E Shtunë, 7 Nëntor 2026

“Jam penduar”, Matt Damon rrëfen rolin e famshëm që refuzoi

“Jam penduar”, Matt Damon rrëfen rolin e famshëm që

Matt Damon ka rrëfyer një nga vendimet profesionale për të cilat është penduar më shumë gjatë karrierës së tij.

Në një intervistë për revistën GQ, aktori zbuloi se kishte pasur mundësinë të luante në filmin komedi “Ted”, të vitit 2012, por në fund vendosi të mos e pranonte ofertën. Rolin e John Bennett e mori më pas Mark Wahlberg.

Damon tregoi se skenari i filmit i kishte pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Madje, ishte aq i emocionuar gjatë leximit, sa kishte marrë pjesë të tij dhe ua kishte lexuar miqve gjatë një darke.

Megjithatë, ai nisi ta analizonte më shumë seç duhej mundësinë dhe arriti në përfundimin se arushi Ted ishte personazhi më interesant i historisë.

“E mendova më shumë seç duhej dhe e binda veten të mos e pranoja rolin”, rrëfeu aktori, duke pranuar se edhe sot nuk e kupton plotësisht arsyen e vendimit të tij.


Një tjetër arsye pse Damon e kujton me keqardhje këtë vendim lidhet me vendin ku u xhirua filmi.

“'Ted' u xhirua në Boston, qytetin tim të lindjes. Do të kisha pasur mundësinë të qëndroja gjashtë muaj në shtëpi”, tregoi ai.

Aktori kujtoi gjithashtu se kjo do t'i kishte dhënë më shumë kohë pranë të atit, i cili ndërroi jetë në vitin 2017.

Pavarësisht pendesës, Damon nuk mendon se filmi do të kishte qenë më i mirë nëse rolin do ta kishte pranuar ai.

“Mark është fantastik, filmi është fantastik dhe nuk do ta kisha bërë më mirë se ai”, u shpreh aktori, duke pranuar se Wahlberg ishte zgjedhja e duhur për personazhin.


Komedia “Ted”, me regji të Seth MacFarlane, u publikua në vitin 2012 dhe u kthye në një hit ndërkombëtar, duke arkëtuar më shumë se 549 milionë dollarë në mbarë botën. Suksesi i filmit solli edhe vazhdimin “Ted 2”, si dhe një serial televiziv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›