KOMENT – Lufta me Iranin nxjerr në pah varësinë globale nga nafta dhe gazi i Gjirit

LONDËR, 12 mars /ATSH/ – Lufta mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin ka treguar qartë se sa shumë varet ekonomia botërore nga energjia që vjen nga rajoni i Gjirit Që nga fillimi i konfliktit, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, duke kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, pasi sulmet ndaj anijeve dhe infrastrukturës energjetike kanë tronditur tregjet globale, sipas BBC.
Një nga faktorët kryesorë të rritjes së çmimeve është mbyllja efektive e ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare jetike për transportin e energjisë, nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë. Sulmet ajrore dhe tensionet në rajon kanë shtuar frikën për ndërprerje të furnizimeve, duke shtyrë tregjet energjetike drejt paqëndrueshmërisë.
Ndikimi i krizës energjetike po ndihet veçanërisht në Azi. Vitin e kaluar, rreth 90% e naftës dhe gazit që kalonin përmes ngushticës së Hormuzit kishin destinacion vendet aziatike. Energjia nga ky rajon përdoret gjerësisht për ngrohjen e shtëpive, furnizimin me karburant të automjeteve dhe prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa bizneset mbështeten te ajo për të mbajtur në punë bazën e madhe prodhuese të kontinentit.
Azia Juglindore është veçanërisht e ekspozuar ndaj krizës. Edhe vende që prodhojnë naftë, si Malajzia dhe Indonezia, gjatë dekadës së fundit kanë ulur prodhimin e brendshëm dhe janë bërë më të varura nga importet. Një pjesë e problemit lidhet edhe me llojin e naftës që prodhohet në Lindjen e Mesme.
Nafta e rajonit zakonisht është e tipit “heavy sour” ose “medium sour”, një përbërje për të cilën janë ndërtuar shumë rafineri në Azinë Juglindore. Sipas Jane Nakano nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, kalimi te furnizues të tjerë, si SHBA-ja, nuk është i thjeshtë. “Do të kërkonte investime të mëdha për të ndryshuar specifikimet e rafinerive,” shpjegon ajo.
Në shumë vende të rajonit po inkurajohet puna nga shtëpia për të ulur konsumin e energjisë. Në Tajlandë, ministri i Energjisë ka njoftuar masa të tjera kursimi, si rritja e temperaturës së kondicionerëve në zyrat publike në 26°C.
Kriza energjetike po ndikon edhe te çmimet e ushqimeve. Shumë vende të Azisë Juglindore varen fort nga importet. Singapori, për shembull, importon rreth 90% të ushqimit, ndërsa Indonezia e merr të gjithë grurin nga jashtë. Rritja e kostove të transportit ka bërë që çmimet e ushqimeve të reagojnë menjëherë ndaj shtrenjtimit të energjisë.
Javën e kaluar, çmimi i karburantit për avionë u rrit me gati 60%, duke ndikuar drejtpërdrejt në transportin dhe tregtinë globale. Në Vietnam, çmimi i naftës dizel është rritur me afro 60% krahasuar me muajin e kaluar. Në disa qytete janë parë radhë të gjata motorësh dhe automjetesh në pikat e karburantit, ndërsa qytetarët përpiqen të blejnë karburant nga frika e mungesave.
Ndërkohë, edhe në pjesë të tjera të botës çmimet e karburantit janë rritur, megjithëse jo aq shumë sa në Azi. Në SHBA, çmimi mesatar i benzinës është rritur me rreth 23% në krahasim me një muaj më parë, ndërsa dizeli me një të tretën. Në Britaninë e Madhe , çmimi i dizelit është rritur rreth 9%.
Qeveritë po përpiqen të zbusin efektet e krizës. Koreja e Jugut ka vendosur një kufi të përkohshëm për çmimet e karburantit për të ulur presionin mbi konsumatorët. Japonia ka njoftuar subvencione për kompanitë që shpërndajnë naftë me qëllim mbajtjen nën kontroll të çmimeve në treg.
Në Francë, kompania “TotalEnergies” ka vendosur të kufizojë çmimin e benzinës dhe dizelit në pikat e saj të karburantit deri në fund të muajit. Ndërkohë, në Britaninë e Madhe po rishikohet një rritje e planifikuar e taksës së karburantit që ishte parashikuar të hynte në fuqi në shtator.
Ekonomia më e madhe e Azisë, Kina, konsiderohet më e përgatitur për të përballuar krizën. Gjatë viteve të fundit, ajo ka ndërtuar një nga rezervat strategjike të naftës më të mëdha në botë, që mund të zgjasin për disa muaj. Përveç kësaj, Kina vazhdon të blejë në mënyrë jozyrtare miliona fuçi naftë iraniane, pavarësisht sanksioneve amerikane.
Rritja e çmimeve të karburantit gjithashtu ndjehet më pak në Kinë sepse një e treta e makinave të reja të shitura në vend janë elektrike. Për më tepër, prodhimi i energjisë elektrike në Kinë mbështetet kryesisht te qymyri, duke e bërë vendin më pak të varur nga nafta për prodhimin e energjisë.
Megjithatë, ekonomitë e tjera të mëdha të Azisë, si Japonia dhe Koreja e Jugut, kanë vendosur të lirojnë miliona fuçi nga rezervat kombëtare të naftës, në përputhje me një marrëveshje të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA). Varësia e tyre nga energjia e Lindjes së Mesme është rritur që nga viti 2022, kur vendet vendosën të reduktojnë importet e naftës dhe gazit nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës.
Kur bëhet fjalë për gazin, lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjithashtu hartën e furnizimeve globale. Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar janë përpjekur të largohen nga varësia nga Rusia dhe tani marrin pjesën më të madhe të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas analizave ekonomike, BE-ja merr vetëm rreth 10% të gazit direkt nga Katari, ndërsa Britania e Madhe rreth 2%. Megjithatë, ndërprerja e prodhimit nga kompania “QatarEnergy”, pas sulmeve ushtarake ndaj objekteve të saj, ka ndikim në tregjet globale të gazit.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse Evropa është më pak e ekspozuar ndaj furnizimeve nga vendet e Gjirit, ajo nuk është e imunizuar ndaj krizës.
Sipas ekonomistit David Oxley nga Capital Economics, klientët aziatikë që nuk marrin më gaz nga Gjiri po kërkojnë furnizime në tregje të tjera, duke rritur çmimet globale.
Ndërkohë, SHBA konsiderohet vendi më pak i prekur nga kjo krizë energjetike. Prodhimi i gazit në vend është rritur ndjeshëm falë teknologjisë së fracking, duke e bërë ekonominë amerikane më të mbrojtur nga goditjet në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, edhe SHBA-ja përballet me kufizime në eksportin e gazit, pasi ndërtimi i infrastrukturës për eksport është një proces i kushtueshëm dhe kërkon kohë. Edhe pse kapacitetet po rriten gradualisht, në afat të shkurtër ato nuk mjaftojnë për të kompensuar plotësisht mungesat nga furnizimet e vendeve të Gjirit.
Kriza aktuale energjetike po rikujton edhe një herë se sa e ndërlidhur është ekonomia globale me stabilitetin e Lindjes së Mesme. Çdo përshkallëzim i konfliktit në rajon mund të ketë pasoja të menjëhershme për çmimet e energjisë, transportin, ushqimin dhe ekonominë botërore në tërësi. /Ad.Ab./