E Martë, 3 Nëntor 2026

SUEDI – Tre të vrarë pas të shtënave me armë zjarri në Upsala

STOKHOLM, 29 prill /ATSH-DPA/ – Tre persona u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Upsala të Suedisë, tha sot në mbrëmje policia. Viktimat nuk janë identifikuar ende.

Policia ka nisur hetimet për vrasje.

Fillimisht nuk ishte e qartë se çfarë e shkaktoi në incidentin në Upsala, një qytet rreth 70 kilometra në veri të kryeqytetit Stokholm.

Më herët, policia mori disa telefonata emergjente.

Dëshmitarët raportuan se kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Policia rrethoi një zonë të madhe. Trafiku hekurudhor u pezullua përkohësisht në mbrëmje.

“Autori i dyshuar, një burrë me maskë, ishte larguar me një skuter elektrik”, sipas raportimeve. Ende nuk janë bërë arrestime.

Autoritetet suedeze kanë luftuar për vite me radhë me bandat kriminale dhe luftën që përfshin shpërthime dhe të shtëna vdekjeprurëse.

Ndërsa numri i incidenteve me armë zjarri ka qenë në rënie kohët e fundit, ka pasur më shumë shpërthime, muajt e fundit.

Konfliktet midis bandave rivale po nxisin dhunën dhe disa nga incidentet janë gjithashtu pjesë e përpjekjeve për të shantazhuar individë ose kompani. Shpesh, bandat rekrutojnë adoleshentë të mitur për të kryer veprat penale.

Sipas vlerësimeve të mëparshme të policisë, më shumë se 60 000 njerëz në vendin skandinav me 11 milionë banorë besohet se kanë lidhje me bandat kriminale.

Në Upsala, dy të rinj u dënuan vitin e kaluar për vrasjen e nënës së një anëtari të lartë të bandës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›