E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Investitorët sauditë, interes për energjinë e rinovueshme dhe turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Shqipëria synon të tërheqë investime të reja në sektorët e ekonomisë së gjelbër, energjisë së rinovueshme, menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave, si dhe në turizmin e qëndrueshëm.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj priti sot princin Naif bin Abdullah bin Saud bin Abdulaziz Al Saud dhe një delegacion investitorësh nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe vendet partnere.

Gjatë takimit u diskutua mbi potencialin e Shqipërisë për zhvillimin e projekteve të qëndrueshme, veçanërisht në fushat e energjisë së pastër, menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave, turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të zonave me vlera natyrore.

Jaupaj theksoi se synimi është që interesi i investitorëve ndërkombëtarë të shndërrohet në projekte konkrete, duke sjellë kapital, teknologji dhe ekspertizë, ndërsa garantohen standardet mjedisore dhe mbrojtja e pasurive natyrore.

“Shqipëria po ndërton një model ku rritja ekonomike dhe mbrojtja e mjedisit ecin së bashku”, u shpreh ministri.

Sipas Jaupajt, takimi përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe sektorit privat ndërkombëtar dhe në krijimin e mundësive për investime të reja në sektorë me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

1 nga 4

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›