E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: PD gati paketën e parë për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se PD ka gati paketën e parë për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Përmes një deklarate për shtyp nga kryesia e Kuvendit, Bardhi u shpreh se “Partia Demokratike nuk do të humbasë kohë me retorikë boshe politike, por do të nisë përkthimin në akte konkrete të disa prej kushteve që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë si pasojë e keqqeverisjes”.

Për këtë arsye, ai informoi se PD do të depozitojë në Parlament tre nisma konkrete, që kërkojnë votën e deputetëve.

Së pari, Bardhi theksoi se PD do të kërkojë shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike.

“Këtë e kemi kërkuar edhe më parë me nisma konkrete, por Partia Socialiste e ka rrëzuar. Sepse pas këtij ligji qëndron vetë Edi Rama, interesat e tij personale dhe rrethi i oligarkëve të krijuar nga pushteti. Ky ligj special, i papajtueshëm me frymën europiane të konkurrencës dhe barazisë para ligjit, për vite me radhë ka prodhuar favorizime, mungesë konkurrence, grabitje të pronës publike dhe private dhe deformim të tregut. Pikërisht me këtë ligj lidhen drejtpërdrejt shqetësimet që sot Bashkimi Europian ngre për PPP-të, sektorin e ndërtimit dhe korrupsionin”, tha ai.

Po ashtu, Bardhi theksoi se do të kërkohet dekriminalizimi i plotë i shpifjes ndaj gazetarëve.

“Me këtë nismë ndërmarrim një hap konkret në mbrojtje të lirisë së medias dhe në përputhje me standardet europiane që kërkojnë mbrojtje më të fortë për gazetarët dhe fundin e presionit politik apo penal ndaj tyre. Të paktën, gazetarët shqiptarë, që sot vuajnë pasojat e autocensurës, censurës nga pronarët dhe pasigurisë për vendin e punës, të mos përballen edhe me kërcënimin e ndjekjes penale nga zyrtarë të korruptuar”, tha Bardhi.

Kriminalizimi i pastrimit të parave si vepër penale e veçantë në Kodin Penal, sipas Bardhit është propozimi i tretë i PD-së.

“Kjo është një nga kërkesat më të drejtpërdrejta të Bashkimit Europian në këtë fazë të negociatave, përballë alarmit në rritje për ekonominë informale, sektorin e ndërtimit, korrupsionin vendimtar dhe qarkullimin masiv të parasë së pistë në Shqipëri. Sepse sot, për herë të parë, BE-ja nuk po flet më vetëm për korrupsion si fenomen, por për rrezikun real që paraja informale dhe korrupsioni të deformojnë vetë ekonominë, zgjedhjet dhe shtetin shqiptar”, u shpreh ai.

Bardhi nënvizoi se këto janë akte konkrete që dëshmojnë vullnetin e palëkundur të Partisë Demokratike për një proces sa më të shpejtë dhe serioz të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ne jemi të bindur se negociatat nuk mbyllen duke fshehur problemet. Negociatat mbyllen duke i zgjidhur ato. Por historia 15-vjeçare e Edi Ramës me integrimin europian ka treguar edhe diçka tjetër: Se pa mbyllur kapitullin e Edi Ramës, Shqipëria do ta ketë të pamundur të mbyllë negociatat për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian”, tha ai.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›