E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimi i Genta Tafës, Tabaku: Dialogu po zëvendësohet nga imponimi

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja demokrate Jorida Tabaku informoi sot se pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të komisionit, mazhoranca thirri një tjetër mbledhje, duke përdorur forcën e numrave për të imponuar emërimin e Genta Bungo Tafës si Komisionere Kundër Diskriminimit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku tha se “së pari, institucionet e pavarura nuk janë zgjatim i institucioneve të tjera dhe as stacione tranziti për emërime politike”.

“Kjo është hera e tretë që përfaqësues të të ashtuquajturës “drejtësi e re” transferohen në institucione të pavarura, duke ngritur pikëpyetje serioze si për vendimet e tyre të mëparshme, ashtu edhe për pavarësinë e institucioneve ku emërohen sot”, nënvizoi Tabaku.

Së dyti, vijoi Tabaku, imponimi i vendimeve përmes një mbledhjeje të thirrur me forcën e kartonëve, duke anashkaluar opozitën dhe çdo standard normal parlamentar, është pikërisht ajo që kritikohet sot në raportet ndërkombëtare.

“Siç theksohet qartë në raportin e Parlamentit Europian, një proces demokratik kërkon bashkëjetesë reale dhe hapësirë për opozitën, jo zëvendësimin e saj. Ajo që ndodhi sot në Komisionin e të Drejtave të Njeriut është një shembull i qartë i një Parlamenti ku dialogu po zëvendësohet nga imponimi”, tha Tabaku.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›