E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Zyrtarë ukrainas drejt SHBA-së për të sqaruar kushtet e paqes

KIEV, 16 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi sot se negociatorë të Ukrainës janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sqaruar kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se Kievi po pengon përfundimin e luftës.

Zelensky tha se ekipi ukrainas po punon në mënyrë aktive me përfaqësues të presidentit amerikan, pavarësisht gjithçkaje, duke shtuar se takime të rëndësishme janë planifikuar për ditët në vijim.

Ai i bëri këto komente përmes rrjeteve sociale.

Delegacioni përfshin sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Rustem Umerov, shefin e ri të kabinetit të Zelenskyt, Kyrylo Budanov, si dhe deputetin David Arakhamia, një nga figurat kyçe në proceset negociuese të Ukrainës.

“Shpresojmë që këto takime të sjellin më shumë qartësi si për dokumentet që tashmë janë përgatitur me palën amerikane, ashtu edhe për reagimin e Rusisë ndaj gjithë punës diplomatike që është bërë”, shkroi Zelensky në platformën Telegram.

Presidenti ukrainas ka bërë të ditur së fundmi se një dokument dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Bashkuara për garancitë e sigurisë për Ukrainën është “90 për qind gati” për finalizim me administratën Trump.

Këto zhvillime vijnë pas javësh negociatash të nisura nga presidenti amerikan me synimin për t’i dhënë fund luftës, e cila filloi në shkurt të vitit 2022, kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara  të Amerikës po zhvillojnë bisedime si me Ukrainën dhe aleatët evropianë, ashtu edhe me Moskën, por aktualisht nuk ka negociata të drejtpërdrejta paqeje mes dy palëve ndërluftuese, të cilat vazhdojnë sulmet reciproke./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›