E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes”, Bardhi akuzon qeverinë për mungesë koherence: Të zbatohet Kushtetuta

Ndërsa Qeveria ka miratuar një ditë më parë marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën dhe Kuvendi pritet ta ratifikojë sot, Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për mungesë koherence dhe shkelje të procedurave kushtetuese.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi vuri në pikëpyetje urgjencën e shqyrtimit të projektligjit me procedurë të përshpejtuar, duke theksuar se nuk është dhënë asnjë shpjegim bindës për nxitimin.

“Ku është nxitimi i Shqipërisë për të mbyllur këtë proces sot. Në 10 minuta nuk u shpjegua urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji. Për t’u kthyer në kërkesën tuaj, e para është ajo e Këshillit të Ministrave që duhet me rregull të kishte ardhur para kërkesës së grupit të PS ku kërkohej procedurë e përshpejtuar”, tha ai.

Në emër të opozitës, Bardhi u shpreh pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, por kundër mënyrës se si po trajtohet procedura ligjore.

“Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë presidentit që të japë miratimin që të hyjë në fuqi menjëherë. Kjo marrëveshje që ne miratojmë pas 12 orësh, hyn në fuqi pas 35 ditëve. Na thoni, ku e ke urgjencën? Ndërkohë që kemi shansin të respektojmë Kushtetutën. Gjatë kësaj jave i kërkojmë miratimin Presidentit që të na japë autorizimin që ligji të hyjë në fuqi dhe e bëjmë efektive brenda një jave. Zbatoni Kushtetutën dhe e bëjmë efektive marrëveshjen brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren. E përsëris, jemi kundër kërkesës për procedurë të përshpejtuar”, tha ai.

Gjithashtu, Bardhi solli në vëmendje deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke e konsideruar këtë të fundit sipas Bardhit si“turpi i njerëzimit”,

“Mendova se do të vinit këtu e do ta niste fjalën duke kërkuar ndjesë për faktin se Rama e ka konsideruar Trump si turpi i njerëzimit, i vetmi lider botëror që i është drejtuar presidentit të SHBA-ve me këtë gjuhë. Deklaratë që vë në rrezik sigurinë dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Të kërkonte ndjesë kur tha herën e kaluar që Rama ishte i vetmi lider në Ballkan që ishte ftuar, dhe u detyrua presidentja e Kosovës ta nxirrte ashtu siç është, gënjeshtar. Ndaj me dy ndjesa të munguara në këtë foltore nuk mund të vihet e të bëhet propagandë. Nuk mund të tallesh me SHBA dhe presidentin e saj”, tha Bardhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›