Bimët endemike në qarkun e Kukësit, studiuesi Ali Hasani apel për ruajtjen e habitateve

Është fat që dy nga bimët endemike më të veçanta janë zbuluar në qarkun e Kukësit, bëhet fjalë për zambakun shqiptar në zonën e Pashtrikut, nga studiuesi i botanikës Ali Hasani dhe Tulipanin Shqiptar në zonën e Kolshit e Surroj. Studiuesi Ali Hasani, tha se këto bimë me rëndësi të jashtëzakonshme duhen mbajtur nën monitorim në ato zona ku janë zbuluar dhe aty ku kanë habitatet e tyre.
“Le ti studiojmë dhe ti evidentojmë këto bimë dhe tu japim informacion të gjithë të interesuarve”, u shpreh Hasani.
Qarku i Kukësit njihet për shumëllojshmërinë e bimëve mjekësore, një potencial i jashtëzakonshëm që është shfrytëzuar prej kohësh nga banorët e zonës, e më herët edhe ndërmarrjet shtetërore të bimëve për mbledhjen e përpunimin në industrinë farmaceutike. Studiuesi Ali Hasani, njëri prej botanistëve më të njohur që i ka kushtuar një periudhë të gjatë kohore studimit të bimëve në këtë zonë tha se këto bimë kanë vlera të rralla.
“Rrethi i Kukësit ka një potencial shumë të madh dhe të sasisë së mbledhjes së bimëve mjekësore. Por studimet duhet të vazhdojnë”, tha ai.
Prej disa vitesh një pjesë e konsiderueshme e bimëve medicinale të Kukësit janë kërkesë në rritje jo vetëm në tregun Evropian por edhe në Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/