Erdogan: Lufta duhet të ndalet para se të shkatërrojë të gjithë rajonin

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, deklaroi se lufta në Iran duhet të ndalet përpara se të përhapet dhe të shkatërrojë të gjithë rajonin.
“Kjo luftë duhet të ndalet përpara se të përhapet dhe të shkatërrojë të gjithë rajonin. Nëse vazhdon, do të ketë më shumë humbje jetësh dhe pronash, dhe kostoja për ekonominë globale do të rritet edhe më shumë,” tha presidenti turk.
E mërkura, 11 mars, shënoi ditën e 12 të konfliktit në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit. Sulme me raketa dhe dronë u kryen nga të dyja palët, ndërsa Teherani ka synuar objektivat ushtarake amerikane.
Sipas AFP-së, që i referohet burimeve të medias shtetërore iraniane, janë goditur baza ushtarake në Erbil, Irak, dhe baza e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane në Bahrein. Edhe Tel Avivi u përfshi nga sulmet, ku banorët u detyruan të futen në strehimore për shkak të alarmeve për shpërthime nga sulmet ajrore.
Ushtria izraelite, IDF, vijoi sulmet ajrore edhe në Bejrut, ku u godit një ndërtesë në qendër të qytetit. Në Teheran, shpërthime u raportuan në aeroport.
Mediat ndërkombëtare raportojnë gjithashtu se një raketë goditi një anije me mallra në Ngushticën e Hormuzit. Sipas Agjencisë së Operacioneve Detare të Mbretërisë së Bashkuar, anija ishte rreth 20 kilometra në veri të Omanit. Zjarri përfshiu bordin dhe ekuipazhi u evakuua me sukses, duke kërkuar ndihmë.
/rtsh.al/