E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ish-krerët e UÇK-së do kthehen në Kosovë”, Haradinaj flet për procesin në Hagë

“Ish-krerët e UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, i kanë shërbyer vendit dhe popullit të tyre.” Në një aktivitet të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili edhe vetë pati qenë pjesë e UÇK-së dhe në 2012-ën u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës për krime lufte, kërkoi lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Dëgjoni këto deklarime dhe prononcimet që po i bëjnë atje në procese gjyqësore. Ato larg janë dhe së pari dëshirojmë që të lirohen ata që po gjykohen. Janë bashkëluftëtarët tanë. Janë shqiptarë. Të vijnë në vend të vet. Por është interesante se atje, në mënyrën që po thuhet, më besoni, asgjë nuk ka të jashtëzakonshme. Ne në atë kohë të tillë kemi qenë. I kemi shërbyer vendit. Ashtu ka qenë ajo kohë dhe është dashur të punohet në atë mënyrë, por edhe në këtë kohë mundohemi të përfundojmë punët me vizion që edhe pas 20–30 vitesh, kur t’i shpjegojmë këto procese, të dalë se i kemi shërbyer vendit. I kemi shërbyer popullit. Edhe në atë kohë ka pasur kritika, nuk jemi kuptuar, pra, edhe në kohën për të cilën po flitet, edhe këto etapat e qeverisjes nganjëherë kur kam qenë kryetar qeverie, nuk është çdo gjë që më lavdojnë njerëzit. Më lavdojnë për ushtrinë, për Trepçën, por ka pasur njerëz që ma kanë zënë për të madhe në një lëvizje ose kanë vlerësuar se nuk ka qenë e nevojshme, por ato janë pjesë të proceseve që i bëjmë bashkë me aleatë dhe partnerë. Dikur të gjitha këto do të vërtetohen që i kemi bërë për njerëzit e vendit,” tha ai

Gjyqi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi nisi në prill të 2023-it, ndërkohë që ndodhen në paraburgim që nga nëntori i 2020-ës.

Këto ditë kanë nisur të japin dëshmitë e tyre dëshmitarët e thirrur nga ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së. 

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›