E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Java e mirëseardhjes” për studentët e rinj, Universiteti i Shkodrës nis me risi vitin akademik

Viti i ri akademik në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka nisur me “Javën e Mirëseardhjes” për studentët e rinj. Kjo është një procedurë që aplikohet për herë të parë këtë vit, me synimin për t’i orientuar dhe për t’i njohur studentët me çdo shërbim e mundësi që universiteti ofron në mbështetje të tyre.

“’Java e mirëseardhjes’ është një program që është shtrirë gjatë gjithë javës së parë të vitit akademik dhe çdo ditë është planifikuar nga një seancë orientuese për studentët, vizita në ambientet e bibliotekës, të njihen me mensën studentore, edhe kjo një risi. Një ditë tjetër me orientimin e studentëve në lidhje me sektorin e ndërkombëtarizimit, ku iu shpjegohet studentëve për mundësitë që ata kanë të aplikojnë për bursat e Razmës, Cepës”, deklaroi dr. Kleida Tufi, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe Studentët, UNISHK.

Studentët e rinj e vlerësojnë “Javën e Mirëseardhjes” si një praktikë të dobishme dhe motivuese në këtë fillim të rrugëtimit të tyre akademik.

“E shoh shumë gjë të bukur. Është shumë e ngjashme edhe me shtetet evropiane, se sa direkt ditën e parë mësim dhe studenti pas 4-5 javësh ende nuk e di ku është ose ku janë ambientet”, tha për mikrofonin e RTSH një prej studenteve, Eri Cokaj.

“’Java e mirëseardhjes’ po na ndihmon shumë që të krijojmë shoqëri e të njihemi me njëri-tjetrin e pedagogët si dhe me ambientet e universitetit“, tha një tjetër studente Antonela Mandi.                  

Ndërkohë që është mbyllur tashmë raundi i dytë i regjistrimeve, aktualisht janë 908 studentë të rinj në Universitetin e Shkodrës. Ndërsa nga 13 deri më 24 tetor do të zhvillohet raundi i tretë dhe i fundit, që pritet të rrisë edhe më tej numrin e studentëve në gjashtë fakultetet e këtij universiteti.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›