KIEV – Zelensky vendos kushte për pjesëmarrjen në Davos

KIEV, 20 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pjesëmarrja e tij në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos do të varet nga nënshkrimi i kontratave ose sigurimi i angazhimeve konkrete për ndihmë ndaj Ukrainës.
“Nëse dokumentet janë gati, atëherë do të ketë një takim (me presidentin amerikan Donald Trump) dhe një udhëtim”, u tha Zelensky gazetarëve, sipas raportimeve të medieve ukrainase sot.
Ai shtoi se do të udhëtonte drejt resortit alpin zviceran edhe nëse do të kishte premtime për mbështetje shtesë për sektorin energjetik të Ukrainës ose për sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.
“Por, deri tani, unë kam një detyrë këtu në Ukrainë dhe për mua është thelbësore të koordinoj të gjitha shërbimet këtu”, theksoi ai.
Kievi shpreson të sigurojë garanci sigurie dhe fonde për rindërtimin ekonomik në kuadër të një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por bisedimet mbi këtë plan kanë mbetur të bllokuara./ /Ad.Ab./ a.jor.