E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri i Bujqësisë Faton Peci intervistohet në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve

PRISHTINË, 30 janar/ATSH/ Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta konfirmoi për KosovaPress se ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar të premten, në cilësinë e të pandehurit, në rastin e granteve.

Intervistimi i Pecit nga Prokuroria Speciale ka zgjatur mbi tri orë.

“Ju njoftojmë se Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha Luta në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Është raportuar se Ministria e Bujqësisë, e cila drejtohej nga Peci në vitin 2024, u kishte dhënë grante disa familjarëve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka qenë në Prokurori Speciale për të dhënë sqarimet e tij lidhur me kallëzimin penal të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes ish-deputetit Paris Guri.

Peci u shpreh në rrjetet sociale se ka deklaruar se në Prokurori ka qenë, siç është shprehur ai, “transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë”, duke sqaruar rolin e tij si ministër në procesin e ndarjes së granteve të Ministrisë së Bujqësisë.

Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penal për kallëzim të rremë, duke akuzuar Paris Gurin për orkestrimin e një fushate shpifjesh që, sipas tij, kanë çuar në ngritjen e një kallëzimi penal të pabazë ndaj tij.

Peci ka theksuar se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat dhe përpjekjet për baltosjen e emrit të tij nuk do ta ndalin nga angazhimi për, siç u shpreh ai, “punët e mira dhe punët e mëdha për Kosovën”. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›