E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Garancia Sovrane, mundësi financimi për bizneset në bujqësi me norma interesi të ulëta

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një intervistë për mediet sot, analizoi paketën e garancisë sovrane të ofruar nga qeveria shqiptare për sektorin e bujqësisë, duke theksuar se ajo krijon kushte reale për akses të bizneseve të vogla dhe të mesme në financime me norma interesi të favorshme.

“Kemi prezantuar kredinë e butë, një risi për Shqipërinë, e cila mundësohet për herë të parë nga bankat e nivelit të dytë, në një shumë prej 250 milionë eurosh. Kjo i kontribuon drejtpërdrejt rritjes së aksesit në financë për bizneset e vogla dhe të mesme, që prej 15 janarit të këtij viti”, u shpreh ministrja Denaj.

Sipas saj, kredia e butë ofrohet me një normë interesi që varion nga 2% deri në 3,5%, ndjeshëm më e ulët se norma mesatare e tregut të kredive në vend.

“Kjo është një mbështetje reale për ata që nuk kanë pasur mundësi të financohen më parë në kushte të pranueshme”, theksoi ministrja.

Ministrja Denaj vlerësoi gjithashtu përkushtimin e qeverisë në vendosjen e aksesit në financë si një prioritet, sidomos për sektorin e bujqësisë. “Fermerët kanë pasur vështirësi për të marrë financime, por kjo paketë e re ndryshon ndjeshëm situatën dhe i jep hov zhvillimit rural dhe bujqësor të vendit”, deklaroi ajo.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›