E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja 4 kërkesat e Iranit për paqe afatgjate në Lindjen e Mesme

Ambasadori i Iranit në Rusi, Kazem Jalali, tha sot se Teherani ka katër kërkesa për ShBA-në dhe Izraelin me qëllim arritjen e paqes afatgjate në Lindjen e Mesme.

Lista përfshin katër pika, tha Jalali në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Tass.

“Së pari ndërprerje përfundimtare dhe e plotë e agresionit dhe akteve terroriste;

Së dyti, ofrimi i garancive objektive dhe të besueshme për të parandaluar çdo përsëritje të agresionit dhe luftës;

Së treti, kompensim i plotë për dëmet materiale dhe morale;

Së katërti, respektimi i juridiksionit ligjor të Iranit në Ngushticën e Hormuzit me qëllim mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare detare“, tha diplomati.

Ambasadori iranian falënderoi Rusinë dhe vendet e tjera për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ndërsa vlerësojmë lart rolin dhe përpjekjet e ndërmjetësve, ne besojmë se paqja varet vetëm nga respektimi i këtyre detyrimeve“, theksoi Jalali.

Sipas tij, “Republika Islamike e Iranit gjithmonë ka mirëpritur çdo përpjekje konstruktive dhe të sinqertë për të vendosur stabilitet dhe siguri në rajon”.

“Megjithatë, duhet theksuar se çdo iniciativë ose plan i propozuar për të arritur paqe të drejtë dhe armëpushim të qëndrueshëm kërkon marrjen në konsideratë të realiteteve në terren dhe përmbushjen e këtyre kushteve dhe kërkesave ligjore dhe politike“, vijoi ai.

“Irani do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e tij të lindur për vetëmbrojtje derisa burimi i kërcënimit të eliminohet plotësisht”, tha Jalali.

“Sa u përket konsultimeve me partnerët, Teherani gjithmonë përfshin shkëmbimin e pikëpamjeve dhe koordinimin me aleatët e tij strategjikë, përfshirë Rusinë, në agjendën e tij diplomatike“, shtoi ai.

Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë këtë të mërkurë1 prill, në ditën e 33-të, që nga fillimi i sulmeve të koordinuara të SHBA-ve dhe Izraelit kundrejt Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›