E Hënë, 2 Nëntor 2026

JOHANESBURG – Aleatët perëndimorë të Ukrainës refuzojnë planin aktual amerikan të paqes

JOHANESBURG, 22 nëntor /ATSH-DPA/ – Mbështetësit perëndimorë të Ukrainës e kanë hedhur poshtë planin aktual amerikan prej 28 pikash për t’i dhënë fund luftës së Rusisë  duke thënë pas një takimi krize në samitin e G20-s në Afrikën e Jugut se drafti përbën një bazë për bisedime, por ka nevojë për punë shtesë.

“Drafti fillestar i planit me 28 pika përfshin elementë të rëndësishëm që do të jenë thelbësorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, u tha në një deklaratë pasi udhëheqësit u takuan në Johannesburg.

“Prandaj, ne besojmë se drafti është një bazë që do të kërkojë punë shtesë”, tha deklarata për planin, i cili i jep lëshime të gjera Rusisë.

“Ne jemi të qartë në parimin se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kufizimet e propozuara për forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat do ta linin Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga udhëheqësit e Kanadasë, Finlandës, Francës, Italisë, Irlandës, Japonisë, Spanjës, BM, Gjermanisë, Norvegjisë, Holandës si dhe zyrtarë të lartë të BE-së.

Projektpropozimi aktual i Uashingtonit kërkon që Kievi të kalonte disa nga vijat e kuqe: zvogëlimin e ndjeshëm të madhësisë së ushtrisë së saj në 600 000 personel, lëshimin e sipërfaqeve të mëdha territoresh dhe përfshirjen e një ndalimi për anëtarësim në NATO në kushtetutën e saj.

Në mënyrë specifike, ai u bën thirrje forcave ukrainase të tërhiqen nga pjesët e rajoneve lindore të Luhanskut dhe Donetskut që aktualisht i kontrollojnë.

Për më tepër, Uashingtoni pritet të njohë Gadishullin e Krimesë, të aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska në vitin 2014, si dhe Donetskun dhe Luhanskun, si territor ”de facto” rus./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›