JORDANI – Wadephul: Gjermania mbështet planin e paqes për Gazën

BERLIN, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Ministr i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, mbërriti sot në Jordani në pjesën e parë të një turneu rajonal, me qëllim të ofrojë mbështetje gjermane për një armëpushim të brishtë trejavor midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
Ai u takua me homologun e tij jordaney Ayman al-Safadi, në Aman dhe theksoi se Jordania po luan një rol shumë të vlefshëm, konstruktiv dhe ndërmjetësues në zgjidhjen e konfliktit.
“Si një qendër për ndihma humanitare, Jordania kishte bërë përpjekje të mëdha në vitet e fundit për të ndihmuar popullin e Gazës”, tha Wadephul . “Berlini do të vazhdojë të mbështesë Jordaninë në këtë përpjekje”, shtoi ai.
Wadephul i bëri thirrje si Izraelit ashtu edhe organizatës palestineze Hamas që të mos rrezikojnë planin e paqes për Gazën, pasi Izraeli nisi një valë sulmesh ajrore vdekjeprurëse pas një sulmi që vrau një nga ushtarët e tij.
“Tani të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në përmbushjen e pritshmërive të njerëzve në gjithë rajonin”, tha Wadephul.
Ministri gjerman kërkoi nga Hamasi që të përmbushë detyrimet e tij sipas planit të paqes të udhëhequr nga SHBA-ja , që kërkon që grupi ekstremist palestinez të çarmatosej dhe të kthente mbetjet e të gjithë pengjeve izraelite.
Ndërkohë, Wadephul bëri apel ndaj Izraelit të ushtrojë “përmbajtje ushtarake për të parandaluar vuajtje të reja”.
Rajoni ndodhet në një kryqëzim, tha ministri, duke shprehur shqetësim të thellë për vrasjet e rinovuara në Gaza.
Wadephul do të shkojë dhe në Liban e Siri me qëllim të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit në të dy vendet. /Ad.Ab./