E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanka Trump ndan pamje nga bregdeti i Vlorës: Shqipëria është magjike

TIRANË, 23 janar /ATSh/ Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ndau në rrjetet sociale disa pamje nga bregdeti i Vlorës.

Në fotot dhe videot e publikuara shfaqen peizazhet e bukura natyrore, deti dhe gjelbërimi i zonës, ndërsa në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Luleborë”.

“Shqipëria është magjike”, shkruan Ivanka Trump.

Disa prej pamjeve janë nga Plazhi i Porto Novos, nga ishulli i Sazanit si dhe nga vizita e saj në Manastirin e Zvërnecit.

Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në Vlorë. Mbrëmjen e së enjtes ajo u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

Ajo mbërriti të mërkurën në qytetin bregdetar të Vlorës, e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia e Shtetit, dhe u akomodua në një nga hotelet në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.

Fokus i vizitës së Ivanka Trump mësohet se ka qenë vijimi i projektit të madh të investimit që ajo dhe bashkëshorti Jared Kushner kanë planifikuar të bëjnë në  zonën e ishullit të Sazanit dhe në Zvërnec, një investim prej 1 miliard dollarësh për një resort turistik.

1 nga 6

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›