KASHMIR – 28 të vdekur, përfshirë turistë, pas një sulmi terrorist

KASHMIR, 22 prill /ATSH-ANSA/ – Numri i të vdekurve, përfshirë turistë të huaj, është rritur në të paktën 28, pas një sulmi në Kashmirin indian, ku persona të armatosur hapën zjarr ndaj një grupi turistësh dhe plagosën dhjetëra persona.
”Fronti i Rezistencës së Kashmirit’ (TRF), që besohet të jetë krahu i armatosur i grupit separatist islamik të Kashmirit ‘Lashkar-e-Taiba’ ka marrë edhe përgjegjësinë për sulmin”, thanë burime të larta të shërbimeve sekrete për ”News18”.
Lugina e Kashmirit, rajoni i vetëm i Indisë me shumicë myslimane, është diskutuar nga India dhe Pakistani për dekada.
Në sulmin që ndodhi pas mesditës, terroristët shënjestruan një grup njerëzish, duke përfshirë gra dhe të moshuar.
Dëshmitarët okularë u thanë forcave të sigurisë se dy ose tre burra me uniforma ushtarake u sulën në zonë duke qëlluar pa dallim mbi turistët që shijonin kalërimin në livadhet Baisaran në Pahalgam, një qytet i Himalajeve që shpesh përshkruhet si “Zvicra e Indisë”.
Forcat e sigurisë kanë ndërhyrë menjëherë në zonë dhe nisëm një operacion masiv.
Kryeministri për Jammun dhe Kashmirin, Omar Abdullah, e dënoi sulmin, duke e quajtur atë më “të neveritshmin se çdo sulm tjetër që kemi parë kundër civilëve në vitet e fundit”.
Njerëzit nga të gjitha partitë politike kanë dënuar sulmin e tmerrshëm terrorist.
Kryeministri indian, Narendra Modi thirri ministrin e Brendshëm, Amit Shah për të bërë një pasqyrë të situatës në Jammu dhe Kashmir, ndërsa ishte në Arabinë Saudite për një vizitë.
“Unë dënoj fuqishëm sulmin terrorist në Pahalgam, Jammu dhe Kashmir. Ngushëllime për ata që humbën të dashurit e tyre. Lutem që të lënduarit të shërohen sa më parë. Po ofrohet e gjithë ndihma e mundshme për njerëzit e prekur. Ata që janë përgjegjës për këtë akt të urryer do të sillen para drejtësisë… ata nuk do të kursehen”, tha Modi./ /os/