KAS shqyrton kërkesën ankimore për rezultatin në Dibër, Gjunkshi: Nga rinumërimi u faktua ndryshimi i rezultatit

TIRANË, 11 qershor/ATSH-Maela Marini/ Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve po shqyrton sot kërkesën ankimore të depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila kundërshton rezultatin zgjedhor të 11 majit për Qarkun e Dibrës, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë.
Më herët sot u rinumëruan 42 kutitë e votimit në Qarkun e Dibrës, si pjesë e shqyrtimit të ankesave të paraqitura nga koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore pas zgjedhjeve të 11 majit.
Rinumërimi u përqendrua tek votat preferenciale të koalicionit PD-ASHM, pas kërkesës së kandidatit Xhemal Gjunkshi.
I pranishëm në mbledhjen e sotme të KAS, ku pritet edhe vendimmarrja për këtë kërkesë ankimore, Gjunkshi u shpreh se pas rinumërimit duket qartazi dhe u faktua që ka ndryshim të rezultatit.
“Kemi mospërputhje të rezultatit me tabelën e rezultateve të kandidatëve. Gjatë numërimit të votave të kandidatëve rezultoi se nuk përputhet ajo që u konstatua sot në realitet me atë që del me pamje filmike, që unë i kam siguruar nga KQZ. Kam përcaktuar që janë rreth 170 vota të paktën në 3 KZAZ që bëjnë diferencën e votove midis kandidatëve”, tha Gjunkshi.
Sipas tij, “nuk është pranuar të bëhet krahasimi i pamjeve filmike të çdo kutie me rezultatin që ka tabela e rezultatit dhe kjo është diçka që nuk funksionon”.
“Kemi parë dhe rezulton që nuk ka përputhje. Kërkoj që të merret në konsideratë që të bëhet krahasimi i pamjeve filmike me tabelën e rezultatit të kandidatëve. Të merret në konsideratë dhe të shqyrtohen pamjet filmike dhe rezultati i KZAZ-së së Burrelit”, tha Gjunkshi.
Gjunkshi po ashtu kërkoi që të shikojë edhe pamjet filmike dhe rezultatin që është marrë nga diaspora.
“U konstatua dhe rezultoi që ka transferim të votave nga ato të partisë te vota e kandidatit”, shtoi ai.
/m.m/a.f