Java Kulturore Egjiptiane, performanca e veçantë e valltarëve hipnotizues të “Tanoura”-s

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Java Kulturore Egjiptiane pati një nisje mbresëlënëse me serinë e performancave “Tanoura” në Tiranë.
Në këtë event hapës, publiku u përfshi në një përvojë unike shpirtërore dhe artistike, me lëvizjet rrotulluese të valltarit sufi, ngjyrat magjike dhe tingujt e traditës egjiptiane. Atmosfera u bë edhe më e gjallë kur të pranishmit u bashkuan në kërcim, të udhëhequr nga ritmi i muzikës dhe energjia e performancës. Mbrëmja e djeshme ishte e mbushur me reflektim, kulturë dhe emocion.
Performanca “Tanoura” nisi nga salla “Tonin Harapi” e Liceut Artistik dhe vijoi sonte në sheshin “Skënderbej”.
Vallja mahnitëse Tanoura është një performancë tradicionale që bashkon shpirtin dhe lëvizjen, e frymëzuar nga rrotullimi sufi. Valltari i veshur me funde shumëngjyrëshe e shtresa të shumëfishta, bën një rrotullim hipnotizues. Java Egjiptiane do të vijojë me të tjera ngjarje ku përfshihet edhe eksplorimi i shijeve të pasura, aromave të forta dhe recetave autentike, pa lënë mënjanë dhe shfaqjen e prodhimeve të kinematografisë egjiptiane.
1 nga 21/e.r//a.f//r.e/