KIEV – Ukraina pret miratimin e Shtëpisë së Bardhë për marrëveshjen e prodhimit të dronëve me SHBA

KIEV, 12 mars /ATSH/ – Ukraina po pret miratimin e Shtëpisë së Bardhë për një marrëveshje të madhe për prodhimin e dronëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës , e propozuar nga Kievi vitin e kaluar, deklaroi sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky*, sipas AP.
Marrëveshja do të përfshinte prodhimin e llojeve të ndryshme të dronëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore që funksionojnë si një sistem i vetëm për të mbrojtur kundër sulmeve masive me dronë dhe raketa.
Sipas presidenti Zelensky, Ukraina nuk ka pasur ende mundësi të nënshkruajë dokumentin, ndërsa nevoja për sisteme të avancuara mbrojtjeje është rritur pas përvojës së luftës dhe sulmeve me dronë të modelit iranian “Shahed”. Rusia, që pushtoi Ukrainën më shumë se katër vjet më parë, ka lëshuar mbi 57 mijë dronë të tillë kundër territorit ukrainas.
Presidenti ukrainas theksoi se kostoja e mbrojtjes ajrore është shumë më e lartë se ajo e sulmit. Një raketë e sistemit “Patriot” kushton rreth 3 – 4 milionë dollarë, ndërsa një dron “Shahed” kushton vetëm rreth 130 – 150 mijë dollarë.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës prodhojnë rreth 60 deri në 65 raketa “Patriot” në muaj.
Ndërkohë, Ukraina ka zhvilluar edhe teknologji më të lira për rrëzimin e dronëve, disa prej të cilave kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë dhe kanë ndryshuar mënyrën se si funksionon mbrojtja ajrore moderne. Zelensky shprehu shpresën se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme mund t’i shtyjnë zyrtarët amerikanë të miratojnë më shpejt marrëveshjen për prodhimin e dronëve.
Ndërkohë, të ardhurat e Rusisë nga nafta janë rritur që nga fillimi i luftës me Iranin, për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Sipas të dhënave të një organizate kërkimore, Rusia po fiton rreth 510 milionë euro në ditë nga eksportet e naftës dhe gazit të lëngshëm, të ardhura që ndihmojnë financimin e luftës në Ukrainë. /Ad.Ab./