E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Shqipëria rrit kapacitetet për thithjen e fondeve ndërkombëtare për klimën

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi sot se Shqipëria po forcon kapacitetet për të përfituar më shumë fonde ndërkombëtare në mbështetje të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, duke e konsideruar këtë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Duke folur në kuadër të konferencës rajonale mbi klimën në Tiranë, Jaupaj u shpreh se, pavarësisht nivelit ende të kufizuar të investimeve në mjedis në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po punon aktivisht për të rritur cilësinë e projekteve dhe për të tërhequr mbështetje nga donatorët ndërkombëtarë.

“Buxheti kombëtar mbetet një bazë e rëndësishme, pasi tregon angazhimin e vendit për të zbatuar masa konkrete për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Por, përmes projekteve të mirëstrukturuara, ne mund të zgjerojmë ndjeshëm aksesin në fondet ndërkombëtare”, theksoi ai.

Ministri solli si shembull pozitiv projektin “Albadapt”, i cili ka dëshmuar se Shqipëria ka potencial real për të përthithur financime të rëndësishme, duke rritur njëkohësisht kapacitetet institucionale dhe profesionale. Sipas tij, përgatitja e projekteve cilësore dhe investimi në burime njerëzore mbeten çelësi për të shfrytëzuar këto mundësi.

Jaupaj bëri të ditur se gjatë pesë viteve të fundit është forcuar bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare dhe fondet për klimën, duke siguruar mbështetje konkrete në fusha si sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe masat e përshtatjes. Kjo përvojë, sipas tij, ka krijuar një bazë të fortë për aplikime edhe më të suksesshme në të ardhmen.

Ministri i Mjedisit theksoi gjithashtu rëndësinë ekonomike të investimeve në mjedis, duke nënvizuar se çdo dollar i investuar mund të gjenerojë kthim deri në 2-3-fish, ndërsa mungesa e investimeve mund të sjellë humbje të konsiderueshme ekonomike.

Në përfundim, ai u shpreh i bindur se konferenca në Tiranë do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për të rritur ndërveprimin mes aktorëve dhe për të përfituar më shumë fonde ndërkombëtare për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke theksuar se procesi i aplikimit për projekte nuk sjell vetëm financim, por edhe rritje të kapaciteteve institucionale në vend.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›