Paketa e Ramës kundër protestave, Ermal Hasimja: Qeveria po e bën situatën irrituese, shpërblen policët dhe gjobit protestuesit
Analisti Ermal Hasimja ka komentuar paketën e masave të ndërmarra nga qeveria lidhur me protestat, duke e cilësuar atë si një nismë që rrezikon të përshkallëzojë më tej situatën dhe të shtojë irritimin e qytetarëve.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Hasimja u shpreh se nëse veprimet e dhunshme të policisë në fillim të protestave mund të kenë qenë urdhra të momentit, tashmë po tentohet që këtyre veprimeve t’u jepet edhe një mbështetje ligjore.
Sipas tij, qeveria po krijon një situatë ku policët shpërblehen për veprimet e tyre, ndërsa protestuesit përballen me gjoba dhe masa ndëshkuese.
“Paketa që ka nxjerrë për protestat qeveria e bën irrituese situatën. Nëse hapat e dhunës në fillim ndaj protestuesve mund të kenë qenë urdhra të momentit, tani u bë një përpjekje për t’u veshur një petk ligjor këtyre veprimeve që janë të pamendueshme.
Tani që flasim, kemi shpërblime për policët dhe gjoba për protestuesit. Jo vetëm shpërblimi me 2 500 euro për policët, por sot u premtua edhe rritje rrogash. Qeveria i ka dhënë vetes mjete për ta bërë të dënueshme protestën sot.”, u shpreh Hasimja.
Analisti theksoi se detyra e Policisë së Shtetit duhet të jetë garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtja e së drejtës së tyre për të protestuar, ndërsa masat e ndërmarra nga qeveria synojnë pikërisht kufizimin e kësaj të drejte.
“Policia ka detyrë të mbrojë protestuesit në protestë dhe të garantojë të drejtën e tyre për të protestuar. Masat janë marrë që të parandalohet kjo e drejtë e njerëzve për të protestuar”, deklaroi ai.