E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky akuzon Kremlinin për terror të synuar kundër popullsisë

KIEV, 11 janar /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për terror të synuar kundër popullit të vendit të tij, pas sulmeve të rënda ajrore gjatë javës së kaluar.

Zelensky postoi sot në media sociale, se brenda javës së kaluar ushtria ruse kishte përdorur kundër Ukrainës rreth 1,100 dronë, 890 bomba të drejtuara dhe 50 raketa dhe raketa kruz, përfshirë raketën balistike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”.

“Armët u lëshuan në objektiva që nuk kanë rëndësi ushtarake, objekte energjie dhe ndërtesa banimi”, tha Zelensky.

“Moska ka pritur qëllimisht që moti i ftohtë ta bënte jetën më të vështirë për ukrainasit e zakonshëm”, shtoi ai.

“Ky është një terror i qëllimshëm dhe cinik rus kundër popullit ukrainas”, shkroi ai.

Zelensky i ilustroi fjalët e tij me klipe videosh – ku tregoheshin mbetjetet e dronëve ndaj objekteve civile në Kiev dhe zonën përreth, si dhe në rajonet e Kharkivit, Khersonit, Dnipropetrovskut, Donetskut, Odesës, Zaporizhias dhe Chernihivit.

Imazhet nga qyteti perëndimor ukrainas i Lvivit, ku goditi raketa “Oreshnik”, nuk u shfaqën.

Kremlini e portretizon bombardimin e vazhdueshëm të Ukrainës si sulme kundër objektivave ushtarake, edhe pse shkatërrimi i centraleve prek popullsinë civile.

Kohët e fundit, Moska ka ngritur akuza për terror kundër Kievit, duke pretenduar se Ukraina dyshohet se ka nisur një sulm me dron në njërën nga rezidencat e presidentit rus Vladimir Putin.

“Zelensky i ka mohuar fuqimisht këto pretendime ndërsa shërbimi i inteligjencës së jashtme amerikane, CIA, arriti në përfundimin se Ukraina nuk e kishte në shënjestër Putinin ose një nga rezidencat e tij”, sipas raporteve të medias amerikane.

Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi luftën kundër Ukrainës gati katër vjet më parë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›