E Hënë, 2 Nëntor 2026

KINË – Li: Historia ka treguar se bashkëpunimi Kinë-BE u ka sjellë dobi të dyja palëve

PEKIN, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Gjatë 50 viteve, marrëdhëniet Kinë-BE kanë përjetuar zhvillim përgjithësisht të qëndrueshëm dhe kanë prodhuar rezultate të frytshme, duke sjellë përfitime të prekshme si për qytetarët kinezë ashtu edhe për ata evropianë, deklaroi kryeministri kinez Li Qiang, duke hapur samitin me presidentët e KiE dhe KE, Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen.

‘’Historia ka treguar vazhdimisht se kur ka respekt të ndërsjellë, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi Kinë-BE u sjell dobi të dyja palëve, ndërsa kur ka divergjenca dhe ndërprerje në marrëdhënie, bashkëpunimi ngec dhe dëmton të dyja palët’’, shtoi ai.

‘’Kina dhe BE-ja kanë interesa të gjera të përbashkëta dhe nuk ka konflikte themelore. Pavarësisht nga evolucioni i situatës ndërkombëtare, bashkëpunimi duhet të jetë tema mbizotëruese dhe partneriteti përkufizimi i saktë i marrëdhënieve dypalëshe”, shtoi Li në raportin e tij mbi diplomacinë e Pekinit.

”Në mjedisin ndërkombëtar është edhe më e rëndësishme që Kina dhe BE-ja, dy fuqi të mëdha dhe tregje globale, të zhvillojnë bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk është vetëm një përshtatje e natyrshme për zhvillimin e tyre përkatës, por gjithashtu korrespondon me pritjet e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.

‘’Për sa kohë që Kina dhe BE-ja e ruajnë në mënyrë efektive tregtinë e lirë, ekonomia dhe tregtia ndërkombëtare do të mbeten dinamike dhe për sa kohë që ato praktikojnë me vendosmëri multilateralizmin, tendenca drejt një bote shumëpolare do të vazhdojë të forcohet”, shtoi ai.

‘’Kina, do të vazhdojë të punojë me Brukselin për të arritur përparim më të madh në marrëdhëniet e tyre dhe për t’u sjellë përfitime më të mëdha qytetarëve të Kinës, BE-së dhe pjesës tjetër të botës”, përfundoi ai./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›