Rama: Shqipëria dënon sulmin terrorist të Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas sulmit me raketa të Iranit në drejtim të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kreu i qeverisë, në një reagim në rrjetin social “X”, shkruan se sulmi i Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe është një akt agresioni i pamatur. Sipas Ramës, “Shqipëria dënon me fjalët më të ashpra të mundshme këtë sulm terrorist nga një regjim që vazhdon të eksportojë dhunë, paqëndrueshmëri dhe pasiguri përtej kufijve të tij”.
Reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:
Sulmet e përsëritura me raketa nga shteti terrorist i Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, përbëjnë një akt të pamatur, të paprovokuar dhe krejtësisht të pajustifikueshëm agresioni kundër një shteti sovran dhe kundër vetë paqes rajonale. Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën sërish sot me sulme me raketa dhe dronë, dhe ne, Shqipëria, e dënojmë në termat më të fortë këtë sulm terrorist nga një regjim që vazhdon të eksportojë dhunë, paqëndrueshmëri dhe pasiguri përtej kufijve të tij.
Të shënjestrosh Emiratet e Bashkuara Arabe, një vend që përfaqëson paqen, progresin, stabilitetin dhe partneritetin përtej feve, racave, gjuhëve dhe rajoneve, nuk është vetëm një sulm ndaj një vendi, por një sulm ndaj vetë mundësisë së paqes dhe sigurisë në Gjirin Persik dhe shumë më gjerë.
Qëndrojmë në solidaritet të plotë, me udhëheqjen, popullin dhe mbrojtësit e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ata që kërkojnë të terrorizojnë kombet e lira përmes raketave dhe intimidimit duhet ta dinë se akte të tilla vetëm sa thellojnë izolimin e tyre dhe forcojnë vendosmërinë e atyre që qëndrojnë për sovranitetin, sigurinë dhe paqen globale. Irani duhet të mbahet plotësisht përgjegjës për këtë përshkallëzim të rrezikshëm dhe, para së gjithash, për hir të vetë popullit të tij, i cili mbetet peng i një regjimi që qeveris me instinktet e Epokës së Gurit, duke e tërhequr një komb të lashtë gjithnjë e më thellë drejt izolimit, terrorit dhe vetëshkatërrimit.
/a.f/r.e/