E Diel, 1 Nëntor 2026

Jet Ski hyn mes pushuesve në Karaburun, Policia Kufitare gjobit drejtuesin me 500 mijë lekë

Një mjet lundrues tip Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare në Vlorë, pasi dyshohet se ka shkelur perimetrin e sigurisë në zonën e Karaburunit, duke rrezikuar jetën e pushuesve. 

Ndërhyrja e policisë erdhi pas raportimeve dhe një videoje të dërguar nga qytetarët, ku shfaqej mjeti lundrues duke lëvizur pranë bregut, në kundërshtim me rregullat e sigurisë për zonat e frekuentuara nga pushuesit.

Gazetarja e RTSH, Afrovita Hysaj, raporton se pushuesit kanë njoftuar Policinë e Shtetit për shkeljen e perimetrit të sigurisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur rrezikun.

Policia Kufitare reagoi duke bllokuar mjetin dhe duke ndëshkuar drejtuesin sipas ligjit. 

Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, bënë të mundur konstatimin dhe ndalimin e mjetit lundrues, ndërsa ai po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport. 

Mjeti u bllokua në pikën e caktuar për bllokimin e mjeteve lundruese afër SMIL-it, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi E. U., u ndëshkua me një masë administrative në vlerën 500 mijë lekë të rinj. 

Në njoftimin zyrtar, Policia e Vlorës thekson se “Menjëherë pas raportimeve dhe videos së dërguar nga qytetarët në Policinë e Shtetit, ku shfaqej një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Karaburunit, duke shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve, shërbimet e Policisë Kufitare bënë të mundur ndalimin e mjetit lundrues. Drejtuesi u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj.” 

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe të zbatojnë rregullat e lundrimit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve përgjatë vijës bregdetare. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›