E Premte, 6 Nëntor 2026

Irani i dërgon SHBA-së një propozim të ri për programin bërthamor, Teherani vendos 7 kushte para nisjes së negociatave

Irani i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara një propozim të ri lidhur me programin e tij bërthamor, përmes ndërmjetësimit të Katarit. 

iran_nuclear

Sipas një zyrtari të lartë iranian, i cili citohet nga agjencia e lajmeve Reuters, SHBA-ja po shqyrton propozimin, por pala iraniane ka bërë të qartë se ai nuk do të diskutohet pa u plotësuar fillimisht shtatë kërkesa të paraqitura nga Teherani.

Zhvillimi vjen në një kohë kur vijojnë kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit, me Katarin në rolin e ndërmjetësit. Synimi kryesor i këtyre përpjekjeve është arritja e një marrëveshjeje që do t’i japë fund përplasjes mes dy vendeve dhe do të shmangë rifillimin e operacioneve ushtarake.

Megjithatë, palët vijojnë të kenë mosmarrëveshje lidhur me kushtet që duhet të plotësohen përpara rikthimit në tryezën e negociatave bërthamore.

Gjatë raundeve të fundit të ndërmjetësimit, Irani ka këmbëngulur që fillimisht të hiqet bllokada amerikane ndaj porteve të tij, të lehtësohen kufizimet për eksportet e naftës dhe të zhbllokohen asetet e vendit që mbahen të ngrira jashtë shtetit.

Gjithashtu, Teherani kërkon zgjidhje konkrete për çështjet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, përpara se të nisë çdo diskutim thelbësor për programin e tij bërthamor.

Nga ana tjetër, SHBA-ja kërkon që çështja bërthamore të jetë në qendër të bisedimeve që në fillim. Qëndrimet e ndryshme të dy vendeve për rendin në të cilin duhet të trajtohen çështjet mbeten një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje.

Të enjten, gazeta “The New York Times” raportoi se Irani po shqyrton propozimet e paraqitura nga ndërmjetësit lidhur me programin e tij bërthamor. Zhvillimi u cilësua nga zyrtarë si një hap i rëndësishëm përpara në përpjekjet diplomatike për të parandaluar një konflikt të ri ushtarak.

Sipas gazetës amerikane, propozimet e paraqitura në Teheran përfshijnë dispozita konkrete, pas disa javësh gjatë të cilave qeveria iraniane kishte qëndruar e palëkundur në qëndrimet e saj dhe nuk ishte shfaqur e gatshme të bënte lëshime për çështjen bërthamore.

Zyrtarët e cituar nga “The New York Times” vlerësojnë se gatishmëria e palës iraniane për të shqyrtuar këto propozime përbën një shenjë përparimi në përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga Katari.

Megjithatë, deri më tani, Teherani nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do t’i pranojë ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›