E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Putini ka nisur Luftën e Tretë Botërore dhe duhet të ndalet

KIEV, 23 shkurt /ATSH/- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përcjellë një mesazh të fortë sfide ndaj Rusisë, duke deklaruar se Ukraina jo vetëm që nuk po humbet luftën, por do ta përmbyllë atë me fitore, sipas BBC.

Në një intervistë të dhënë në selinë e qeverisë në Kiev, ai kundërshtoi hapur çdo marrëveshje armëpushimi që do ta detyronte vendin të tërhiqej nga territore strategjike që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë, pavarësisht sakrificave të mëdha ushtarake.

Zelensky akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se ka nisur tashmë Luftën e Tretë Botërore, duke theksuar se ambicia e Kremlinit shkon përtej kufijve të Ukrainës.

Sipas tij, Rusia synon të imponojë një mënyrë tjetër jetese dhe të ndryshojë zgjedhjet e popujve të lirë.

“Putini nuk do të ndalet në Ukrainë”, paralajmëroi ai, duke bërë thirrje për presion të fortë ushtarak dhe ekonomik për ta detyruar Moskën të tërhiqet.

I pyetur për kërkesat e Rusisë, që i kërkon Ukrainës të dorëzojë rreth 20% të rajonit lindor të Donetskut, si dhe territore në jug, përfshirë Khersonin dhe Zaporizhian, Zelensky tha se çështja nuk kishte të bënte thjesht me territorin.

“Është braktisje e qindra mijëra qytetarëve tanë dhe dobësim i pozicioneve tona”, u shpreh ai, duke shtuar se një tërheqje e tillë do të përçante shoqërinë ukrainase.

Sipas tij, edhe nëse një lëshim i tillë do t’i jepte Putinit një pauzë, ajo do të ishte e përkohshme, pasi Rusia mund të rigrupohej brenda pak vitesh dhe të rifillonte agresionin.

Në lidhje me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zelensky komentoi deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar që Ukraina të angazhohet më shpejt në negociata dhe ka ushtruar presion për arritjen e një armëpushimi.

Presidenti ukrainas theksoi se garancitë e sigurisë duhet të jenë afatgjata dhe të miratuara nga Kongresi amerikan, në mënyrë që të mos varen nga ndryshimet politike në Uashington.

Për sa i përket fitores, Zelensky e përkufizoi atë si rikthim të jetës normale për qytetarët, ndalimin e vrasjeve dhe, në planin më të gjerë, si mbrojtje të rendit ndërkombëtar.

Ai përsëriti se rikthimi i kufijve të vitit 1991 është jo vetëm fitore për Ukrainën, por edhe drejtësi.

Megjithatë, ai pranoi se një ofensivë e menjëhershme për të rimarrë të gjitha territoret do të kishte kosto të papranueshme njerëzore dhe se vendi nuk disponon ende mjetet e mjaftueshme ushtarake për një hap të tillë pa mbështetje të shtuar nga partnerët.

Zelensky foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat janë nxitur për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai theksoi se zgjedhjet mund të mbahen vetëm pasi të sigurohen garanci sigurie dhe të krijohen kushte që miliona refugjatë ukrainas dhe qytetarët në territoret e pushtuara të kenë mundësi reale pjesëmarrjeje.

Ndërkohë, presidenti ukrainas vazhdon të kërkojë leje për prodhimin me licensë të armëve amerikane, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”, duke e cilësuar mbrojtjen ajrore si sfidën më të madhe aktuale për vendin.

Në përfundim, Zelensky u shpreh se beteja zhvillohet në disa fronte – ushtarake, diplomatike dhe politike – por objektivi mbetet i njëjtë: ndalimi i agresionit rus dhe garantimi i pavarësisë së Ukrainës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›