Jani: 304 persona të evakuar në qarkun Durrës, strukturat në gatishmëri në terren

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë vazhduar dhe gjatë natës, duke sjellë përkeqësim të situatës për shkak të motit të keq në Durrës.
Prefekti i qytetit bregdetar, Emilian Jani tha sot për ATSH-në, se të gjithë strukturat vendore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Emergjencat Civile janë të shpërndara në terren për të monitoruar situatën.
“Deri mbrëmë në orët e vona të natës, janë evakuar disa persona. Numri i individëve që janë evakuuar deri tani është rreth 304 persona. Ata janë sistemuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe në godinat e Ministrisë së Mbrojtjes. Zonat më problematike janë ato të ish-NISH Tulla dhe zona e ish-Kënetës. Po mbikëqyrim çdo situatë dhe jemi pranë çdo familjeje”, tha Jani.
Ndërkohë, bëhet me dije se uji është tërhequr nga akset rrugore kryesore në qytet, duke i bërë ato të kalueshme për qytetarët dhe makinat.
/e.i/a.f/r.e/