KIEV – Ukraina, mision në Danimarkë për të ndarë përvojën kundër dronëve rusë

KIEV, 30 shtator /ATSH/ – Ushtria ukrainase po ndan përvojën e saj në luftën kundër dronëve rusë me vendet evropiane, duke dërguar një mision në Danimarkë për stërvitje të përbashkëta, njoftoi sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, sipas AP.
“Ushtria jonë ka nisur një mision në Danimarkë për të shpërndarë përvojën ukrainase në mbrojtjen kundër dronëve”, tha Zelensky.
Ministrat evropianë të mbrojtjes ranë dakord javën e kaluar për të ndërtuar atë që e quajtën një “mur dronësh” përgjatë kufijve me Rusinë dhe Ukrainën, me qëllim që të zbulojnë, ndjekin dhe neutralizojnë dronët që shkelin hapësirën ajrore të Evropës.
Megjithatë, gatishmëria dhe teknologjia evropiane mbeten shumë prapa Ukrainës dhe Rusisë, pasi lufta me dronë është bërë tashmë një tipar kyç i konfliktit trevjeçar që nisi pas pushtimit të plotë rus.
“Përvoja ukrainase me dronët është më e rëndësishmja në Evropë sot, dhe ekspertët, teknologjitë dhe përvojat tona mund të bëhen një element kyç i “murit të dronëve” evropian, një projekt i gjerë që do të garantojë sigurinë në qiell”‘, shtoi Zelensky në një postim në Telegram.
Zyrtarë të shërbimeve daneze të zbulimit, megjithëse nuk akuzuan drejtpërdrejt një shtet të caktuar, thanë se rreziku i spiunazhit dhe sabotazhit rus në Danimarkë mbetet i lartë.
Edhe Polonia ka kërkuar ndihmën e ekspertëve ukrainas, pasi dronë rusë kanë hyrë disa herë në hapësirën e saj ajrore.
“Rezultatet e misionit në Danimarkë do të ndihmojnë në krijimin e kornizës së bashkëpunimit me vende të tjera evropiane,” tha Zelensky.
Ndërkohë, NATO po shpreh shqetësim për shkeljet e hapësirës ajrore evropiane nga avionë luftarakë rusë, të cilat po përkeqësojnë më tej marrëdhëniet me Moskën dhe po rrisin frikën se konflikti mund të përhapet përtej kufijve të Ukrainës. /Ad.Ab../