Iu premtonte punësim me pagë 3 mijë euro dhe i shfrytëzonte për prostitucion, arrestohet 28-vjeçari nga Kolumbia

Një 28-vjeçar nga Kolumbia është arrestuar në kudër të operacionit të nisur 4 ditë më parë për trafikim femrash me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Sipas policisë, 28-vjeçari rekrutonte shtetase kolumbiane dhe i sillte në Shqipëri duke i premtuar punësim kundrejt pagesës 3 mijë euro, por i shfrytëzonte për prostitucion.
28-vjeçari u vë në pranga në pikën kufitare të Murriqanit, ndërsa janë arrestuar dhe 2 shtetase kolumbiane gjatë operacionit, në një apartament të marrë me qira në Durrës, ku ushtronin prostitucion dhe shisnin lëndë narkotike.
“Vijon operacioni i koduar “Storm 9”, i zhvilluar 4 ditë më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari, shtetas kolumbian, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Ky shtetas dyshohet se rekrutonte shtetase kolumbiane dhe i sillte në Shqipëri, duke i premtuar punësim kundrejt pagesës 3000 euro, por i shfrytëzonte për prostitucion.
Sekuestrohen 3 celularë që ai dyshohet se i përdorte për këtë veprimtari kriminale“, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/