E Hënë, 2 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Çdo vendim mbi territorin e Ukrainës do të merret nga populli

KIEV, 11 dhjetor /ATSH/- Çdo zgjidhje territoriale për t’i dhënë fund luftës së Rusisë duhet të vendoset nga populli ukrainas, qoftë përmes zgjedhjeve apo një referendumi, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas “Kyiv Independent”.

“Rusët duan të gjithë Donbasin – ne nuk e pranojmë këtë”, tha Zelensky.

“Unë besoj se populli ukrainas do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Qoftë në formën e zgjedhjeve apo të një referendumi, populli ukrainas duhet të ketë fjalën”, shtoi ai.

Deklarata e tij vjen mes presionit në rritje të SHBA-së për të siguruar progres në planin e paqes.

Moska ka kërkuar që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga rajoni lindor i Donbasit, duke përfshirë pjesë të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut – që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë.

Zelensky tha se Uashingtoni ka propozuar një “vizion kompromisi” sipas të cilit trupat ukrainase do të largohen nga Oblasti i Donetskut dhe forcat ruse nuk do të hyjnë në këtë territor.

Presidenti ukrainas e përshkroi planin si pjesë të një përpjekjeje të vazhdueshme nga SHBA-ja – për të gjetur një format të pranueshëm si për Kievin ashtu edhe për Moskën.

Debati territorial mbetet një nga çështjet më të diskutueshme të bisedimeve.

Propozimet e SHBA-së vazhdojnë të evoluojnë së bashku me përpjekjet evropiane për të paraqitur një qasje të unifikuar, ndërsa Kievi i reziston kushteve për të bërë lëshime territoriale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›