E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli dhe Libani marrëveshje për zbatimin e armëpushimit, çarmatimi i Hezbollah pikë kyçe

Izraeli dhe Libani ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ishte vetë Departamenti i Shtetit që bëri njoftimin pas bisedimeve në Uashington. Në një deklaratë të përbashkët, SHBA, Izraeli dhe Libani njoftuan se do të rifillojnë negociatat më 22 qershor me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ndërkohë që parashikohet krijimi i zonave pilot nën kontrollin e forcave të armatosura libaneze, duke përjashtuar praninë e grupeve të armatosura jo shtetërore.

E ndërsa dakordësia fokusohet edhe në ndërprerjen e sulmeve të Hezbollahut, Uashingtoni është zotuar të mbështesë ushtrinë libaneze, ndërsa Izraeli, sipas mediave ndërkombëtare, ka përsëritur se siguria e tij kërkon çarmatimin e Hezbollahut dhe çmontimin e infrastrukturës së tij. Nga ana tjetër, Libani theksoi nevojën për respekt të ndërsjellë për kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe sovranitetin.

Dakordësia për armëpushim erdhi në fund të ditës së dytë të bisedimeve të ndërmarra nga Departamenti i Shtetit, dhe tashmë pritet që më 22 qershor të nisë raundi i dytë i bisedimeve me qëllim arritjen e një rezolute. Ndërkaq, përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme shënuan zhvillime të reja kur Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi një rezolutë në mbështetje të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit, në një kohë kur Uashingtoni vijon ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Libanit.

Gjithashtu, Dhoma e Përfaqësuesve, me 215 vota pro dhe 208 kundër, miratoi edhe legjislacionin që synon detyrimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, të përfundojë konfliktin me Iranin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›