E Diel, 1 Nëntor 2026

KE konfirmon si “plotësisht të përmbushura” dy masa të ndjekura nga Ministria e Arsimit

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Ministria e Arsimit bëri të ditur sot se reforma në arsim dhe kërkim shkencor po ecën përpara me hapa konkretë në vijim të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024-2027 dhe procesit të integrimit evropian.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Komisioni Evropian ka konfirmuar si “plotësisht të përmbushura” dy masa të rëndësishme të ndjekura nga Ministria e Arsimit: Përditësimi i kurrikulave në arsimin parauniversitar, ku janë trajnuar 95% e mësuesve për kurrikulat e reja dhe programet moderne lëndore dhe përditësimi i Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, duke harmonizuar standardet shqiptare me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve dhe standardet evropiane të sigurimit të cilësisë.

Ministria e Arsimit thekson se njëkohësisht, po vijon puna intensive për forcimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Këshillit i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme për organizimin e kërkimit shkencor, etikën në shkencë, shkencën e hapur, financimin, qendrat e ekselencës dhe mbështetjen e instituteve kërkimore, në përputhje me politikat e Zonës Evropiane të Kërkimit.

Këto reforma shoqërohen edhe me mbështetje nga Bashkimi Evropian, duke synuar ndërtimin e një sistemi arsimor modern, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt tregut të punës dhe ekonomisë së dijes.

“Arsimi, kërkimi shkencor dhe inovacioni mbeten themeli i zhvillimit dhe i përgatitjes së të rinjve për sfidat e së ardhmes”, thekson MA.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›