është i kufizuar, por potenciali i madh. Të bëhet i detyrueshëm inxhinieri naval në anije

Dr. Pëllumb Cacaj, përgjegjës i Departamentit të Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare në Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të inxhinierisë detare në Shqipëri, duke nënvizuar se vendi ka potencial të madh për t’u zgjeruar në këtë sektor.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ai u shpreh se programi i studimit për inxhinierinë detare në Universitetin e Vlorës ka për qëllim përgatitjen e mekanikëve që kujdesen për funksionimin e sistemeve kryesore të anijeve, të cilat ai i cilësoi si “zemra” e tyre.

Cacaj theksoi se aktualisht tregu i punës në këtë sektor është disi i kufizuar, por sipas tij, zhvillimet në fushën e turizmit detar, pritet të rrisin nevojën për specialistë të kësaj fushe. Ai shtoi se programi i studimit është përfshirë nga qeveria në listën e degëve prioritare, çka u mundëson studentëve që ndjekin këtë degë të përfitojnë mbështetje financiare nga shteti. Sipas tij, Shqipëria ka një vijë bregdetare të konsiderueshme dhe potencial të madh për zhvillimin e industrisë detare. Për këtë arsye, ai theksoi se është e domosdoshme ndërtimi i kantiereve detare për prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve, si dhe për flotën e peshkimit, duke shtuar se ekonomia shqiptare ka nevojë për më shumë anije dhe rrjedhimisht për më shumë specialistë të kësaj fushe.

“Aktualisht tregu i punës, detaria, tani janë një numër disi i kufizuar, por me kërkesat që po zhvillon Ministria e Mbrojtjes, tregu turistik, ku është e nevojshme rritja e numrit të anijeve, është e nevojshme që numri i studentëve të jetë më i madh. Qeveria këtë program studimi e ka futur në degët prioritare që studentët që vijnë në këtë program studimi, nga shteti marrin rrogë minimale. Dhe një pjesë e tyre, krahas studimeve plotësojnë dhe nevojat e tyre ekonomike. Shqipëria ka shumë mundësi për t’u zhvilluar, ka një vijë bregdetare të konsiderueshme. Është e nevojshme të ndërtohen kantiere detare, qoftë në prodhimin e anijeve, në mirëmbajtjen e tyre, qoftë për anijet e peshkimit. Ekonomia shqiptare ka nevojë për një numër të lartë të tyre dhe rrjedhimisht dhe për specialistë të tyre”, u shpreh ai.

Cacaj bëri të ditur gjithashtu se universiteti ka bashkëpunime me institucione të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë universitete në Spanjë, Itali, Kroaci dhe Greqi. Ai theksoi se aktualisht po punohet edhe me Università degli Studi di Bari Aldo Moro për zhvillimin e mëtejshëm të programit të studimit për inxhinierinë navale.

Sa i përket praktikës profesionale të studentëve, ai shpjegoi se universiteti ka marrëveshje bashkëpunimi me kantierin e Pashalimanit, ku studentët zhvillojnë praktikat mësimore, ndërsa mundësi të tjera ofrohen edhe në anije dhe në Porti i Durrësit.

Ai theksoi gjithashtu se programi i studimit është monitoruar ndër vite edhe nga Banka Botërore dhe nga specialistë të organizatave ndërkombëtare të detarisë, të cilët kanë kontribuar në unifikimin dhe zhvillimin e tij.

“Ne kemi kontrata marrëveshje bashkëpunimi me kantierin e Pashalimanit, ku janë dhe mundësitë më të mira për të zhvilluar praktikat mësimore. Por studentët mund të zhvillojnë praktika dhe në anije si dhe Portin e Durrësit.

Ky program studimi ndër vite ka pasur monitorime dhe nga Banka Botërore e cila është marrë me zhvillimin e këtij programi, specialist të organizatave ndërkombëtare të detarisë kanë ardhur të bëjnë unifikimin e programit të studimit. Kemi pasur bashkëpunime me universitetet e Spanjës, Italisë, Kroacisë, Greqisë, etj. Aktualisht po punojmë dhe me Universitetin e Barit për ta zhvilluar më tej këtë program studimi. Nga ministria e mbrojtjes aktualisht është shprehur interes për të pasur specialist të kësaj fushe, pasi Ministria e Mbrojtjes është duke marrë disa anije për Flotën Detare dje është e nevojshme të ketë specialist të fushave të ndryshme.

Ne kemi hapur dhe një master shkencor që lidhet me inxhinierinë e armatimit, që ndihmon inxhinierët tanë, që janë inxhinierë navale, mekanikë, apo elektrike e fushave të tjera, që të bëjnë pjesë e kësaj industrie të nevojshme për mbrojtjen e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm të detarisë”, deklaroi Cacaj.

Në fund, Cacaj nënvizoi se është e nevojshme që legjislacioni shqiptar të ndryshojë në mënyrë që prezenca e një inxhinieri naval në anije të bëhet e detyrueshme. Sipas tij, kjo do të ndikonte në rritjen e standardeve të sigurisë dhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit detar në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›