“Jo stabil, gënjeshtar dhe i paditur”, Minxhozi për disfatën e republikanëve: Për botën Donald Trump është një ëndërr e keqe

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku republikanët e udhëhequr nga presidenti Donald Trump pësuan një goditje të fortë.
Ai tha se votuesit amerikanë me këtë rezultat kërkojnë rikthimin e normalitetit dhe të vlerave demokratike që kanë karakterizuar tradicionalisht SHBA-në.
Analisti kritikoi presidentin Donald Trump, duke e cilësuar atë si një figurë të paqëndrueshme dhe duke kundërshtuar politikat e tij të brendshme dhe të jashtme. Ai u ndal edhe te premtimet financiare ndaj votuesve, duke theksuar se praktika të tilla janë të papranueshme për një demokraci siç është ajo amerikane.
Minxhozi vlerësoi se, pavarësisht fitores së demokratëve dhe mundësive që u krijohen për të ngritur komisione hetimore apo për të ndërmarrë procedura të tjera politike, fuqia e tyre për të ndryshuar kursin e administratës mbetet e kufizuar.
Sipas tij, presidenti vijon të ketë instrumentet e veta kushtetuese, përfshirë të drejtën e vetos.
“Të them të drejtën, unë këtë thellësi vote realisht e besoj se është edhe një mesazh që jep votuesit amerikan për disa gjera që kishin dalë jashtë çdo kontrolli, kishin kaluar çdo vijë të kuqe, të kthehen në atë normalitetin që ne njohim dhe që Amerika njeh vetveten dhe e gjithë bota e njeh Amerikën, sepse e njeh si një demokraci që zakonisht është pika e referencës për të tjerët. Nuk mundet që një president të ofrojë 5 mijë dollarë për çdo votues. Për botën është një aksident, është një ëndërr e keqe, që unë uroj të marrë fund, sepse është njeri jo stabël, gënjeshtar edhe i paditur mendoj unë.
Unë nuk besoj se demokratët që kanë marrë këtë mazhorancë kaq të madhe, përtej pushtetit të ndërtimit të komisioneve hetimor edhe shkuarjen në Impeachment, unë nuk besoj se kanë shumë leva në dorë , natyrisht kanë fuqi bllokuese, por edhe presidenti ka fuqinë e vetos. Kjo që ka ndodhur është një thyerje kulturore më shumë sesa shifrore, këtu po ndërtohen premisat, ku i gjithë planeti Toka, dhe natyrisht në rresht të parë Amerika, të fillojnë të marrin frymë përballë një politikë të çmendur të brendshme dhe të jashtme, politikë ekonomike e çmendur, portikë sociale e çmendur me një pabarazi të skajshme.”, tha ai./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

