E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha: Pa zgjidhur problemin e pronës në tërësi, nuk zgjidhet as problemi i legalizimit

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me banorë të Kamzës, ku diskutoi pikat e programit për Reformën e Pronës.

Basha akuzoi kryeministrin për mashtrim në lidhje me premtimet për legalizimet falas. Sipas tij, Edi Rama jo vetëm nuk bëri legalizime, por ka shkatërruar mijëra banesa, për të favorizuar shokët e tij dhe duke pasuruar ata mbi gjakun dhe djersën e qytetarëve.

Ai tha se një pjesë të fajit e ka edhe qeverisja e djathtë, e cila në raport me pronën nuk është sjellë si e tillë.

Basha tha se zgjidhja e problemit të pronës nuk mund të realizohet pa u trajtuar në tërësi çështja e pronës në Shqipëri.

Sipas tij, “Rama jo vetëm që nuk e mbajti këtë fjalë, por shkatërroi qindra-mijëra banesa për të favorizuar shokët e vetë të cilët grabisnin pronat e shkatërruara të familjeve të palegalizuara dhe të pasuroheshin mbi gjakun dhe djersën e njerëzve”.

“Kjo është ajo që ka ndodhur, njerëzit janë përdor si ‘mish për top’. Natyrisht, pasi e themi, gjëja e parë që dua të përsëris sot dhe nuk e them për herë të parë, që ne që e bëmë premtimin e parë, nuk e çuam deri në fund. Pse nuk e çuam deri në fund premtimin për legalizimet, sepse ne kishim krimbin brenda në raport me pronën. Se ndonëse silleshim si parti e djathtë, në raport me pronën ne vazhdonim të silleshim si bolshevik, si sekretar partie”, theksoi më tej Basha.

Basha theksoi se, “pa zgjidhur problemin e pronës në tërësi, nuk zgjidhet as problemi i legalizimit, as tapitë e tokave bujqësore, asgjë.

“Të rrish shtrembër dhe të flasësh drejt është e pamundur. Duhet të rrish drejt, duhet pranosh shenjtërinë e pronës. Shenjtërinë e pronës në Evropë e respektojnë dhe të majtët, ndërsa këtu ata që i thonin vetes të djathtë, nuk e pranuan. Përkundrazi, minat ia vunë kësaj pune që me 7051-shin. Dhe vazhduan pastaj hap pas hapi duke denigruar pronarët, duke pranuar denigrimin e tyre sa herë vinte e majta në pushtet dhe në fund fare, vjen prapë fushata dhe vijnë prapë dhe thonë do ta zgjidhim problemin e legalizimit. Po si? Si do ta zgjidhni problemin e legalizimit? Gënjeshtarë kronikë! Problemi i legalizimit nuk zgjidhet pa u zgjidh në tërësi problemi i pronës. Ky ishte defekti që hapi rrugën për korrupsionin me ALUIZNI-n në periudhën 2005-2013, dhe këtu fle “lepuri” i majmur i Edi Ramës që premton legalizime sa herë që vijnë zgjedhjet dhe pastaj u vë kazmën qytetarëve të pambrojtur për të favorizuar oligarkët, shokët e tij, një pjesë e të cilëve i kanë hesapet me drejtësinë tek 7×7-313”, u shpreh më tej Basha.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›